Ngrihet aktakuzë ndaj drejtuesit të autobusit të aksidentuar në Kroaci

Slavonski Brod (Kroaci), 19 janar 2022 – Prokuroria në Sllavonski Brod të Kroacisë ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Kosovës lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi vitin e kaluar në autostradën A3, në  Kroaci, ku e humbën jetën 10 mërgimtarë nga Kosova, raporton Index.hr.

Shoferi 52 vjeçar akuzohet se më 25 korrik të vitit të kaluar, rreth orës 6:15 të mëngjesit, ka shkaktuar aksident nga pakujdesia. Sipas aktakuzës, shoferi, derisa ishte duke e drejtuar autobusin e markës “Setra” me targa të Kosovës, e kishte kthyer kokën prapa, për të parë se çfarë po ndodhte brenda në autobus ku ishte dëgjuar një zhurmë, kështu që nuk e kishte përcjellë situatën në trafikdhe nuk e kishte vërejtur se autobusi kishte dalë në korsinë për ndalesa emergjente, ku e kishte një tabelë rrugore. Me këtë rast shoferi kishte bërë një lëvizje majtas dhe kishte frenuar, gjë që ka çuar në rrëshqitjen dhe rrokullisjen e autobusit jashtë rrugës.

Në aksidentin që ndodhi më 25 korrik të vitit të kaluar, në autostradën A3, afër Sllavonski Brodit, në Kroaci, e kanë humbur jetën 10 udhëtarë dhe janë lënduar 44 të tjerë. Udhëtarët ishin mërgimtarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*