Në Uashington, Konjufca takohet me zyrtarë të disa shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën

Uashington, 29 mars 2023 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kanjoftuar se në margjinat e Samitit të Dytë për Demokraci në Uashington është takuar me zyrtarë të lartë nga disa shtete që ende se kanë njohur Kosovën.

“Në margjina të Samitit të Dytë për Demokraci që po mbahet në Uashington pata rastin të zhvilloj një sërë takimesh të frytshme me kryetarë të parlamenteve, deputetë, zyrtarë të lartë dhe personalitete nga Kenia, Gambia, Armenia, Gana, Zambia, Liberia dhe Kosta Rika, disa prej tyre shtete jonjohëse të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ai ka treguar se në këto takime ka folur për marrëdhëniet me këto shtet dhe për krijimin e klimës së bashkëpunimit e miqësisë me të gjitha vendet demokratike.

“Me përfaqësues të këtyre shteteve biseduam për rolin e parlamenteve tona në ndërtim dhe intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët. Theksova përkushtimin e Republikës së Kosovës për kultivimin e miqësisë, zhvillimin e modaliteteve për bashkëpunim në të ardhmen dhe avancimin e raporteve ndërshtetërore me qëllim forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

(r.m.)