Nis punimet “Kuvendi për Rithemelimin e Partisë Demokratike” (LIVE)

LIVE

Tiranë, 11 dhjetor 2021 – Në Stadiumin “Air Albania”në Tiranë po zhvillon punimet Kuvendi i Partisë Demokratike, i thirrur nga mbështetësit e kryetarit të parë të partisë, ish-Presidentit dhe ish-Kryemninistrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Në këtë kuvend, i cili është pagëzuar “Kuvendi për Rithemelimin e Partisë Demokratike”, sipas organizatorëve, po marrin pjesë më shumë se gjysma e përbërjes së plotë të Kuvendit të PD-së, kuorum  ky i mjaftueshëm për marrjen e vendimeve fuqiplotë sipas statutit të partisë.

Sipas paralajmërimeve të rrethit të ngushtë të organizatorëve, në këtë tubim pritet edhe shkarkimi i kryetarit statutar të PD-së, Lulzim Basha, i cili e ka kundërshtuar mbajtjen e kuvendit, me arsyetim se ai nuk e ka mbështetjen e nevojshme statutare.

Punimet e Kuvendit i hapi Edi Paloka, nënryetar i PD-së, ndërsa me drejtimin e punimeve u ngarkua një komision i zgjedhur, me këtë përbërje: Ervin Minarolli, sekretar organizativ i PD, Ivi Kaso, sekretar zgjedhor i PD, Edmond Spaho, ish-nënkryetar i PD, dhe Belind Kellici, kryetar i Forumit Rinor  të PD, drejtues i Komisionit. Anëtarë të sekretariatit u zgjodhën: Minushe Nazaj, Nade Daullja dhe Ledio Nuraj.

“Kuvendi për Rithemelimin e Partisë Demokratike” mbahet pas debatit disamujor me anëtarësinë e partisë nëpër bashkitë kryesore të Shqipërisë, të pagëzuara si “Foltore” të PD-së. Një debat virtual u  zhvillua edhe me mbështetës të Partisë Demokratike dhe të zotit Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zoti Berisha nisi serinë e takimeve me bazën e partisë pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili e mori përsipër përjashtimin, ka thënë se me këtë vendim e mori për të shmangur bllokadën e PD-së nga administrate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sali Berisha është shpallur person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit si politikan i përfshirë në korrupsion dhe si pengues i demokracisë në Shqipëri.

Berisha i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet, duke I  cilësuar ato si etiketa të sajuara nga Kryeministri Edi Rama dhe nga organizatat dhe mediet e mbështetura nga Xhorxh Soros.

(r.m.)

One Response to “Nis punimet “Kuvendi për Rithemelimin e Partisë Demokratike” (LIVE)”

Read below or add a comment...

  1. Mala says:

    Pse mes nesh, edhe ne nivele te tille, zhvillohen pakuptimesi dhe papjekuri politike e kombetare te ketij lloji?!

Comment

*