New York: Arrestohet më në fund autori i sulmit me armë në metro

Nga Ruben Avxhiu

Pas më shumë se 24 orësh në kërkim, është arrestuar në Manhattan, i dyshuari për atentatin në metronë e New York-ut, Frank James (Frenk Xhejms).

Arrestimi ka ndodhur në kryqëzimin mes St. Marks dhe Avenunë e Parë, në New York. Dyshohet se ishte përzjerë në një përleshje me thikë.

Të paktën 23 vetë janë plagosur dhe lënduar dje gjatë një sulmi me bombë tymuese dhe revole në trenin N ndërsa i afrohej një stacioni në Brooklyn.

Numri i të vrarëve mund të kishte qenë shumë më i madh.

Për fat të mirë, revolja e tij e tipit “Glock” ngeci, duke detyruar kriminelin të ndërpresë sulmin dhe të largohet mes udhëtarëve të tmerruar.

Policia kishte dhënë një shpërblim rreth 50,000 dollarë për këdo që do të jepte informacion për vendodhjen e tij.

Frank James kishte postuar video në internet ku fliste me urrejtje raciste, paralajmëronte fillimin e një lufte racore, mes të bardhëve dhe të zinjve.

Në shënjestër të deklamimeve të tij ishin edhe kryebashkiaku i zi i New York-ut, Eric Adams, si dhe gruaja e parë e zezë në histori që u bë anëtare e Gjykatës Supreme të SHBA-së, Ketanji Brown Jackson të cilën autori i çmendur krimit e akuzon për tradhëti ngaqë është martuar me një burrë të bardhë.

Ai besonte se pas luftës në Ukrainë do të fillojë lufta mes racave.

“Është vetëm punë kohe kur këta m…q… të bardhë do të vendosin se mjaft duruam duhet t’i zhdukim këta n…”, citojnë gazetat një nga fjalimet e tij të çartura.

Viktimat e sulmit të tij të djeshëm ishin nga të gjitha racat, sipas autoriteteve, që këmbëngulën se nuk bëhej fjalë për një akt terrorist.

Sot, dikush njoftoi policinë se e kishte parë të kërkuarin në një restorant McDonalds, në East Village, (në kryqëzimin East 6th Street/First Avenue). Kur policia mbërriti, nuk e gjeti më aty, por pak më vonë e zbuluan dhe e arrestuan disa blloqe më tutje.

I dyshuari nuk e kundërshoi arrestimin.

Një djalë i ri shqiptar, që e kishte pasur ballë për ballë kur filloi sulmin e kishte parë që fliste me vete dhe kishte menduar se ishte i droguar. Ai vetë shpëtoi për një fije nga sulmi me armë, ku sipas policisë, u përdorën 33 plumba. Vetëm 10 prej tyre goditën njerëz.