NË SHTËPINË, KU SHQIPTARI E NDJEN VETEN MË SHUMË SHQIPTAR

(Promovohet libri “Zjarri arbëror i pashuar” i Prof. Dr. Bexhet Asani)

Mikëpritje, dashamirësi, art, kulturë, traditë e bujari!

Të gjitha ishin të gërshetuara në shpirtin moral,patriotik e njerëzor, që reflekton shpirti i komunitetit në shoqatën “ Bijtë e shqipes “ në Philadelphia të shtetit Pennsylvania.Harmonia  e buzëqeshja e këtyre njerëzve të dashur lexohet më mirë se kudo tjetër.Eshtë një shembull unik. Kjo u manifestua edhe në aktivitetin e radhës së shoqatës “Bijtë e shqipes”, që drejtohet nga z. Bujar Gjoka, në promovimin e librit “ Zjarri arbënor i pa shuar “ i profesor Dr, Bexhet Asani.

Njerëzit që u mblodhën në këtë aktivitet janë pikërisht ata që paralajmëron emri i Shoqatës: bijtë dhe bijat e shqipes. Kështu e quajnë veten dhe në secilën ditë, ku mundohen të sjelllin prova se janë pikërisht të tillë. Bijtë dhe bijat e shqipes, që jetojnë në Pennsylvania janë të shumtë në numër, rreth 30 mijë.Me një histori jo shumë të vjetër emigrimi, por me një traditë të formuar e të kristalizuar nderimi ndaj vlerave të tyre identitare: gjuhës, kulturës, historisë e mbi të gjitha me një shkallë të lartë suksesi në dy fushat kryesore të jetës: në atë të arsimimit dhe të biznesit. Qindra të rinj shqiptarë kanë mbaruar dhe vazhdojnë të mbarojnë universitete dhe ka një numur të konsiderueshëm afaristë e biznesmenë.

Më 22 maj 2022,në godinën e vjetër të kësaj shoqate, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të New Yorkut u  organizua një pritje për dashamirësit e kulturës sonë, duke shfrytëzuar një rast dinjitoz të promovimit të librit “Zjarri arbëror i pashuar”, të prof. dr. Bexhet Asanit, Në këtë promovim, përveç anëtarëve të shumtë të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, morën pjesë edhe anëtarë nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me në krye Presidentin e Shoqatës Adnan Mehmetin, kryetarin e shoqatës Mëhill Velaj si dhe kryetari i Akademisë Shqiptaro Amerikane të Kulturës dhe Shkencës, Prof.dr. Skënder Kodra.

Aktivitetin e hapi Kryetari I Shoqates “Bijte e Shqipes” z. Bujar Gjoka, i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe veçanërisht ata të ardhur nga New Jersey, New Yorku e Conencticat dhe autorin për punën voluminoze e serioze të tij, duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin dinjitoz mes dy shoqatave për promovimin e këtij libri me vlera të mëdha për kulturën dhe trashëgimin e vlerave te kombit tone.

Kryetari I Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, z.Mhill Velaj, në fjalën e tij falenderoi të gjithë pjesmarrësit dhe në veçanti të zotët e Shtëpisë së shqiptarit për gadishmërinë në organizimin e përbashkët të kësaj veprimtarie, i njohu pjesëmarrësit me programin e këtij takimi promovues duke bërë një biografi e një përmbledhje të shkurtër rreth krijimtarisë së  autorit prof.dr.Bexhet Asanit. Me ftesën e tij, të gjithe pjesëmarrësit nderuan me nje minut heshtje kujtimin e ish kryetarit të shoqatës “Vatra“ Dr. Gjon Bucaj e Ish Kryeredaktorit të gazetës “Dielli” z.Dalip Greca, të cilët u ndanë nga jeta para pak ditësh. 

