Në spitalet rajonale të Kosovës ka mungesë të stafit shëndetësor

Prishtinë, 2 shtator 2021 – Në spitalet rajonale të Kosovës ku trajtohen pacientët e infektuar me koronavirus, ka mungesë të stafit shëndetësor. Kështu thonë drejtuesit e këtyre spitaleve.

Të enjten, më 2 shtator, në shtatë spitalet rajonale të Kosovës ishin duke u trajtuar 799 pacientë, prej të cilëve 682 janë të konfirmuar me koronavirus.

Spitali i Pejës prin me numrin më të madh të pacientëve me COVID-19, gjithsej 210 pacientë. Pasojnë spitali i Prizrenit me 165 pacientë, Spitali i Gjilanit me 138 dhe Spitali i Gjakovës me 125.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të flasë me drejtuesit e spitalit të Pejës për situate atje, por ata nuk janë përgjigjur. Por, sipas burimeve brenda këtij spitali, aty po punohet në krijimin e hapësirave të improvizuara, për shkak të numrit të madh të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim.

Ndërkaq, në spitalin e Gjakovës, tash për tash, ka kapacitete të mjaftueshme për hospitalizim të pacientëve. Drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala tha se ky spital i ka në dispozicion të të sëmurëve nga COVID-19 175 shtretër, ndërsa numrimë i lartë i pacientëve të shtruar ka shkuar deri në 140. Aktualisht në këtë spital janë duke u trajtuar 125 pacientë me koronavirus.

Shala tha se aktualisht janë duke u përballur vetëm me mungesë të stafit shëndetësor.

“Sa i përket barnave bazike që kërkohen për trajtim të pacientëve me COVID-19, i kemi të gjitha në dispozicion, po ashtu oksigjen ka sasi të mjaftueshme. Material mbrojtës, si maska, dorëza e të tjera ka sasi të mjaftueshme. Problem kemi me staf shëndetësor. Kemi mungesë të infermierëve”, tha Shala për Radion Evropa e Lirë.

Edhe, drejtori i Spitalit rajonal të Prizrenit, Afrim Avdai, tha se në këtë spital ka shtretër të mjaftueshëm për pacientët që kanë nevojë për hospitalizim, por ka mungesë të stafit shëndetësor.

“Por, qeveria ka rekrutuar staf të ri dhe jemi në pritje të ardhjes së tyre dhe sistemimit në vendet e punës”, thotë ai.

Me mungesë të stafit shëndetësor po përballet edhe spitali rajonal i Gjilanit, tregoi drejtori i këtij spitali, Ukshin Ismjali.

“Vështirësitë janë për shkak të mungesës së resurseve humane. Por, po mundohemi të punojmë me këtë staf që kemi. Askush nga kolegët nuk e ka refuzuar punën shtesë dhe janë të gatshëm të punojnë. Por, po besojmë që Ministria e Shëndetësisë do të veprojë shpejt që të sjellë staf shtesë”, tha Ismajli, për Radion Evropa e Lirë.

Më 18 gusht, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shtimin e stafit shëndetësor që do të merren me menaxhimin e pandemisë dhe me procesin e imunizimit.

Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se 1,116 punëtorë të rinj shëndetësorë do ta fillojnë punën gjatë kësaj jave, ndërsa 422 mjekë dhe infermierë të tjerë do të rekrutohen së shpejti.

Kosova është duke kaluar nëpër një valë të rëndë të pandemisë së koronavirusit. Të enjten u njoftua se gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur edhe 32 të infektuar nga koronavirusi.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 që kanë nevojë për trajtim spitalor, në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë ndërprerë disa prej shërbimeve jourgjente, përfshirë edhe sallat kirurgjike.

(r.m.)