Nesër, ndeshja miqësore Shqipëri-Gjeorgji

Në Tiranë, e mërkurë 6 shkurt, ora 19:00 lokale në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” – De Biasi merr rinorët Hysaj, Dushku dhe Telushi: Kush nuk e ndjen shqiponjën me dy krena, kot që flasim

 

Denion Ndrenika

 

Përgatitjet për ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë e vendosën Shqipërinë përballë dy pikave për të mirë e për të keq. Për të mirë, sepse tri lojtarë Elseid Hysaj, Bruno Telushi dhe Erjon Dushku veçohen si tre të ardhurit e rëndësishëm në Kombëtaren e Shqiptarëve pas pranimit të ftesës që u bëri trajneri italian Xhani de Biazi. Të tri këta janë ftuar për provë në prag të ndeshjes së 22 marsit për eliminatoret e botërorit “Brazil 2014” në Oslo me Norvegjinë.

 

Gjendja

 

Por, për të keq, sepse jashtë ekipit për shkak të një dëmtimi të rëndë është lënë mesfushori Burim Kukeli. Fati i zi e ndoqi Kukelin, i cili të dielën theu këmbën keq në ndeshjen miqësore të skuadrës së tij Cyrih (Zürich) kundër Belinconas (Bellinzona) të ligës së dytë zvicerane. Dëmtimi ishte aq i rëndë sa jo vetëm do ta lërë për një periudhë të gjatë jashtë fushave Kukelin, por detyroi gjyqtarin që ta ndërpriste miqësoren pasi për më shumë se 20 minuta ekipi mjekësor po i jepte ndihmën e parë mesufshorit tonë. Simon Grether (Grether) ndërhyri fort te 29-vjeçari Kukeli, duke ia thyer këmbën në minutën e 74-t. Kukeli u dërgua më pas në spital për t’u operuar.

Një lajm jo i mirë është për De Biazin edhe shëndeti i përkeqësuar i mbrojtësit Mërgim Mavraj që luan për Grojter Fyrt (Greuther Fürth) në Bundesligën 1 të Gjermanisë. Mavraj i komunikoi trajnerit se pas ndeshjes së fituar me Shalke 04 (Schalke 04) jashtë fushës 2-1, pati temperaturë të lartë deri në 40 gradë celsius. Pas këtij komunikimi, De Biazi thirri Bruno Telushin e Flamurtarit të Vlorës. Gjendje jo e mirë edhe për mbrojtësin Armend Dallku që nuk u thirr si dhe për Debatik Currin që ndonëse u thirr, nuk gëzon formë të mirë dhe vetëm këtë javë luajti për skuadrën e tij në Turqi, Gençlerbirligi.

“Mbrojtësi i djathtë i Vorskla Poltavës muajt e fundit e kishte shprehur pakënaqësinë e tij pasi kishte përfunduar në stol, ndërsa ka mbetur jashtë të grumbulluarve për këtë takim. Por, nuk dihet nëse kjo mos thirrje e tij ka të bëjë me këto deklarata, apo ndoshta do të ftohet në ndeshjet e ardhshme”-raportonte media në Tiranë për Dallkun. Ndërkohë, Elvis Kabashaj i Juventusit në Serinë A të Italisë, nuk iu përgjigj ftesës së Kombëtares së 21-vjeçarëve, pasi pretendon të luajë menjëherë në Kombëtaren e madhe. Trajneri De Biazi u citua të ketë se Kabashaj është mendjemadh. De Biazi nuk ftoi as Hamdi Salihin që do të largohet nga DC Junajtid në SHBA dhe të dëmtuarit Kristi Vangjeli të Cernomoretsit të Odesës në Ukrainë dhe Jahmir Hyka të Lucernës në Zvicër dhe as Edgar Çani i Katanias në Serinë A italiane.

Në kombëtare janë rikthyer Elis Bakaj i Cernomoretsit të Odesës dhe Gjergji Muzaka i Flamurtarit.

 

Trajneri

 

Në konferencën për gazetarë që dha, trajneri De Biazi, theksoi se nuk e sheh të rëndësishëm rezultatin me Gjerogjinë, i njejti kundërshtar ndaj të cilit një vit më parë nisi punën me humbjen 1-2 në Tbilisi në krye të Kombëtares së Shqiptarëve. Sipas trajnerit De Biazi, rëndësi ka që ndeshja të shërbejë për të provuar lojtarët dhe skemat taktike. “Ndeshjet miqësore shërbejnë për të bërë ndërhyrje në formacion dhe skemat e lojës, pasi këto nuk mund të bëhen në ndeshjet zyrtare. Që nga ndeshja e një viti më parë me Gjeorgjinë kemi ndryshuar shumë. Kemi një miks futbollistësh me eksperiencë me ata më të rinj. Kjo ndeshje është një mundësi për të menduar për të ardhmen”-tha ai. Trajneri italian theksoi sakaq, se nuk ka pasur ndonjë ide ndokush oër rrugën e Kombëtares në eliminatoret e botërorit brazilian, aq më tepër shpresat për të mbërritur në Brazil. “Shumë prej jush ishin në dilemë se si do të vazhdonim më tej pasi po ndryshonte grupi. Ne jemi akoma në një proces përmirësimi. Duhet të shohim në momentin aktual dhe të kuptojmë që duhet të ecim duke parë drejt të ardhmes. Skuadra që kemi është relativisht e re, me lojtarë me eksperiencë që mund të jenë shembull për të rinjtë që mund ta bëjnë më të fortë këtë skuadër. Të ndryshosh nuk është e lehtë pasi has vashtirësira. Ne kemi bërë një ndryshim thuajse total dhe kemi ecur mirë pasi në katër ndeshje nuk kemi pësuar gol. Ka takime ku mund të luajmë më mirë ose më keq. Frytet e punës meren nëse punon më shpesh. Nuk vendosim limite por do të shkojmë sa më larg të jetë e lumtur. Nuk mund të them që do shkojmë në Brazil, edhe pse kemi dëshirë por do shohim cdo ndeshje me radhë”-tha De Biazi.