Në ketë takim përshëndetën: Presidenti i shoqatës së shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan dhe botues i revistës “Tema”, shkrimtari e poeti Ardian Mehmeti, Prof. Dr.Skënder Kodra, Kryetar i Akademisë së  Shkencave Shqiptaro-Amerikane. Rreth librit të Prof. Dr. Bexhet Asanit morën pjesë në diskutime: 

Poetja Ilirjana Sulkuqi, artisti Shaban Lajci, Ish kryetarët e shoqatës “Bijtë e Shqipes” gazetari veteran  Lazar Vero e  Dr. Sadik Elshani, Shkrimtari  e anëtar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” Hys Hasa, anëtar i shoqatës “Vatra”, Preng Qeta, Sekretar i Forumit të ish ushtarakëve shqiptar në Fiadelfia Lutfi Brami  etj., të cilët dhanë mendime dhe vlerësime rreth vlerave historike,artistike e shkencore të këtij libri për të sotmen dhe sidomos për të ardhmen, duke e kosideruar një pasuri të madhe për lexuesin shqiptar.

Dr. Besim Muhadri mbajti kumtesën kryesore. Ai ndër të tjera tha: Libri  i autorit Dr. Bexhet Asani “Zjarri arbëror i pashuar” është libër gjithpërfshirës dhe shprushje  në shpirtin arbëresh me titull sa simbolik, aq edhe domethënës e përmbajtësor, me materiale interesante e të rëndësishme për gjuhësinë dhe etnografinë, që ndërlidhet me arbëreshët kudo që ndodhen, në Sicili e kalabri të Italisë, në Argjentinë, Greqi, Turqi, Ukrainë, Kroaci, Bullgari e kudo në botë,me figura e personalitete të rëndësishme arbëreshe, shkrimtarë, muzicienë, regjisorë, punëtorë të palodhshëm të kulturës, arsimit, priftërinjë, aktivistë shoqatash arbëreshe, por edhe njerëz të thjeshtë të këtij komuniteti, të cilët mundohen të ruajnë gjuhën dhe kulturën e lashtë arbërore, të trashëguar nëpër shekuj nëpërmjet edhe veshjeve,   këngëve popullore, e aspekte të tjera.

               Në librin “Zjarri arbëror i pashuar“, – u shprehën diskutantët, autori  sjell ngjarje dramatike të lënies së Trojeve e hedhjes rrënjë në troje të tjera…e hidhërueshme kjo, e mallueshme për dashurinë e adhurimin për token e dytë, por shumë e dhimbshme. Ikje me kokëkthyer pas. A nuk është kjo një plagë aktuale edhe sot ? ! A jemi ne një nga ata ?!… Njohuritë që jepen në këtë libër, veprat që kanë lënë të parët tanë, traditat, zakonet, ritet nuk plaken.Autori na i bën prezente me pasion e krenari. E ka patur ëndër, që në bankat e shkollës së mesme, autori,interesin për fatin e arbëreshëve, të cilat i thelloi në universitetin e Prishtinës dhe nëpërmjet kësaj monografie,tregon punën komplekse, por fisnike të tij.

Arbërishtja është në realitet një gjuhë e mbyllur në vetvete,ndërsa  sot po vazhdon të rritet bashkëpunimi për ruajtjen e saj. Janë domethënës aktivitete si:  seminari në Prishtinë i gjuhës e letërsisë shqiptare, Qendra e studimeve dhe publikimeve arbreshe në Tiranë, binjakëzimi i shumë komunave, vizitat dy palëshe Kalabri – Sicili, që tregojnë se po punohet për ta ruajtur gjuhën që të mos vdesë..

          Përmes shkrimeve të shumta, qoftë, studime, përshkrime, reportazhe, portrete, takime rasti, intervista etj., profesor Bexhet Asani sjell para nesh botën dhe shpirtin e pavdekshëm të arbëreshëve dhe përpjekjet për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat e lashta arbërore. Kemi edhe shqetësimet e autorit për zbehjen apo harresën e ngadalshme, por të vazhdueshme të gjuhës arbërore.Ai ,pothuajse në çdo shkrim, bën apelin tek institucionet kompetente shtetërore të shtetit amë që të kthejnë vëmendjen te kjo pjesë e dhimbëshme e qënies sonë, që të mos rrezikohet nga zhdukja. Është detyrë e çdo intelektuali e sidomos e shkrimtarëve, që të punojmë pareshtur, duke evidentuar historinë dhe shembujtë pozitiv, për t’ i shkruar e përgjithësuar në librat që ne botojmë, me synim që t’u lëmë brezave një thesar vlerash, duke ju treguar se nga vijmë,kush jemi dhe si duhet të jemi.

