Në Tiranë u shfaq filmi “Katrori i Pushtetit” kushtuar lirisë së shprehjes e të medies

Tiranë, 3 nëntor 2021 – Regjisori i njohur shqiptar Robert Budina shfaqi sot në Tiranë filmin e tij të ri artistik titulluar “Katrori i Pushtetit”.

Në qendër të filmit janë 3 gazetare dhe një redaksi telezioni, të përfshirë në raportimin e lajmeve, teksa përballen me krimin, korrupsionin dhe vet hallet e jetës së tyre.

Premiera e parë iu kushtua gazetarëve, të cilët, sipas studimeve, ndeshen përditë me kërcënimet e shumanshme, pagat e ulëta, autocensurën dhe shpërdorimin politik.

Filmi më i ri artistik i regjisorit të njohur Robert Budina “Katrori i Pushtetit” i kushtohet lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.

Një kriminel lirohet befas nga dënimi me burgim të përjetshëm dhe një politikan i shquar vdes papritur në vilën e tij, ndërsa redaksia e varfër e lajmeve të Televizionit Era, EraTV, nuk pranon të shitet të këmbim të lirisë së raportimit, edhe pse me gazetarë të papaguar mirë dhe me një mori hallesh familjare.

Gazetaret në role, aktoret Ema Andrea, Dasara Xhangolli dhe Sara Smaja, të drejtuara nga kryeredaktori i tyre, artisti i njohur Neritan Liçaj, rendin pas lajmeve të politikës, kriminalitetit dhe ekonomisë, por prapa çdo muri goditen, kërcënohen dhe pengohen nga politikanët, kriminelët dhe të korruptuarit.

“Tre vajzat gazetare zbulojnë një korrupsion të madh shpirtëror të kësaj shoqërie dhe të gjitha së bashku përpiqen të formojnë atë puzzle-n e duhur dhe të gjejnë se çfarë duhet të bëjnë me këtë gjë që kanë zbuluar. Janë vënë përballë një dileme të madhe, por në gjithë në këtë përpjekje ato kanë pengesa të jashtëzakonshme. Këtë thotë edhe titulli i filmit: media përballë politikës, krimit dhe biznesit” – thotë regjisori i filmit, Robert Budina.

Filmi “Katrori i Pushtetit” është, sipas tij, një shenjë respekti për sakrificat e gazetarëve shqiptarë, që nuk pranojnë të keqpërdoren dhe refuzojnë të mbërthehen nga intrigat e pushteteve të tjera.

Premiera e parë e filmit iu kushtua gazetarëve, ata ishin spektatorët e parë të tij dhe shumë prej tyre e gjetën veten në të.

Një prej tyre ishte pedagogu i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, më herët fitues një çmimi vjetor për gazetarinë investigative, kur raportoi një rast korrupsioni me fondet publike.

“Reporterët e terrenit në Shqipëri, ata që kanë kontakt të menjëhershëm me lajmin, kanë disa sfida përpara. Sfida e parë është me pronarët e tyre, të cilët nuk i kanë në anën e tyre. Pronarët janë në anën e biznesit të tyre dhe shpesh herë në anën e pushtetit. Sfida e dytë është pushteti, i cili është sigurisht përballë tyre, dhe përpiqet t’i deligjitimojë, t’i pengojë dhe t’i linçojë ata. Sfida e tretë është marketingu, i cili përpiqet gjithashtu që t’a përzjejë informacionin me reklamën, me propagandën, me marrëdhëniet publike etj. Këto tre sfida janë të mjaftueshme që profesioni i gazetarit të bëhet tejet i lodhshëm dhe sfidues për reporterët, megjithë pasionin që ata kanë për të vërtetën” – thotë zoti Bregu.

Autorët pohuan se filmi artistik “Katrori i Pushtetit” përpiqet të shpjegojë shembullin shqiptar të raporteve midis medias nga një anë dhe politikës, biznesit dhe krimit nga ana tjetër.

Regjisori Budina thotë se ka arritur të krijojë një film artistik, brenda të cilit ndriçohet dhe bëhet i dukshëm realiteti i hidhur i pushteteve të dhunshme, që lidhin me fije të fshehta për t’i penguar gazetarët në detyrën e tyre për lajme të sakta dhe të pacensuruara.

“Ne menduam që të tregojmë historinë e tre gazetareve gra e vajza, me besimin se atyre u duhet besuar më shumë fuqi në vendim-marrje, gjë e cila është ende dobët në Shqipëri. Unë besoj se gra më të forta në Shqipëri do të bëjnë shoqëri, institucione dhe demokraci më të fortë. Përvoja ka treguar se, kur janë në detyra të rëndësishme vendim-marrëse, ato marrin vendime më të drejta se burrat” – thotë regjisori Budina.

Filmi “Katrori i Pushtetit” hyn në redaksitë e lajmeve, në tryezat e tyre të punës, studiot e montazhit dhe të debateve, në furgonat e gazetarëve, që nxitojnë drejt vendngjarjeve të krimit, hyn edhe në shtëpitë e reporterëve, me fëmijë, prindër dhe me halle si gjithë qytetarët e tjerë.

Po ashtu hyn edhe në vilat e politikanëve, brenda spitaleve dhe jetimoreve, nëpër kafene dhe mjedise të tjera, ku tema e ditës është mbijetesa përballë abuzimeve të shumëllojshme të pushteteve, që dhunojnë jetesën e qytetarëve.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)