Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel

Bruksel, 29 shtator 2021 – Shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen sot në Bruksel, për të diskutuar për rrugëdaljen nga situata e krijuar në veri të Kosovës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar reciprocitetin me Serbinë për targat e automjeteve.

Fillimisht, Bislimi e Petkoviq do të takohen ndarazi me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Nga këto takime varet se a do të ketë apo jo takim takim trepalësh..

Në takim pritet të marrë pjesë edhe Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, i cili e ka marrë detyrën e të dërguarit special të Departamentit Amerikan të Shtetit për dialogun Kosovë -Serbi.

Takimi i sotëm i Bislimit dhe Petkoviqit zhvillohet në kuadsër të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. Grupe qytetarësh serbë vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët pranë vendkalimeve kufitare mes Kosovës e Serbisë, në Jarinjë dhe në Bërnjakë. Ata kanë vendosur në rrugë kamionë e mjete të tjera të rënda dhe zhavor, në shenjë proteste ndaj reciprocitetit për targat.

Njësia speciale e Policisë së Kosovës përkujdeset për sigurisë e qytetarëve e të vendkalimeve kufitare, si edhe përintegritetin e sovranitetin e Kosovës. Prej të hënës, në zonën pranë vendkalimeve dhe zonës kufitare patrullojnë edhe pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ndërkaq, në anën serbe të kufirit është rritur prania e Ushtrisë së Serbisë e cila është vënë në gjendje të gatishmërisë së lartë luftarake.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të martën se serbët në veriun e Kosovës e kanë refuzuar ofertën që forcat e KFOR-it të mbikëqyrin vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe është ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare dhe pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme. Por, edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim, këta veç e kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur, siç thoshin më herët, me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, tha ministri Sveçla.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë së vetme parlamentare të serbëve në Kosovë, konfirmuan se ekanë refuzuar ofertën e KFOR-it.

(r.m.)

Comment

*