Nga 30 ditë paraburgim të arrestuarve në rastin “Brezovica”

Prishtinë, 23 dhjetor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin ‘Brezovica’. Në mesin e tyre është edhe Bratisllav Nikolliq, ish – kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.

“Kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dhjetë të dyshuarve, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç”, thuhet në njoftim.

Në kërkesën për vendosjen e masës së paraburgimit thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Nikolliq, nga viti 2014 deri në tetor të vitit 2018 ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, përkatësisht në zonën e dytë dhe të tretë në Brezovicë.

Prokuroria dyshon se Nikolliq ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”.

Nikolliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.

Brezovica ndodhet në Komunën e Shtërpcës dhe është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri”. Është e njohur për qendrën e skijimit, e cila është vetëm 9 kilometra larg qendrës së Brezovicës.

Parku Kombëtar “Sharri” shtrihet përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut, në 39,000 hektarë tokë, prej të cilave, 39 për qind janë në Komunën e Shtërpcës.

Sipas Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri” ekzistojnë regjimet mbrojtëse, të ndara sipas zonave: e parë, e dytë, e tretë dhe zona e ndikimit. Ndërtimi nuk është i lejuar në zonën e parë dhe të dytë, ku përfshihen pjesët e parkut me veçori natyrore të jashtëzakonshme, të karakterizuara me ekosisteme e vlera tjera të natyrës. Ndërtimi lejohet në zonën e tretë të parkut, në harmoni me ligjin.

(REL)