Nis takimi Kurti – Vuçiq, Borrell pret “qasje konstruktive” ndaj propozimit evropian

Bruksel, 27 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Borrell tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj propozimit të bllokut evropian për normalizimin e raporteve.

“Kam mirëpritur në Bruksel kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd. Në agjendë: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj që të dyja palët të kenë një qasje konstruktive”, shkroi ai në Twitter.

Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për një propozim të BE-së për normalizimin e raporteve.

Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të takimit se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin pa diskutime të mëtejme.

Sipas tyre, përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022 dhe nuk ka më nevojë të flitet për të.

Një version të përditësuar të propozimit, palët besohet se e kanë marrë në dhjetor.

Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por, sipas një drafti që ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Propozimi nuk përfshin njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, por përkushtimin e të dyja palëve që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë të premten se e kupton që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq nuk e kanë të lehtë ta arsyetojnë në vendet e tyre pranimin e këtij propozimi, por, sipas tij, nuk kanë zgjidhje më të mirë.

Për Vuçiqin konsiderohet problem fakti se me këtë propozim – sipas interpretimeve të BE-së – Serbia de facto e njeh Kosovën.

Për më tepër, Vuçiq besohet se përballet edhe me presionin e Rusisë që të mos e pranojë atë.

Në anën tjetër, për Kurtin sfida më e madhe peshon te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë asociacion në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Kurti thotë se Kosova nuk mund të themelojë asociacion njëetnik; Vuçiq insiston në themelimin e tij.

Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.

(REL)