Në libër zë vend përshkrimi i profilit të Aristidh Kolës në librin “Gjuha e Perëndive “, që profesor Kristaq Shabani e quan Kryevepër me karakter studius dhe paraqitje tipike të shkencës kombinative, historike e gjuhësore. “Pellazgjikja është nëna dhe rrënja e gjuhëve, që krijoi kurorën e qytetërimit botëror. Populli hipotetik indoevropian nuk erdhi nga India në Evropë, por e kundërta“ – thotë Aristidhi, i cili ishte njeri i ditur, e donte kombin e tij, studiues i vendosur në mbrojtjen e tezave të tij shkencore, studiues i energjive dhe i përfundimeve të mëdha, logjike, krijues me kurajë të lartë shkencore, kontribues në shpjegimin e tezës për identitetin dhe gjuhën mëmë pellazgjike. Sa bukur tingëllojnë vargjet në poezinë e tij :

Këngë arbëreshe, o këngë e rrall’,

As Vjosë, as Drin, s’ ta shuan dot mall.

Si rojte në shekuj, tërë atë dashuri,

Për tokën e Skënderbeut, për mëmën Arbëri!?

Puna për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe edhe këtu në Filadelfia është për t`u përshëndetur. Kontributi i shoqatës “Bijtë e Shqipes“, i Këshillit drejtues të saj, i mësueseve nëpërmjet shkollës shqipe “Gjuha jonë“ është për t`u vlerësuar e përgjithësuar për përkushtimin e pasionin për ta mbajtur gjallë, për ta masivizuar, për të zgjeruar më shumë aktivitetet në komunitet e familje për edukimin e fëmijëve me dashurinë për gjuhën shqipe e kombin tonë.

Sa krenar bëhemi, kur mësojmë histori të tilla, ku djali i Carlo Albanese, një marinar arberesh nga jugu i Italise, Anthony Carlo Albaneze, me rrënjë arbëreshe, zgjidhet Kryeministër i një vendi të madh si Australia. Gjaku i arbërit nuk shuhet kurrë, kudo që jeton.

Sa kuptimplote e aktuale janë fjalët e Prof Agostino Giordanos: “…kur një katund arbëresh s`flet më gjuhën arbëreshe, historia zë e mbëllin librin e saj, zakonet zënë e veshken, kujtimet e shpresat zënë e thahen, gjaku zë e teret. Fjalët nëng përputhen me mendimet, zëmëra bier udhën e mallit, shit nëng fljën me njëra jetrën, ndë gjitonitë nëng  huhet ( nuk është më e përshtatëshme), ndër rugat nëng këndohen më vjershë “. Te këto fshatra  fëmijtë nuk luajnë më arbërisht, nuk këndojnë më arbërisht, nuk zihen më arbërisht, nuk shajnë më arbërisht ! E dhimbëshme, me të vërtetë e dhimbëshme.

Me 1923 komisioni qe do te caktonte kufijte e Shqiperise se Jugut i kryesuar  nga gjeneral Telini, oficer i Mbreterise Italiane kishte udhëzim që të vendoste me inisiativë vijën e kufirit me ato fshatra, që duhej të ndaheshin më dysh. Për të mos rënë preh e pretendimeve, komisioni kreu nje test të thjeshtë, që ka të bëjë me gjuhën shqipe. Ata mbushnin një grusht me monedha dhe jua hidhnin fëmijëve të fshatit. Fëmijet gjatë marrjes së tyre fillonin të shanin në gjuhën e tyre të përditshme, e cila ishte në masen më të madhe, shqipja. Keshtu, mjaft fshatra kufitare, iu bashkuan Shqipërisë.

Në këtë aktivitet, një moment aktori Shaban Lajçi këndoi një këngë për kurbetin dhe recitoi disa vargje me vlera patriotike, që ngjalli shumë emocion tek pjesmarrësit në këtë aktivitet dhe u duartrokit me shumë dashamirësi, ashtu sikurse recitimi shumë i bukur i poezisë “Zjarr i pashuar “nga ish nxënësja e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” Philadelphia, zonjusha Selma Çela dedikuar autorit Prof/Dr Bexhet Hasani.

