Nis me debate për rregulloren dhe rendin e ditës mbledhja e Komisionit Hetimor për 25 prillin

Mbledhja e radhës së Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, ku po diskutohet mbi miratimin në parim të rregullores, ka nisur me debate për miratimin e kësaj rregulloreje.

Në fillimin e saj, zv/kreytari i këtij Komisioni, Toni Gogu, kërkoi që të miratohet në parim rregullorja dhe të votohet rendi i ditës.

Por deputeti i PD-së Gazment Bardhi thotë se nuk votohet rendi i ditës në komision. Nga ana tjetër kreu i Komisionit Enkelejd Alibeaj, ka prezantuar rendin e ditës së sotme, ndërsa u shpreh se ky takim është vazhdim i ezaurimit të mbledhjes së parë, për të diskutuar për shqyrtimin e miratimit të rregullores si edhe zgjedhja e sekretarit.

Pjesë nga diskutimi

Gogu: Jemi dakord që vazhdojmë me shqyrtimin e rregullores, propozojmë që diskutimi i rregullores të vijojë me miratimin në parim të rregullores dhe pastaj me miratimin nen për nen të saj. Rendi i ditës të votohet.

Bardhi: Nuk votohet rendi i ditës në Komision, miratimi i rregullores janë çështje që duhet të ishin zgjedhur më parë.

Bylykbashi: Një kërkesë e tillë është pa vend, aq më tepër edhe përcaktimi i mbledhjes së komisionit, të ecim para.

Bushka: Nuk po bëjmë një kërkesë për të hedhur në votim rendin e ditës, por duke qenë se këtu nuk është respektuar këshillimi mes kryetarit dhe nënkryetarit, për ta vënë në shina në përputhje me rregulloren ligjore. Për ne nuk ka problem.

Alibeaj: Rendi i ditës është vazhdim i ezaurimit të mbledhjes së parë. Rendi i ditës kishte 7 pika, nga të cilat kemi ezauruar 4 të parat dhe kanë mbetur edhe 3 të fundit.

Naço: Nuk keni vetëm ju te drejtë të miratoni rendin e ditës.

Salianji: Që të kuptohet kërkesa proceduriale, ishte kjo. Duke qenë se ne nuk kemi dakordësi siç u votua apo siç e kërkuam në mbledhjen e parë do të diskutojmë dhe do të hedhim në votim draft-rregulloren e propozuar nga kryetari i komisionit, sepse nuk ka një rregullore tjetër dhe nuk ka një dakordësi tjetër. Këtu është e gjithë kërkesa proceduriale për të vazhduar më tej. Nuk mundëm që ne të pranojmë kufizimin e të drejtave që janë dhënë me ligj. Nuk mund të kufizohet e dreja e opozitës, por edhe e publikut në këtë rast për një çështje kaq të rëndësishme. Ta shtyjmë dhe ta shtyjmë komisionin pa afat.

Gogu: Në cilësinë e zv/kryetarit dhe në zbatim të ligjit të komisioneve hetimore, i cili thotë që ne e drejtojmë së bashku këtë komision, unë dhe ti, detyrohem për shkak se vazhdoni të uzurponi të drejtën e komisionit për të vendosur rendin e ditës dhe ecurinë e kësaj mbledhje në mënyrë të njëanshme. Po shpërndani kohën në mënyrë të tillë, që ne kemi humbur gati 30 minuta nga propozimi i bërë. Zv/kryetari i këtij komisioni, anëtar i grupit socialist në këtë komision kërkon për të hedhur në votim rregulloren. Duam një orë e më parë t’i hapim rrugë hetimit. Është e qartë dukshëm, që ju doni të mbani diskutime të gjata dhe nuk e kuptoj se pse. Kemi propozuar të hidhet rregullorja në votim. Ju vazhdoni të mos hidhni në votim propozimet tona. Ju vazhdoni të vendosni vetë. Ligji thotë se mbledhjen e parë e vendosim bashkë dhe ju përsëri nuk e bëni këtë gjë. Gjatë mbledhjes në mënyrë flagrante shpërndani kohën dukshëm. Z.Naço i përgjigjet drejtpërsëdrejti pyetjes tuaj në lidhje me dakordësinë, ndërsa z.Salianji luan rolin e rregullatorit të rregullores që paskeni propozuar ju dhe e cila në një rend dite të padokumentuar paska qenë edhe dokumenti kryesor. Kryetar ju ftoj pa humbur kohë të zbatoni ligjin dhe të hidhni në votim propozimin për miratimin të rregullores dhe qytetarët po presin hetimin e zgjedhjeve që juve po i bëni pis pa nisur hetimi.

