Nis largimi i barrikadave nga rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak

Prishtinë, 2 tetor 2021 – Të shtunën në mëngjes forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe në Bërnjak.

Vendosja e forcave të NATO-s vendosen në këto dy vendkalime ka për qëllim zbatimin e marrëveshjes për shtendosjen e situatës në pjesën veriore të Kosovës, të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Në një komunikatë të KFOR-it thuhet se pjesëtarët e këtij misioni do të qëndrojnë dy javë në këtë zonë.

“Duke filluar nga kjo fundjavë, për dy javë rresht, KFOR-i do të qëndrojë përkohësisht në këtë zonë, në pajtim me marrëveshjen e përmendur dhe në përputhje me mandatin që buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Pas vendosjes së pjesëtarëve të KFOR-it nisi largimi i kamionëve dhe automjeteve tjera të rënda nga rrugët afër këtyre dy vendkalimeve kufitare.

Sipas marrëveshjes, edhe pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga dy vendkalimet kufitare njëkohësisht me heqjen e barrikadave dhe zhbllokimin e rrugëve.

Sipas raportimeve të medies nga terreni, njësitë speciale të policisë së Kosovës do të qëndrojnë atje deri në orën 16:00, kur përfundon afati për heqjen e bllokadave dhe për tërheqjen e saj.

Tensionet në zonën kufitare në veri të Kosovës filluan më 20 shtator. Serbët lokal dhe Beogradi reaguan me zemërim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar reciprocitetin në përdorimin e targave të automjeteve.

Më 20 shtator Qeveria e Kosovës vendosi që automjetet me targat të Serbisë që hyjnë në Kosovë të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër vepronte Serbia me automjetet me targat të Kosovës për më shumë se dhjetë vjet me radhë.

(r.m.)

Comment

*