Nedim Bajrami stërvitet me Kombëtaren e Shqiptarëve pas 1-4 në Poloni dhe në prag të Hungarisë

Të shtunën kombëtarja do të zhvillojë edhe përgatitjet e fundit para ndeshjes me Hungarinë që luhet më 5 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”

Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shqipëri pas ndeshjes me Poloninë të luajtur të enjten mbrëma në stadiumin “PGE Narodowy të Varshavës. Pasi ka pushuar paradite grupi ka zbritur në fushën e kompleksit Tropikal në Durrës në orën 17:00 për seancën e radhës stërvitore.

Për rreth 1 orë lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Polonisë kanë zhvilluar stërvitje të veçuar, ndërsa pjesa tjetër ka zhvilluar stërvitje me intensitet të plotë. I pranishëm në këtë seancë ka qenë edhe Nedim Bajrami, i cili pasi mori dritën jeshile nga CAS për të luajtur me Shqipërinë, është bashkuar me kuqezinjtë dhe do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e radhës ndaj Hungarisë dhe San Marinos.

Ndërkaq, zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy futbollistët Enest Muçi dhe Mario Mitaj, pas stërvitjes me Kombëtaren A, kanë udhëtuar në mbrëmje drejt Elbasanit për t’u bashkuar me Kombëtaren U-21. Të dy lojtarët do të vihen në urdhrat e trajnerit të Shpresave, Alban Bushi për ndeshjen e eliminatoreve të Europianit për moshën U-21 ndaj Republikës çeke. Kësisoj, lista e Kombëtares A përbëhet aktualisht nga 26 lojtarë.

Të shtunën kombëtarja do të zhvillojë edhe përgatitjet e fundit para ndeshjes me Hungarinë që luhet më 5 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”. (FSHF)

Një ditë pas asaj humbjeje të rëndë 4-1 me Poloninë në Varshavë, kombëtarja kuqezi është rikthyer në bazë dhe si gjithmonë në kompleksin “Tropikal” është grumbulluar për të punuar për sfidën e dytë eliminatore.

Disfata me Poloninë duhet kaluar sa më shpejt që të mos ndikojë në ndeshjen ndaj Hungarisë teksa, grupi i lojtarëve zhvilloi stërvitjen e parë pas kthimit nga Varshava.

Trajneri Reja e theksoi në fjalën e tij pas humbjes se Shqipëria nuk ka “vdekur” dhe tani duhet të bëjë kthesën ndaj Hungarisë në “Elbasan Arena” dhe këtu do të ketë dy armë plus për t’i përdorur, shkruan Ora News.

E para është rikthimi i tifozëve, aq shumë të rëndësishëm të cilët mungojnë që para pandemisë në 2020 dhe ndihma e tyre do të duhet patjetër për të karikuar kuqezinjtë.

Arma tjetër është edhe Nedim Bajrami. U pa shumë mirë që Shqipërisë i mungon një lojtar që gjuan dhe kërkon portën dhe fantazisti 22-vjeçar është lojtari perfekt. Ai u stërvit normalisht me skuadrën dhe nuk diskutohet aspak aktivizimi i tetovarit duke parë edhe se Bare me Gjasulën janë të skualifikuar duke llogaritur edhe Hysajn këtu me kartonat që morën ndaj Polonisë.

Ushtrimet e sotme ishin të lehta dhe fizike për të mos ngarkuar lojtarët dhe grupi është i plotë ku ana fizike është shumë e mirë dhe të gjithë presim një reagim të fortë. OraNews

Comment

*