Në spitalet e Kosovës bie numri i pacientëve me COVID-19

Prishtinë, 10 shtator 2021 – Gjashtëdhjetë e katër pacientë me koronavirus, të shtrirë në spitalet e Kosovës, janë në gjendje të rëndë, bëri të ditur të premten Shërblimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Shifra paraqet rënie të lehtë krahasuar me një ditë më parë, kur në trajtim inetnsiv ishin 78 pacientë.

Në njoftimin e SHSKUK-së po ashtu bëhet e ditur se në trajtim për koronavirus janë gjithsej 1,043 pacientë – 69 më pak se një ditë më herët.

Numrin më të madh të të hospitalizuarve me koronavirus e ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës: 372.

Vala e infeksionit në Kosovë ka marrë hov qysh në fillim të muajit gusht.

Aktualisht në Kosovë janë aktive 19.923 raste.

Të premten janë konfirmuar edhe 30 viktima dhe 685 raste të reja pozitive me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten se numri i vaksinave të dhëna në Kosovë ka arritur në një milion.

Me të dyja dozat e vaksinës, deri të premten në mesditë, janë vaksinuar 351,475 qytetarë të Kosovës.

(r.m.)

Comment

*