Ju Motra vëllezër a s’më thoni

Këtu ne sot kush na mblodhi?

Një burrë fisnik nga Zagerçani

Profesor/Doktor,Bexhet Asani.

Ti moj Nena e Zagerçanit

Hallall qumeshti yt për djalin,

Që penën nuk ja ndan vatanit

Fillon që me kohën e Arbërit.

Në mes këtij entusiazmi, Kryetari i Shoqates “Bijte e Shqipes” Philadelphia z. Bujar Gjoka i dorëzoi Prof.Dr. Bexhet Asanit vlerësimin “Mik i Shoqatës” akorduar nga Këshilli Drejtues i Shoqatës me motivacionin: “Për punën të palodhur si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në atdhe e Nev Jersay, USA, si atdhetar, studiues, publicist në ruajtjen e kulturës, traditës, historisë dhe vlerave kombëtare të kombit tonë. Për mbështetjen e vazhdueshme të veprimtarive të shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” e Shoqatës Atdhetare- Kulturore Shqiptaro – Amerikane “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.”

Autori  Bexhet Asani  i u përgjigj pyetjeve të pjesëmarrëseve në lidhje me motivet, punën, informacionin e dokumentacion e siguruar në hartimin e këtij libri me vlera kombëtare.

Shkrimtaret pjesmarrës në këtë aktivitet dhuruan libra nga veprat e tyre për biblotekën e shoqatës “Bijtë e shqipes” Philadelphia. Nje dhurate suprize na erdhi nga larg, nga shkolla shqipe “Naim Frasheri” Patra-Greqi. Drejtori I shkolles, poeti e shkrimtari Iliaz Boga kishte derguar disa nga librat e tij me poezi e përralla për nxënësit e shkolles shqipe “Gjuha Jone” Philadelphia. Më 20 Shtator 2019, Shkollat Shqipe: “Naim Frasheri” Patra- Greqi, “Udha e Shkronjave” Asti-Itali e “Gjuha Jone“në Philadelphia -USA kanë bërë trinjakëzimin e tyre dhe që nga ajo kohë është rritur ndjeshëm bashkëpunimi midish këtyre shkollave.  Mikja e shquar e shoqatës, shkrimtaria e poetja Iliriana Sullkuqi i dorëzoi disa libra bibliotekës së shoqatës, disa përshëndetje nga disa shoqata motra në Greqi, Elbasan e Tiranë, dhe disa dhurata të thjeshta simbolike për autorin prof.dr. Bexhet Hasanin,për gazetarin veteran, nismëtarin e krijimit të shoqatës dhe “Kryetar  Nderi“ i saj, Llazar Veron, Kryetarin e Nderit“ z.Tajar Domi, Kryetarin e Shoqatës z.Bujar Gjoka e  prof.dr.Skënder Kodra, i cili para disa ditësh kishte ditlindjen. Këto e gjallëruan edhe më shumë atmosferën e këtij aktiviteti.

Shoqata “Bijtë e shqipes” aktivitetin e vet e zhvillon në ambiente që janë për t`u lakmuar, si në pikëpamje të hapësirës, ashtu edhe të pozicionit e të cilësisë.Veç sallës për aktivitete kulturore e muzeumit, aty ka edhe klasa për zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe. Muret e stolisura me fotografi të figurave tona historike e kulturore e me flamuj kombëtarë pasqyrojnë më së miri frymën kulturore, që i karakterizon këta aktivistë të zellshëm dhe shpirtin e tyre humanist e atdhetar. Por, dëshmia më e madhe e këtij shpirti është vetë shtëpia e Shoqatës, një objekt i dhuruar nga atdhetarët shqiptarë, Hasan e Benjamin Risilia, që në vitin 2006. Duke u rritur komuniteti, kanë ardhur duke u rritur edhe kërkesat për t`iu shërbyer nevojave të tij. Aktivistët e aktivistet e zellshme të Shoqatës e kanë zgjidhur këtë në një mënyrë që do t`i bëjë përgjithmonë krenarë: Ata kanë blerë një shtëpi tjetër shumë më të madhe prej guri, historike, që ngjason me një kështjellë, në majë të së cilës, tashmë ka filluar të valojë flamuri shqiptar.