Alibeaj: Ne kemi të gjithë vullnetin dhe do ta bëjmë hetimin e zgjedhjeve, pasi jemi ne kërkuesit. Kjo nuk do të thotë që ne mos të respektojmë rregulloren e Kuvendit, për mënyrën se si zhvillohet mbledhja. Sa herë që do të kërkohet fjala nga secili deputet, do ta marrë atë dhe është e drejta e përgjegjësia e tij për ato që do të thotë. S’kam ndërmend t’i heq apo t’i kufizoj të drejtën e fjalës askujt. Rregullorja nuk ma jep këtë të drejtë.

Bardhi: Së pari mos të vazhdojmë më këtë historinë e rendit të ditës se është e qartë e gjithë gjëja. Po e përsëris edhe njëherë në seancë plenare miratohet me urdhër të kryetarit të Kuvendit. Nxjerr urdhër kryetari i Kuvendit për përcaktimin e rendit të ditës të seancës plenare. Sikundër në fund të çdo mbledhje pa pyetur askënd, kryetari i Kuvendit njofton seancën pasardhëse. Rendi i ditës është përcaktuar nga kryetari dhe secili prej ka të drejtën t’i kujtojë kryetarit të fusë një çështje në rend dite. Kjo është për kërkesën e parë. Për kërkesën e dytë kemi përcaktuar dy relator. Z.Naço dhe z.Salianji. A kemi ne të drejtë të informohemi si anëtarë të komisionit se çfarë produkti të përbashkët na kanë sjellë dy anëtarët. Unë e kuptoj ku e keni merakun, pasi kryetari i këtij komisioni ka parashikuar për të thirrur kryetarin e partisë tuaj, kryeministrin Edi Rama. Ai do të thirret pavarësisht dëshirës tuaj, doni apo s’doni ju, kjo gjë nuk i nënshtrohet votimit sepse kështu thotë ligji.

Bylykbashi: Së pari ky nuk është komision bipartizan. Nuk është. Komisionet bipartizane janë të qarta dhe janë përdorur për reformën zgjedhore dhe ky nuk është i tillë. Ky drejtohet nga ajo forcë që ka kërkuar hetimin parlamentar. Për ne është kryetar z.Alibeaj dhe ai e përcakton mbarëvajtjen e mbledhjes. Në vitin 2002 ky ligj është hartuar për të rregulluar hetimin e zgjedhjeve të vitit 2001. Ky ligj është bërë për atë nuk kishte ligj deri në atë kohë. Kur opozita kërkoi hetimin e zgjedhjeve, ju nxituat dhe bëtë këtë ligj. Ishit mazhorancë. Deshët të bënit diçka shumë më bllokuese, por Komisioni i Venecias nuk iu la. Nëse ka një arritje të ky ligj me gjithë përpjekjet për të bllokuar është fakti se provat kur kërkohen të merren nga anëtarët, nuk merren me votim. Kërkohen dhe merren. Ky ka qenë çelësi i suksesit për aq sa gjithë përpjekjet më pas janë bërë për t’i mbytur komisionet hetimore. Ky ligj është bërë në mënyrë të posaçme për të hetuar zgjedhjet. Praktika që vendosi ky ligj për marrjen e provave për hetimin e zgjedhjeve pa u penguar sot, duke u nisur nga ky ligj, është konsoliduar duke u nisur për hetimin administrativ të zgjedhjeve në Komisionin Qndror të Zgjedhjeve. Është kjo praktikë, pasi garanton maksimumin e transparencës. Më pas le të dalë mazhoranca dhe të thotë se ne nuk e njohim vjedhjen e zgjedhjeve, pasi ne i vodhëm dhe nuk quhemi hajdutë. Nëse do arrijmë te ky konkluzion. Por provën nuk ia merrni dot askujt, sepse ne do ta kërkojmë dhe ajo do të merret.

