Në Tiranë publikohet një portal kundër ekstremizmit të dhunshëm online

Tiranë, 16 qershor 2021 – Në Tiranë, u publikua sot nisma më e re kundër ekstremizmit të dhunshëm. Përmes një portali të posaçëm qytetarët mund të denoncojnë ekstremizmin online, që mund të shohin në faqet e internetit.

Nisma është bashkëpunim i shoqërisë civile me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Shqipëria ka tani portalin e saj për të sinjalizuar ekstremizmin e dhunshëm online, që hasen në faqet e internetit.

Kjo është nisma e re kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe për të shmangur radikalizimin e të rinjve.

Portali Kombëtar për Sinjalizimin e Faqeve të Internetit me Përmbajtje të Paligjshme është fryt i bashkëpunimit mes Akademisë së Studimeve Politike dhe Qendrë së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ndërsa projekti është mbështetur nga ambasada e SHBA-ve në Shqioëri.

Qëllimi, sipas autorëve, është që të krijohet një hapësirë e sigurtë online nga ekstremizmi i dhunshëm dhe të parandalohet zgjerimi i mëtejshëm i kësaj dukurie, duke i fshirë mesazhet ekstremiste sa më shpejt e jo duke i lënë online për disa vite si ndodh deri tani.

“Portali i siguruar nga Agjencia Kombëtare për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike vlerësohet si një mekanizëm i ri për veprimtarët e organizatave të shoqërisë civile si dhe përfaqësuesit e shkollave dhe komuniteteve, të cilët ndeshin sjelljet e rrezikshme online dhe t’i sinjalizojnë për to, duke ndihmuar në fshirjen e shpejtë të mesazheve që nxisin urrejtjen, ksenofobinë, ekstremizmin si dhe abuzimin seksual të fëmijëve” – tha drejtuesi i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase.

Sipas një monitorimi nga Akademia e Studimeve Politike mbi platformat online në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, media sociale në gjuhën shqipe dhe faqe uebi vazhdojnë të përhapin propagandën e ekstremizmit të dhunshëm.

Shumica e ndjekësve të tyre u përkasin grupmoshave 15-25 vjeç kryesisht nga shtresa të varfëra në periferi të qendra të mëdha.

Ekspertët këmbëngulin për një njohjen e hershme të këtyre dukurive që në fillesat e tyre, kur edhe ndërhyrjet mund të jenë më të lehta.

Studimet theksojnë se rreziku i propagandës ekstremiste dhe radikalizimi online vazhdon të jetë i lartë, sepse vjen nga shumë shtete e disa kontinente.

Por një pjesë e madhe e pëlqimëve dhe shkarkimeve të këtyre materialeve vijnë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Këto 3 vende kishin rreth 500 njerëz të rekrutuar gjatë konfliktit në Siri dhe Irak gjatë viteve 2014-17.

Afro 70 për qind e propagandës për ekstremizëm dhe radikalizim përmban premtime të rreme për një jetë më të mirë dhe zgjidhjen e halleve, varfërisë dhe diskriminimit.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)