Në Vlorë shënohet 110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

Vlorë, 28 nëntor 2022 – Vlora, qyteti ku 110 vjet më parë u ngrit flamuri kuq e zi dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë priti sot mijëra qyetarë nga hapësira shqiptare. Sheshi simbol i flamurit ku ndodhet edhe Monumenti i Pavarësisë mblodhi edhe udhëheqësit më të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Kosovës Albin Kurti si dhe , kryeparlamentarët e të dy vendeve Lindita Nikolla, dhe Glauk Konjufca morën pjesë në ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit kombëtar të Shqipërisë dhe vendosjes së kurorave.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ishte i vetmi që foli në këtë ceremoni jubilare, vlerësoi lart sakrificat e shqiptarëve për liri.

“Patriotë të mëdhenj dhe mëndjendritur, nga të gjitha viset e Shqipërisë, udhëhequr nga i urti Ismail Qemali, jetësuan përpjekjet e mëdha të Rilindjes Kombëtare dhe i dhanë atdheut, vendin që i takonte në familjen e madhe të kombeve. Historia jonë kombëtare është histori luftërash e sakrificash të paepura për liri, është histori përpjekjesh të pafundme për dije e progres, është histori e një populli që dashurinë për tokën dhe atdheun e ka mbi gjithçka”.

Presidenti Begaj tha më tej se kombi shqiptar ka forcuar gjithnjë e më shumë pozitat dhe rolin e tij të merituar, duke u bërë një faktor dhe aktor i besueshëm për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajon.

“Kombi shqiptar ka forcuar gjithnjë e më shumë pozitat dhe rolin e tij të merituar, duke u bërë një faktor dhe aktor i besueshëm për paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë në rajonin tonë. Shqipëria është anëtare e denjë e NATO-s, aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në botë, por edhe aleancës më të madhe të vlerave, të demokracisë dhe prosperitetit”.

Presidenti Begaj përcolli një mesazh mbështetjeje dhe inkurajimi për të gjithë shqiptarët duke nxitur njëherazi një përgjegjësi të shtuar për institucionet dhe klasën politike për vijimin e reformave dhe avancimin e agjendës evropiane.

“Shqipëria është partnere e besuar dhe aleate e SHBA-së, BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve të tjera mike në botë. Nëse para 110 viteve diskutohej cozpëzimi i trojeve shqiptare, sot Shqipëria si një anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, luan rol të rëndësishëm për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe për promovimin e demokracisë. Ajo është e fokusuar në objektivin strategjik të integrimit në Bashkimin Evropian, si e ardhmja më e mirë dhe rruga më e sigurtë për Shqipërinë, për gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe vetë rajonin”.

“Pavarësisht arritjeve, kemi rrugë të gjatë përpara tha Presidenti. “Por ajo që duhet të bëjmë, më së pari, është ta duam atdheun me vepra, me shërbim dhe idealizëm, ashtu si patriotët e mëdhenj, që nderojmë sot”. tha ai.

Presidenti i Shqipërisë tha gjatë fjalimit të tij se “Shqipëria e kishte detyrim fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon”.

“Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtuese dhe kombëtare.

Me ata nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e Integrimit Europian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë. “

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj tha më tej se Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës

“Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO, tha presidneti Begaj.

“Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkëudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik”, tha Presidenti shqiptar.

Pas Sheshit të Famurit, Muzeu i Pavarësië në Vlorë ishte sot vendi i pelegrinazhit të qindra shqiptaërve të ardhur nga viset shqiptare dhe diaspora.

Kryetari I Bashkisë së Vlorës Dritan Leli përcolli mesazhin e bashkimit të shqiptarëve në Ditën e Flamurit kudo ku ata janë.

“Mesazhi i paqes dhe i bashkimit është ai që dua t`ju dërgoj gjithë shqiptarëve. Dhe mbi të gjitha tu uroj të gjithëve kudo ku ndodhen, të gjithëve atyre që kanë në shpirt dhe në zemër flamurin kuq e zi, të gjithë atyre që bëjnë shqiponjën dykrenare me duar: Gëzuar, gëzuar 28 Nëntorin, 110 vjetorin e Pavarësisë”.

Qindra fëmijë të ardhur nga viset shqiptare ngrohën atmosferën e Vlorës, veshur kuq e zi dhe në ritmet e festës së pavarësisë.

(Raimod Kola, Zëri i Amerikës)