Nikolla: Shqipëria do të lobojë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Tiranë, 21 maj 2022 – Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE) është pritur në Tiranë nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në një komunikatë për medie njoftohet se në takim është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit midis dy kuvendeve dhe delegacioneve të tyre në Asamblenë Parlamentare të KE-së, pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KE.

Kryesuesja e delegacionit të Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e ka vlerësuar lart rolin e Shqipërisë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës si edhe mbështetjen e saj në procesin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KE.

Ajo e ka vlerësuar kontributin e kryeparlamentares Nikolla dhe delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të KE.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, nga ana e saj, ka shprehur përkushtimin e Kuvendit të Shqipërisë që te parlamentet e vendeve anëtare të KE-së të lobojë për mbështetjen e kërkesës së Kosovës për pranim në këtë organizatë.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës është takuar edhe me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të KE-së, të kryesuar nga Blerina Gjylameti, kryesuese e delegacionit, dhe me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Armand Skapi dhe drejtorin e përgjithshëm, Sokol Dedja.

Në këto takime, të cilat janë përshkruar si takime të ngrohta e miqësore, është diskutuar po për mbështetjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim ne KE, si  edhe për zgjerimin e bashkëpunimit midis parlamenteve dhe institucioneve tjera shtetërore të të dy vendeve.

(r.m.)