Në Shqipëri vazhdojnë protestat kundër rritjes së çmimeve

Tiranë, 12 mars 2022 – Mijëra qytetarë të Shqipërisë kanë marshuar të shtunën në Tiranë, duke shënuar ditën e katërt të shprehjes së pakënaqësisë për rritjen e çmimeve në vend.

Ata kërkuan përreth dy orë mbrojtjen e shtresave të varfra nga shtrenjtimi i tregjeve, duke hedhur poshtë shpjegimet e Qeverisë se luhatjet e tregut kanë ndodhur si pasojë e luftës në Ukrainë.

Protestues të shumtë thanë se Qeveria po justifikon krizën për shkak të luftës, porse qytetarët janë në krizë të përhershme për shkak të çmimeve të larta që janë të papërballueshme për rrogat e tyre të ulëta.

Protestuesit kundërshtojnë shtrenjtimin e karburanteve dhe ushqimeve, duke i kërkuar Qeverisë mbikëqyrjen e tregjeve.

Fjalën në tubim e morën spontanisht qytetarë të zakonshëm, aktivistë, artistë e fermerë që shprehën zemërimin dhe pasigurinë e tyre përballë shtrenjtimit të jetesës.

Protestat e ditëve të fundit janë organizuar pasi çmimet e naftës në Shqipëri kanë shënuar rritje të hovshme, duke arritur të mërkurën në nivel rekord prej 260 lekësh (2.03 euro) për litër nga 230 lekë për litër (1.80 euro) një ditë më herët.

Teksa protesta vazhdonte në sheshin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit mori vendimin që nga 12 marsi, çmimi i naftës dhe benzinës do të kushtojë 217 (1.79 euro) lekë, ndërsa çmimi i gazit 93 lekë (0.76 euro).

Kryeministri shqiptar, Edi Rama deklaroi një ditë më parë se shteti, në bashkëpunim me furnizuesit e naftës, do të përcaktojnë çmimin e karburanteve. Ai pritet që të shtunën të prezantojë “Paketën e Rezistencës Sociale” ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet.

Në protestat e ditëve të shkuara, policia i shoqëroi disa protestues që bllokuan kryqëzime rrugësh në Tiranë. Forcat e rendit thanë se garantojnë protesta paqësore, por nuk do të tolerojnë aktet e dhunshme në dëm të normalitetit urban. Dhjetëra protestues protestuan të shtunën edhe para Drejtorisë së Policisë për të kërkuar lirimin e protestuesve të ndaluar.

Ditëve të kaluara protestat u zhvilluan edhe në qytete tjera të Shqipërisë me kërkesa të njëjta kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve.

Në Kukës disa qytetarë bllokuan Rrugën e Kombit; në Lezhë tjetër protestë u zhvillua me bllokimin e një rruge kryesore; në Lushnje u bllokua rrugë e rëndësishme pranë autostradës.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Korçë, Durrës, Vlorë, Tepelenë, Sarandë e Shkodër, Devoll dhe në të gjithë vendin.

Protesta e 12 marsit u organizua në mënyrë vullnetare nëpër rrjete sociale nga aktivistë të ndryshëm. Ata u zotuan se do të vazhdojnë protestën çdo ditë deri kur kërkesat e tyre të plotësohen.

Tregu i destabilizuar i naftës është pasojë direkte e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Lufta ka ndikuar në ngritjen e hovshme të kostos së produkteve bazë gjithandej Evropës.

(REL)