Ngrihet aktakuzë ndaj 21 të pandehurve të rastit “Subvencionet 1”

Prishtinë, 22 shkurt 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër 21 të pandehurve në rastin e njohur si “Subvencionet I”.

Përmes një komunikate për medie PSRK njofton se 21 të pandehurit akuzohen për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 KPRK-së,  ‘’Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421 KPRK-së, ‘’Mashtrim në detyrë’’ nga neni 419 të KPRK-së, ‘’Dhënia e ryshfetit’’ nga neni  422 i KPRK-së, ‘’Mashtrim me subvencione’’ nga neni 324 të  KPRK-së dhe ‘’Falsifikim i dokumenteve’’ nga neni 390 të KPRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Aktakuza është ngritur kundër 11 të pandehurve si persona zyrtar me inicialet  L.S; S.SH; B.N; H.M; K.Z; H.D; A.B; J.S; L.H; M.N; A.A; S.K. dhe kundër 10 të pandehurve si përfitues të subvencioneve me inicialet  S.S; B.K; F.M; D.M; F.Z; D.K; K.B; A.A; F.N”, njofton PSRK.

Tutje thuhet se të pandehurit me rastin e kryerjes së veprave penale, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë 646 mijë e 250 euro, ndërsa vlera e ryshfetit (korrupsionit) që kanë përfituar personat zyrtarë është 316 mijë e 650 euro.

“Prokuroria Speciale ka propozuar që të konfiskohet dobia pasurore nga të pandehurit e fituar me kryerjen e veprave penale, e cila kap vlerën e të hollave rreth 500 mijë euro, si dhe të disa veturave.

(Betimi për Drejtësi)