NEW YORK: NDEROHET DËSHMORI I ATDHEUT SAIMIR HOXHA

VERI TALUSHLLARI

Shoqata “SKËNDERBEJ USA” në NY-NJ, që ka në anëtarësinë e vet ushtarakë shqiptarë në pension e të liruar me banim në Shtetet e Bashkuara, si dhe familjarë e miq të tyre, një nga detyrimet statutore ka nderimin e dëshmorëve të Atdheut të rënë në luftrat për liri, pavarësi e në krye të detyrës për mbrojtjen e Atdheut, të rendit publik, e në raste emergjencash e katastrofash natyrore.

Megjithëse me jetëgjatësi relativisht të re, vetëm 4 vjet, Shoqata “SKËNDERBEJ USA”, me veprimtari përkujtimore, kulturore, vizita familjare promovime librash, dhe forma të tjera, ka bërë më të mirën e mundshme në kujtim e nderim të tyre. Në Sesionin Shkencor për 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjës, një vend të veçantë zuri nderimi dhe përkujtimi i luftëtarëve, dëshmorëve dhe heronjve të Luftës së Vlorës. Pasardhës të Qemal Stafës me banim në Astoria kanë pritur vizita në Ditën e rënies, që është edhe Dita e Dëshmorëve. Një veprimtari e zgjeruar u bë vitin e kaluar në nderim të Dëshmorit të Atdheut Feti Vogli, i rënë në misionin e Ushtrisë Shqiptare si pjesë e NATO-s në Afganistan. Në të morën pjesë bashkëluftëtarë të Dëshmorit, madje dhe Aleksandër Peçi, i cili u plagos në aksionin ku ra Fetiu.

Dhe ja, këto ditë, me dhimbje e nderim të thellë, anëtarë të Shoqatës, si dhe miq e të afërm të familjes, u mblodhën në një përkujtimore për Dëshmorin e Atdheut, N/Komisar Saimir Hoxha, i rënë në krye të detyrës nga një dorë kriminale.

Motra e tij, Albana, juriste dhe anëtare e Shoqatës sonë, na mblodhi në këtë ceremoni përkujtimore për ta nderuar dhe përulur para veprës së tij, për të shprehur dhimbjen dhe për t’u solidarizuar me familjen dhe dy djemtë endè të vegjël të Saimirit, që, siç tha halla e tyre, rrinë me sytë nga dera, dhe nuk kuptojne pse nuk po vjen babi. Presidenti i Shoqatës,

Kapiten i Rangut të Parë (R), Bujar Hasani, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin e të gjithë anëtarëve të Shoqatës, vuri në dukje rrezikun që bart profesioni i ushtarakut dhe punonjësit të rendit, përmendi mëse 300 ushtarakë e policë të rënë në krye të detyrës këto vitet e fundit, në misione paqeruajtëse, shërbime emergjence, katastrofa natyrore dhe në luftë me krimin. Ky ishte dhe rasti i Saimirit, kur një dorë krimineli, me gjakftohtësi ktheu në tragjedi një kontroll rutinë trafiku, duke prerë në mes një jetë të re, duke shkaktuar një dhimbje pa kufi tek prindërit, bashkëshortja, motrat, duke bërë të rriten jetimë dy fëmijë të pafajshëm.

Edhe folës të tjerë, Preka, Përparimi, Flutura, Mërkuri, Gëzimi, shprehën dhimbjen duke i dhënë kurajo e ngushëlluar Albanën dhe familjarët e saj.

Në emër të Shoqatës “SKËNDERBEJ USA” , Zv. Presidentja Nadire Xhakolli i dorëzoi Albanës një ndihmë financiare për familjen e Dëshmorit të Atdheut Saimir Hoxha.

Autori i këtij shkrimi recitoi një poezi të shkrojtur në momentet e dhënies së lajmit, nga poeti ushtarak beratas Rushan Dosti.

Mes lotëve, motra e Dëshmorit të Atdheut Saimir Hoxha, Albana, në emër të familjes falenderoi miqtë dhe anëtarësine e Shoqatës “SKËNDERBEJ USA” për ngushëllimet dhe përkrahjen, për anën njerëzore të kësaj veprimtarie, për nderimin e vëllait të saj. I paharruar kujtimi i Dëshmorit të Atdheut Saimir Hoxha!

NY, 23.11.2021.