Nga “Papa i Zi” te “Papa i Kuq”

Jezu Krishti, Karl Marksi dhe disa konservatorë amerikanë – mëshira kristiane, kuptimi dhe ndikimi i saj në botën e politikës

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Përpara se të zgjidhej Papa Francis I, pati kaq shumë debate se kishte ardhur koha për një papë nga Afrika, një “Papë të zi”. Sigurisht në atë kohë nuk na e priste mendja se në fakt po zgjidhej një “Papë i kuq”. Të paktën kështu po del nga disa përçartje kritike të kohëve të fundit.
Papa modest që po lan këmbët e të varfërve, të të sëmurëve dhe të burgosurve, mund të frymëzojë mesa duket edhe spastrimin e xhepave të pasanikëve të botës për të krijuar një lloj parajse sociale e ekonomike këtu në tokë. Të paktën kështu ia kanë interpretuar disa shtjellime të tij të fundit filozofiko-fetare.
Në fakt, sipas disa konservatorëve të çakërdisur në SHBA shumëkush mund të cilësohet komunist qoftë ky një president që ka si “bibël” rezultatet e anketimeve popullore (Bill Clinton) apo një president tjetër që jo vetëm që nuk e shtetëzoi sistemin e sigurisë shëndetësore në SHBA, por nuk guxoi as të krijonte një opsion publik ku njerëzit të mund të siguroheshin në shtet nëse nuk u pëlqenin kompanitë private (Barack Obama).
Megjithë alarmin e zbarkimit të socializmit në SHBA, reforma e re shëndetësore vetëm sa do të trashë edhe më shumë xhepat e kompanive më antihumane të kapitalizmit amerikan, ato të sigurimit shëndetësor.
Për kalorësit e çartur të konservatorizmit amerikan që po përçajnë në mënyrë fatale Partinë Republikane dhe votuesit e saj edhe CNN ishte “Communist News Network” kurse e gjithë elita hebreje e New York-ut ishte e shitur te komunizmi sovietik.
Tani në fund, komunist ka dalë edhe Papa i Romës, Ati i Shenjtë i Kishës katolike, për shkak të një traktati filozofik që dënon materializmin në botë dhe qendrimin injorues ndaj varfërisë.
Por këtu nuk ka vërtet ndonjë gjë të re. Vija paralele mes krishtërimit dhe marksizmit janë hequr shpesh herë në histori e në filozofi, dhe jo rrallë përfundimet e arritura kanë qenë të cekëta dhe të gabuara. Krahasimi ka qenë gjithësesi legjitim.
Kritikët e Papa Francis I janë njerëz me Bibël në dorë, por që rrallë e lexojnë sinqerisht atë.
Nëse e lexon fjalë për fjalë, Jezu Krishti nuk ka si të paraqitet ndryshe veçse si një paraardhës i të majtës ideologjike. Një pasaniku që i afrohet për ta ndjekur në rrugën e tij, ai i thotë se më lehtë kalon gamilja nëpër vrimën e gjilpërës sesa i i pasuri në derën e Parajsës.
“Shko dhe fale gjithshka që ke, përveçse rrobave të trupit, e atëhere mund të vish pas meje”, i thotë me fjalë të tjera Jezusi atij.
Ky lloj trajtimi i varfërisë si virtyt, i përbuzjes ndaj pronës dhe pasurisë si shenja të dobësisë morale janë harruar dhe nënvleftësuar qëllimisht me kalimin e shekujve si nga kishat e të gjitha sekteve e versioneve të Krishtërimit (me përjashtim të ndonjë nisme të rrallë si ajo e françeskanëve që adhuron Papa Francis I apo e Urdhërit të Motrave të Nënë Terezës).
Mirëpo, bashkë me kohën ka evoluar edhe mënyra sesi lexohet Bibla. Në vend të leximit fjalë për fjalë, më shumë vëmendje i është kushtuar leximit simbolik të saj. Një debat të ngjashëm mbi mënyrën sesi lexohen shkrimet e shenjta ka pak a shumë në çdo fe, sidomos në botën myslimane.
Po ka një dallim themelor mes revoltës së Jezu Krishtit kundër mitit të pasurisë si virtyt dhe qëllim dhe revoltës marksiste. Krishti kërkonte braktisjen e pasurisë si një akt spastrimi. Ai nuk imagjinonte një shtet të të gjithëve. As nuk ofroi ndonjë shtet fare. Në një tjetër dialog të famshëm, ai refuzon të mbështesë revoltën kundër pagimit të taksave.
Kur dikush e pyet nëse duhet të paguajnë taksa, ai kërkon të shohë monedhat që i paguhen taksadarit.
“Kush është ky në monedhë?” pyet ai dhe kur merr vesh se në monedhë është Çezari, perandori i Romës, ai thotë që t’i jepet Çezarit ajo çfarë i takon Çezarit.
Kjo mund të interpretohet më shumë si një qendrim i ideologjisë së majtë, ku paraja i lihet shtetit, ku taksimi është një detyrim, të cilën kristiani nuk duhet ta kundërshtojë. Paranë e shtyp shteti dhe atij i përket.