Nderkohe z. Bujar Çela, anëtar I këshillit drejtues të  shoqatës prezantoi dhurimin e shumës  prej $500  nga kompania “Meal of America” e cila ka punësuar disa anëtarë te komunitetit tonë shqiptar dhe në shprehje të respektit për ta, kjo kompani, shprehu deshirën për  të kontribuar në ndërtesën e re të shoqatës.zj.Ilirjana Sullkuqi i dorëzoi shoqatës sonë një çek prej 100 $ amerikan për mbarvajtjen e shkollës shqipe “Gjuha Jonë“ dhe për ndërtimin e godinës së re të shoqatës. Të gjithë miqtë që erdhën nga New-Yorku dhe nga New Jersy, treguan interes të  veçantë per ecurinë e shkollës shqipe dhe projektin në ndërtimin e ndërtesës së re të shoqates. Ata shprehën dëshirën që të jenë pjesë e këtij projekti dhe kontribuan me nga 100 dollarë secili për këtë ndërtesë historike që do të jetë qendra e ardhshme e shoqatës dhe shkollës shqipe ne Philadelphia. Disa dhuruan edhe për shkollën shqipe“Gjuha Jonë“. Kryetari i shoqatës Bujar Gjoka i falenderoi kontribuesit për bujarinë e zemërgjërësinë e tyre.

Në mesin tuaj, miku e ndjen veten më shumë se mik, salla juaj sa vjen e bëhet më e ngushtë nga pjesmarrja e antarëve e miqëve të shoqatës – tha midis të tjerash z., Mhill Velaj. Në mesin tuaj, intelektuali e ndjen veten më shumë se intelektual! Në mesin tuaj shqiptari, e ndjen veten më shumë shqiptar! Ju priftë e mbara! Ishte kënaqësi të merrje pjesë në një ngjarje të tillë, që u përcoll me shumë interes nga të pranishmit

I  gjithë ky auditor kaloi në koktelin e  thjeshtë por shumë simbolik e entusiast, organizuar nga i zoti i shtëpisë z.Bujar Gjoka,sponsorizuar nga z. Bujar Çela, ku në mes të këtij entuziasmi me shëndete për miqtë dhe autoritetet përkatëse, që na nderuan në ketë eveniment u shpreh dashuria e respekti për njëri, sidomos për miqtë e ardhur .Pjesëmarrësit dhe autori vijuan me pyetje e pergjigje dhe miqte u njohen nga afer me veprimtarine e shoqates “Bijte e Shqipes” jetes se komunitetit shqiptar ne Philadelphia si dhe projektet e shoqatës sonë në të ardhmen.

Mbylljen e këti aktiviteti e bëri z.Mhill Velaj dhe Kryetari i Shoqatës Z.Bujar Gjoka me dëshirën që edhe në të ardhmen të organizojmë veprimtari të tilla, që i shërbejnë e do t’i shërbejnë artit e kulturës dhe ruajtjes së shqiptarizmës në komunitetet  shqiptare në Diasporën e USA..

U mbyll ky aktivitet i bukur e mbreslënës dhe me një vizitë tek ndërtesa e re e shoqatës, sidomos për ata që nuk e kishin parë më parë,duke qenë të shoqëruar nga Kryetari z.Bujar Gjoka. Eshtë kënaqësi të merrje pjesë në një ngjarje të tillë, që u përcoll me shumë interes nga të pranishmit.

               Ishte një aktivitet dhe promovim dinjitoz me vlera të gjithanshme të këtij libri voluminoz plot detaje historie, kujtimesh, figurash e shoqatash Arbërore, që i shton një vlerë më shumë punës e luftës për mbajtjen gjallë të gjuhës e pasurimin e saj. Shëndet Urime e suksese në krijimtarinë tuaj të gjërë dhe të larmishme profesor Bexheti !

Lutfi Brami

Filadelfia, 23 maj 2022


TROKISNI MBI FOTOGRAFITË PËR T’I ZMADHUAR