Ngrihen akuza ndaj të dyshuarit për publikimin e dokumenteve sekrete

Boston, 15 prill 2023 – Jack Teixeira doli para një gjykatësi federal të premten në Boston. Pjestari i Gardës Kombëtare Ajrore, i akuzuar për rrjedhje në internet të të dhënave tepër sekrete të zbulimit ushtarak, u padit për marrje të paligjshme dhe publikim të dokumenteve të klasifikuara.

Byroja Federale e Hetimeve e arrestoi atë të enjten në Masaçusets ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Gerland theksoi rëndësinë e ruajtjes së sigurisë kombëtare.

“Nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e dokumenteve në shtëpi, që është e paligjshme. Por ka të bëjë me mbajtjen e paligjshme dhe publikimin e dokumenteve. Individët që nënshkruajnë para se të kenë qasje tek dokumente të tilla, e pranojnë rëndësinë që ka ruajtja e sekreteve për sigurinë kombëtare. Synojmë të dërgojmë mesazhin se sa e rëndësishme është kjo për ruajtjen e sigurisë kombëtare”.

Ekspertë të zbulimit thonë se rrjedhja e sekreteve mund të ketë shkaktuar dëme në shkallë të gjerë për Ukrainën, duke zbuluar elementë të planeve luftarake të vendit të sulmuar nga Rusia. Ekspertët thonë se dalja e sekreteve mund të vërë në rrezik burimet dhe metodat e mbledhjes së të dhënave të zbulimit dhe dëmton marrëdhëniet me aleatët.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Doug Patteson, një ish-oficer i CIA-s dhe profesor i studimeve të sigurisë në Universitetin “New Hampshire”.

“Ukrainasit janë të shqetësuar lidhur me analizat që përmbajnë dokumentet e rrjedhura në internet mbi kapcitetet në fushëbetjë. Ata do të tregohen shumë më të kujdesshëm lidhur me të dhënat që ndajnë me ne dhe planet e tyre”.

Analistët thonë se duket se zoti Teixeira ishte në gjendje të hiqte fizikisht dokumentet nga pajisjet tejet të sofistikuara të komunikimit dhe ti fotografonte ato. Analistët e zbulimit thonë se qeveria duhet të marrë masa më të rrepta që kjo të mos ndodhë përsëri.

“Fakti që ai mundi t’i nxirrte këto dokumente nga pajisjet e sofisitikuara dhe t’i merrete në shtëpi, mund të kërkojë që individët të kontrollohen kur dalin nga zyra të tilla”, thotë Kenneth Gray i cili më parë ka punuar për Byronë Federale të Hetimeve.

Doug Patterson ka qënë punonjës i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA.

“Si dhe pse i printoi; si i nxori nga objekti? Duket se i kishte në xhep. Çfarë mekanizmash mund të futen në punë për t’u siguruar që kjo të mos ndodh në të ardhmen?”

Detyra e të dyshuarit Teixeira ishte të ndihmonte në grumbullimin e të dhënave të zbulimit për raporte të ndryshme. Nëse gjendet fajtor, ai mund të dënohet deri me 15 vjet burg.

(Zëri i Amerikës)