Në thelb, jo vetëm Papa Francis I, po çdo prift e besimtar i krishterë duhet të tingëllojë si i majtë kur flet për këto tema. Më shumë se një marksist, Papa Francis I ngjan një… i krishterë.
Por dallimi i hollë (dhe atyre që nxisin urrejtje në mikrofona nuk para u pëlqen të kujdesen për dallimet e holla), është se krishtërimi ndryshe nga majtizmi nuk propagandon një regjim të ri politik e as nuk angazhohet në rrëmbimin e pasurisë dhe rishpërndarjen e saj. Sipas të gjitha gjasave, Krishti ia lë taksat shtetit se nuk sheh ndonjë dallim nga shteti dhe pasuria. Janë të gjitha pjesë e një bote materiale për të cilën njerëzit e besimit nuk kanë interes.
Ndryshe nga Krishti dhe nga Papa Francis I, Marksi nuk ishte indiferent ndaj parasë. Ai e donte atë. Ai nuk mendonte se ndarja ishte një akt moral që duhet ta ndërmerrnin me ndërgjegjen e tyre njerëzit e pasur se përndryshe i priste ferri. Marksi besonte se marrja në duar e mjeteve të prodhimit ishte një detyrë dhe një destinacion i atyre që shfrytëzoheshin në shoqëri. Marksi do të kishte urdhëruar rrëzimin e Cezarit. Pasanikut nuk do t’i kërkonte që të falte pasurinë. Do të institucionalizonte sekuestrimin e saj.
Krishtërimi urrehet nga e majta për arsyen e thjeshtë se frymëzon apati politike te të varfërit duke premtuar shpërblim për varfërinë në botën tjetër. Për marksistët feja është opiumi i popujve.
Përtej betejës së ideve, në jetën praktike, aty ku komunizmi mbizotëroi dhe u kthye nga teori në praktikë, Kisha Katolike ishte armiku më i madh i tij. Aty ku komunizmi nuk mbizotëroi, krishtërimi ofroi edhe bazën ideologjike për partitë që kundërshtonin retorikën e majtë.
Krishtërimi transformoi të djathtën dhe konservatorizmin duke e bërë të aftë të përballet me alternativën komuniste e pastaj socialiste. Versioni demokristian i kapitalizmit të dhembshur apo të mëshirshëm ka ndihmuar më shumë se tankset e armët bërthamore, për të ndalur përparimin e një ideologjie shtetëzuese në Perëndim.
Zgjedhja e kryepeshkopit Vojtila si Papë në fund të viteve 70 ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ringjalljen e revoltës dhe pastaj rrëzimin e komunizmit në Europën Lindore. Po ky rrëzim nuk do të kishte ndodhur pa komponentin e dallimit ekonomik mes Lindjes dhe Perëndimit. A do të kishte mundur Papa Gjon Pali II të realizonte atë efekt shpirtëror e moral në Poloni e tjetërkund, nëse Lindja do të kishte qenë më e pasur se Perëndimi?
Sigurisht, këtë rol të Papa Gjon Palit të Dytë dhe Kishës Katolike nuk mund ta luanin kishat nacionaliste ortodokse, shumë prej të cilave ishin mbushur me njerëz të futur nga regjimi komunist e as rrymat e ndryshme protestane që e shohin njeriun e pasuruar si njeri të virtytshëm që ka përmbushur destinacionin e tij për të shkëlqyer në shoqëri. Kisha Katolike për njeriun që i sheh gjërat pa i stërholluar do të duket gjithnjë “e majtë”. Kritikët konservatorë, si Rush Limbaugh në SHBA, vetëm tani kanë filluar ta vënë re këtë, sepse ata udhëhiqen nga çfarë i ushqen media tabloidiane e ditëve tona.
Historia tregon se gjuha e ndryshme e Kishës Katolike nga ajo e konservatorëve anti-shtet që e shohin varfërinë si një produkt të pashmangshëm në mos të nevojshëm të ekonomisë së tregut është diçka që në fakt e minon marksizmin. Përkundrazi, nëse Kisha Katolike fillon të promovojë konservatorizëm në ekonomi, ajo do të linte fushën e lirë për spekullimin majtist të të gjitha ngjyrave.
Nëse ka dikush që mund të promovojë marksizmin në SHBA e në botë janë njerëzit si Rush Limbaugh, njeriu që të bën të kthehesh në liberal sa herë që e dëgjon e që nuk ndalet së gjeturi “armiq” në Partinë Republikane që nuk janë konservatorë sa duhet sipas metrit të tij të rrudhosur e mendjes së tij të sëmurë.
Papa Francis I nuk është marksist, por injorimi i njerëzve që nuk kanë me çfarë e si të mbijetojnë, në mungesë të ushqimit dhe kujdesit shëndetësor, është ajo çfarë do të sjellë thirrjet për ndryshime sistemike, për marksizëm, apo forma të tjera të transformimit drastik të shoqërisë.