Ndërhyn deputeti Petro Koçi…

Bylykbashi: Të lutem z.Koçi, merre fjalën pas meje. Nuk të ndërpreva. Më le ta mbaroj. Ka jurisprodencë të Gjykatës Kushtetuese. Ka përcaktuar qartë përkundër tentativave tuaja në legjislaturën 2013-2017 për të bllokuar komisionet hetimore që i ka dhënë në mënyrë fare të qartë të drejtën pakicës që të ngrejë komisione hetimore. Ligji për aq sa mundet nuk lejon vendosje pengesash. Ju po kërkoni që me rregullore të ndryshoni ligjin. Kjo është absurde por e papranueshme. E thashë edhe njëherë. Është praktikë e konsoliduar për hetimin e zgjedhjeve. Por jo vetëm kaq. Për shkak të praktikave të tuaja për të bllokuar komisionet hetimore gjatë këtyre viteve ka një marrëveshje të dhjetorit të 2014, ka qenë edhe z.Vasili, e kemi bashkëfirmosur atë marrëveshje pikërisht për të mos penguar ngritjen e komisioneve hetimore. Por përpjekja juaj është sot për të bllokuar, tani merrni të gjitha rregulloret dhe ju do të shihni ato që kërkoni ju, nuk ekzistojnë në asnjë prej tyre. Si atëherë kur kemi qenë ne në mazhorancë dhe si atëherë kur keni qenë ju në mazhorancë. Pse? Se jo vetëm qëllimi, por edhe ligji nuk e lejon këtë që ju kërkoni.

Vasili: Këtu pretendohet për të mos bërë politikë, në fakt bëhet politikë. U pretendua për bashkëdrejtim të komisionit. Ligji thotë se nuk ka bashkëdrejtim të komisionit. Neni 12 thotë qartë dhe prerë. Mbledhjet thirren dhe drejtohen nga kryetari i komisionit. Vetëm mbledhja e parë thirret me bashkëdakordësinë e kryetarit dhe zv/kryetarit. Këto ka përcaktuar ligji. Nëse duan të bëjnë interpretime të tjera, le të mblidhen, shumicë kanë dhe të ndërtojnë një ligj të komisioneve hetimore nga e para, por ajo do të jetë një kohë tjetër. Por ky që kemi këtë thotë. Ecim më tutje. Çfarë thotë Neni 13. Këtë idenë e përdorimit të mazhorancës e ka vrarë. Me logjikën që t’i japë hapësirë hetimit, t’i japë mundësi hetimit që edhe kur opozita e kërkon t’i mundësohet pa asnjë kufizim roli kontrollues. Unë e di që roli kontrollues bezdis, nuk pëlqehet dhe nuk e duan. Por ligji ka qenë më mendjehapur dhe e ka bërë. Ndërsa për vendimet e ka thënë në mënyrë të prerë, Neni 13, pika 2. Fjalia e fundit. Vendimet përfundimtare merren me shumicën e të gjithë anëtarëve. Pra këtë dënglën, hajt ta votojmë sa më parë se jemi tetë dhe e mundim shtatën, e ka vrarë ligji. Këto vendime thotë merren me shumicën e të gjithë votave të anëtarëve. E fundit, për të vrarë këtë punë, nëse do t’i referohemi këtij ligji. Pika 4 e Nenit 13 thotë: Kërkesa për hetime ose për marrje provash nga çdo anëtar i komisionit, pranohet nga ky i fundit pa votim. Këtu çështja mbaron.

Top Channel