Në Tiranë, gazetarët protestojnë kundër rregullores së re të parlamentit

Tiranë, 10 qershor 2021 – Ggazetarët e mediave locale që i mbulojnë zhvillimet në Parlamentin e Shqipërisë protestuan të mërkurën në Tiranë kundër rregullores së re, të miratuar javën e shkuar nga Byroja e Parlamentit, e cila ua vështirëson punën në mbulimin e ngjarjeve në këtë institucion.

Sipas rregullores së re, gazetarët nuk do të mund të jenë të pranishëm në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Ato do të mund të ndiqen nga një sallë e caktuar për medie, e cilësuar si “News room”.

Por, ajo që ka shkaktuar shqetësimin edhe më të madh ka të bë me kufizimin e lëvizjes së gazetarëve në mjediset e parlamentit, ndërsa kur do të bëjnë intervista me deputetë do të duhet të nëjnë kërkesë më parë.

“Ne e vërejmë me shqetësim të madh, se vendimi nr.82 i Byrosë së Kuvendit, i datës 02.06.2021, bie ndesh me parimet e lirisë së shtypit, e pengon transparencën dhe bën diskrimin e mediave. Ky sistem i ndërtuar prej jush e bën informacionin të kontrolluar, të manipulueshëm, të paplotë dhe me rrezik real për censurë”, thuhet në letrën e gazetarëve protestues drejtuar parlamentit.

“Ne denoncojmë faktin se ju e keni marrë këtë vendim në mungesë të konsultimit me grupet e interesit. Asnjë nga ne, gazetarët nënshkrues të mëposhtëm që prej vitesh jemi të akredituar në Kuvend, nuk jemi thirrur për shkëmbim mendimesh dhe për konsultim publik për këtë rregullore”, thuhet më tutje në letër.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton pjesëmarrjen e medias dhe publikur në mbledhjet e organeve kolegjiale. Të tilla janë edhe komisionet parlamentare”, theksohet në shkresën e gazetarëve.

Gazetarët e kundërshtojnë faktin se rregullorja u lejon TVSH-së dhe ATSH-së akses të pakufizuar për të lëvizur në ambientet e Kuvendit, në kundërshtim me legjislacionin shqiptar të barazisë dhe të mbrojtjes nga diskriminimi.

Ata kërkojnë tërheqjen e vendimit të Byrosë së Parlamentit dhe nisjen e menjëhershme të negociatave publike mes Parlamentit dhe reporterëve të akredituar në këtë institucion dhe palëve të tjera të interesuara.

Në mbështetje të gazetarëve shqiptarë është rreshtuar dhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, i cili i bashkon shoqatat e gazetarëve të vendeve të Ballkanit. Në një deklaratë të këtij asociacioni, të shpërndarë të mërkurën,thuhet se “rregullorja e re e parlamentit shqiptar për orientimin e medias mund të rrezikojë lirinë e saj”.

Nga ana tjetër, Parlamenti mohoi se rregullorja e re e pengon punën e gazetarëve.

“Teknikisht, gazetarët dhe publiku, me ndërmjetësinë ose jo të gazetarit, nuk pengohen nga informimi. Kuvendi i Shqipërisë nuk censuron dhe nuk e përzgjedh asnjë pamje dhe asnjë plan, pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk po instalon asnjë regji qendrore. Përkundrazi, çdo gjë komandohet nga vetë gazetarët dhe janë ata që ndjekin dhe përzgjedhin çdo pamje apo detaj që dëshirojnë të transmetojnë”, thuhet në komunikatën e parlamentit.

“Në ‘News room-in’ e dedikuar për gazetarë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë regji dhe asnjë regjisor të ngarkuar me detyrën për përzgjedhjen e pamjeve”, thuhet në komunikatë.

“Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian për Shqipërinë, dhe Kuvendi është përfitues i këtij projekti/modeli të ri. Edhe specifikimet teknike të ndërtimit të këtij sistemi u përcaktuan dhe miratuan nga Komisoni Evropian, bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të parlamenteve të vendeve të BE-së”, thuhet në komunikatën e parlamentit.

Por, delegacioni i BE-së në Tiranë mohon të ketë çfarëdo përgjegjësie lidhur me rregulloren e re. Në reagimin e zyrës së BE-së shprehet keqardhje që Byroja e Parlamentit nuk i ka konsultuar gazetarët përpara se tamiratojë rregulloren e re.

“Dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe të komisioneve të tij janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale. Keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014”, shpjegon Delegacioni i BE-së, në një postim në Twitter.

(r.m.)

Comment

*