Duke bërë një përshkrim të emrave të rinj në Kombëtare, De Biazi tha se disa lojtarë janë marrë për shkak të dëmtimeve të të tjerëve, ndërsa shtoi se ka një listë me 35 emra që bëjnë pjesë në një projekt, ku siç theksoi “shpesh herë thërrasim lojtarët për t’i dhënë më shumë besim”.

“Lojtarët që refuzojnë ftesën kanë dy arsye, ose menaxhohen keq nga menaxherët e tyre ose nuk e ndjejnë shumë shqiponjën me dy krena, që është simboli ynë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Mendoj se kushdo lojtar që thirret në ekipin Under-17, Under-19, Under-21 apo në kombëtaren “A” është e rëndësishme që të ndjejë fanellën, nëse nuk e ndjen atëhere ky diskutim është i kotë. Nuk kemi durim pa kufi. Me këtë vendim (të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së javën e kaluar) i kemi dhënë këtyre futbollistëve një sinjal, por i kemi thënë se ka një afat deri kur mund të presim. Mund të ketë raste të vecanta për arsyet që futbollistët mund të japin. Besoj që ky është një sinjal i fortë për çdo futbollist shqiptar”.

Ndërkohë që në këtë këndvështrim, shihet edhe rasti i Ergys Kaçes që luan me PAOK-un e Selanikut mbetet në pikëpyetje, pasi ai ka refuzuar të vendosë që tani, përpara se të pajiset me pasaportë greke vetë dhe familja. “Do të shohim se si do të përfundojë historia me Kaçen. Ai është një i ri interesant, luan me PAOK-un, një skuadër e mirë. Ai nuk ka qënë i prerë për përgjigje negative por kërkon të marë pashaportën greke, që më pas të ketë mundësinë të lëvizë në kampionate më cilësore me statusin e futbollist komunitar, pasi diçka e tillë mund t’ia lehtësojë lëvizjen në treg. Kemi thirrurr futbollistë të kampionatit që të marin më shumë eksperiencë pasi mund të shërbejë në aspektin mendor tek ta. Hysaj i Empolit është këtu sepse e meriton të thirret për shumë arsye. E para se luan tek një ekip që është në vendet e para të serisë B dhe luan me vazhdimësi, e dyta sepse ka dëshirë të luajë me kombëtaren, dhe kjo është e rëndësishme”-tha De Biazi.

 

 

 

BOX

Lojtarët që ftoi De Biazi

 

Emri                       Ekipi             Liga                Vendi           Luan

1.Samir Ujkani         Chievo           Seria A            Itali              Portier

2.Etrit Berisha         Kalmar           Allsvenska       Suedi            Portier

3.Lorik Cana            Lazio             Seria A            Itali              Mbrojtës

4.Erjon Dushku       Tirana            K.Superiore     Shqipëri        Mbrojtës

5.Debatik Curri        Genclerbirligi SüperLig         Turqi            Mbrojtës

6.Andi Lila              PAS Jannina  Super League  Greqi            Mbrojtës

7.Bruno Telushi*     Flamurtari      K.Superiore     Shqipëri        Mbrojtës

8.Renato Arapi         Skënderbeu    K.Superiore     Shqipëri        Mbrojtës

9.Elseid Hysaj          Empoli           Seria B            Itali              Mbrojtës

10.Tefik Osmani      Teuta             K.Superiore     Shqipëri        Mbrojtës

11.Alban Meha        Paderborn       Bundesliga 2   Gjermani      Mesfushor

12.Emilian Vila        PAS Jannina  Super League  Greqi            Mesfushor

13.Gjergj Muzaka     Flamurtari      K.Superiore     Shqipëri        Mesfushor

14.Ansi Agolli         Qaraback        Unibank Liqasi                    Azerbajxhan Mesfushor

15.Odise Roshi         FSV Frankfurt                       Bundesliga 2 Gjermani     Mesfushor

16.Ervin Bulku        Sepahan         Persian League                     Iran    Mesfushor

17.Erjon Vucaj         Laçi               K.Superiore     Shqipëri        Mesfushor

18.Elis Bakaj            Chernomorets Premier Liga    Ukrainë         Mesfushor

19.Armando Sadiku Lugano          Challenge Leag                    Zvicër          Sulmues

20.Armando Vajushi                      Litex Lovech   “A” Liga       Bullgari       Sulmues

21.Erjon Bodgani     Siena             Seria A            Itali              Sulmues

22.Bekim Balaj        Sparta Pragë   Gambrinus      Rep.Çeke      Sulmues

*Bruno Telushi u thirr si zëvëndësues i Mërgim Mavrajt (Sppg Greuther Furth/Bundesliga 1, Gjermani) që ishte i sëmurë.

 

Comment

*