Nesër në Kosovë fillon zbatimi i vendimeve për targat dhe për letërnjoftimet

Prishtinë, 31 korrik 2022 – Institucionet e Kosovës janë të bashkuara dhe të përkushtuara t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë.

Kështu u tha të dielën, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri Albin Kurti, ku u diskutua lidhur me vendimet e Qeverisë për zëvendësimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia me targa të Kosovës dhe për lëshimin e një dokumenti të përkohshëm të identifikimit në Kosovë të personave me dokumente identifikuese të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media, tha se zbatimi i vendimit do të fillojë të hënën, më 1 gusht, dhe ka theksuar se beson që procesi i zbatimit do të zhvillohet pa tensione, siç trumbetojnë autoritetet serbe.

“Paqja, demokracia e sundimi i ligjit nuk kanë alternativë, andaj edhe uroj besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Nuk ka kurrfarë vendi për tensione, s’ka kurrfarë mundësie për destabilizim, sepse po bëhet diçka legjitime, legale. Ata që flasin për dhunë, për bllokime, për destabilizim e për tensione flasin për vete, jo për neve”, ka thënë Kurti.

“Ne jemi republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë qysh është më së miri”, ka shtuar ai.

Kurti ka thënë se në Serbi ka shumë politikanëq e zyrtarë shtetërorë që vendimet legjitime e legale të Qeverisë së Kosovës i përdorin për t’i frikësuar serbët e Kosovës.

“Në skenën politike atje (në Serbi) ka shumë politikanë e zyrtarë që janë udhëheqës të frikës e frikësimit”, ka thënë ai.

Kurti u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës që janë pronarë të automjeteve të regjistruara në Serbi, me targa të lëshuara nga Serbia, që këto automjete t’i regjistrojnë në qendrat e regjistrimit të automjeteve në Kosovë dhe t’i pajisin me targa të Kosovës. 

“Edhe një herë i ftoj qytetarët e Kosovës që kanë targa të kohës së Millosheviqit, që t’i konvertojnë në targa legale, me akronimin e vendit tonë, RKS”, ka thënë ai.

Kurti ka shpjeguar edhe një herë se procesi i zëvendësimit të dokumenteve identifikuese të lëshuara në Serbi me document të përkohshëm identifikimi në territorin e Kosovës është praktikë që nga Serbia zbatohet qe 11 vjet.

“Ka 11 vjet që Serbia vepron njëjësoj me çdo qytetar të Kosovës, kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti i ka bërë këto deklarata pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ku është marrë edhe vendimi për zgjatjen e afatit të praktikës së mbulimit me letra ngjitëse të simboleve shtetërore serbe të targave të automjteve që hyjnë e qarkullojnë në Kosovë. Ky afat është zgjatur deri më 31 tetor të këtij viti.

Vendimi e Qeverisë së Kosovës për targat do të hyjë në fuqi nesër, më 1 gusht. Qytetarët që kanë automjete me targa me akronime të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Serbia do të mund t’i riregjistrojnë ato me targa RKS (Republika e Kosovës).

Nesër, më 1 gusht, do të hyjë në fuqi edhe vendimi I Qeverisë së Kosovës psër letërnjoftimet. Sipas këtij vendimi, të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisjen me një dokument të përkohshëm të hyrje-daljes, i cili do të zëvendësojnë dokumentet personale të identifikimit të lëshuara nga Serbia. Kjo praktikë aplikohet nga Serbia për shtetasit e Kosovës prej viitit 2011.

(r.m.)