Një botim me vlerë të shumfishtë mbi trajtimin e çështjes së Kosovës në Francë

(Reçension për librin e Akademik Muhamet Kullashit “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës”, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, 2021)

Akademik Hivzi ISLAMI

Akademik Muhamedin Kullashi, para se të emërohej ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Francë, për gati dy dekada, ishte ambasador joformal i Kosovës në këtë vend, i pranishëm në çdo sferë të shoqërisë franceze, para së gjithash në qarqet akademike, intelektuale, mediatike etj. dhe luftonte për përhapjen e të vërtetës për Kosovën para pavarësisë së saj.

Që në vitin 1992 inicoi themelimin e Komitetit të Kosovës në Paris pranë revistës prestigjioze për shkencat shoqërore “Esprit”, së bashku me intelektualët e shquar francezë: Olivier Mongin, Antoine Garapon, Pierre Hasner, Pascal Brucner, André Glucksman, Véronique Nahoum-Grapp, Edgard Morin, Claud Lefor etj. Komiteti për Kosovën zhvilloi aktivitete të shumëta deri në vitin 2015, duke luajtur një rol të madh në sensibilizimin e çështjes së Kosovës, veçanërisht në kohën e agresionit të regjimit të Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Prof. Kullashi, bashkë me anëtarët e këtij komiteti, arriti të takohej dy herë me Presidentin Jasques Chirac, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në vitin 1999, për ta kurajuar që t’i mbështeste më fuqishëm bombardimet ndaj të cilave kishte edhe rezerva, si p. sh. për bombardimin e “Gazelës”, urave kryesore në Beograd, dhe Marinës ushtarake serbo-malazeze, si caqe legjitime të NATO-s, ndaj të cilave vuri veto që të mos bombardoheshin dhe shpëtuan.

Prof. Kullashi është autor i më se 20 librave shkencorë dhe i shumë artikujve shkencorë-profesionalë, të botuar në revista profesionale-shkencore, kryesisht në botën e jashtme, para së gjithash nga historia e filozofisë, filozofia politike, etika, sociologjia, politika dhe diplomacia, pastaj autor i problemit të identiteteve, i mendimit politik modern etj. Disa libra shkencorë dhe shumë artikuj i ka botuar edhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Më shumë ka botuar në Francë, ku ka qenë profesor i filozofisë bashkëkohore frenge për më se 30 vjet, deri në pensionim.

Libri i tij “ÇËSHTJA E KOSOVËS NË HAPËSIRËN PUBLIKE TË FRANCËS” është botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Libri i ka gjithsej 261 faqe dhe përmban analiza, studime, refleksione dhe debate mbi çështjen e Kosovës në hapësirën publike të Francës, në nivele të ndryshme të opinionit publik: në revista shkencore, në konferenca shkencore, në media, në qarqet shtetërore e politike, në Parlament, në Senat dhe në mjedise të ndryshme të shoqërisë civile franceze.

Në këtë libër përfshihen ngjarjet midis viteve 1991-2001, ndërsa autori është edhe vetë pjesëmarrës i drejpërdrejtë i analizave dhe debateve për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në përpjekjet për pasqyrimin e të vërtetës për Kosovën dhe shqiptarët në opinionin publik francez.

Në këto debate publike, në Francë, autori vë në pah praninë e intepretimeve politike e historiografike me qasje të theksuara proserbe. Kjo vlen sa për kërkimet dhe botimet shkencore mbi Kosovën po aq edhe për ato politike, në nivele të ndryshme. Midis këtyre interpretimeve shquhen, përveç tjerash, pikëpamjet dhe paradigmat mbi Kosovën si “djep i serbizimit”, të shoqëruara me një varg paragjykimesh mbi shqiptarët, mbi historinë dhe mbi kulturën e tyre.

Prof. M. Kullashi në këtë libër i trajton shqyrtimet dhe debatet që u zhvilluan në disa konferenca shkencore ndërkombëtare që janë mbajtur në Francë. Në konferencën me titull “Republika, Evropa dhe Univerzalja” të vitit 1991 morën pjesë filozofë, sociologë e politologë, por edhe disa ministra nga Franca dhe nga disa vende të tjera. Përballë këtij auditori autori, në kumtesën e tij, ka theksuar që në fillim se ajo që po ndodh në ish-Jugosllavi, në radhë të parë shpërthimi i luftërave të armatosura, përbën një sfidë për Europën. Autori vë në dukje se si lëvizja populiste-nacionaliste serbe, me nxitjen dhe mbështetjen e institucioneve partiake dhe shtetërore të Serbisë dhe të Jugosllavisë, në veçanti të policisë dhe të Armatës (JNA), u vu në shërbim të konceptit të ristrukturimit të Jugosllavisë, që ngërthente qartësisht objektivat militariste të Serbisë, çfarë ishin revidimi i kufijve të brendshëm, këmbimi i popullatave (spastrimi etnik) dhe ristrukturimi i hapësirës politike ballkanike. Kullashi saktëson se përgjegjësia kryesore për elaborimin e programit ultranacionalist, megjithatë, bie mbi intelektualët serbë të tubuar, para së gjithash, rreth Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (SANU), Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Autori u analizon dhe i zbërthen debatet në dy konferenca të tjera shkencore që janë mbajtur në gjysmën e parë të vitit 1992 në Paris, në École des Hautes Études en Sciences Sociales dhe në École Normale Supérieure. Në këto konferenca kanë marrë pjesë profesorë nga Parisi, por edhe nga Beogradi, Zagrebi, Sarajeva dhe Prishtina. Janë trajtuar shkaqet dhe rrjedhat e luftërave në Kroaci dhe në Bosnjë.

Në këtë pjesë të librit autori vë në dukje edhe rëndësinë e themelimit të Komitetit të Kosovës në Paris pranë revistës “Esprit”. Ai thekson këtu se shpërthimi i luftës në Bosnjë do të krijojë hapësirë edhe për çështjen e Kosovës. Disa intelektualë dhe veprimtarë të drejtave të njeriut në Francë që nisën të interesohen për shkaqet e shpartallimit të ish-Jugosllavisë hetuan se nisma e këtij shpartallimi kishte filluar në fillim të viteve të 80-ta pikërisht në Kosovë. 

Më tutje, zbërthehen anët e ndryshme të tipareve të konflikteve, ashtu si shpërfaqen në analizat dhe debatet e autorëve francezë në konferencën në “Collège international de philosophie” dhe në librin “Vukovar”, Sarajevë – Paris, 1993. Politologu P. Hassner, në artikullin e tij mbi hezitimet dhe kundërthëniet e bashkësisë ndërkombëtare, duke analizuar debatet mbi përgjegjësinë e vendeve të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për “katastrofën jugosllave”, vë në pah se ato zhvillohen në nivele të ndryshme dhe gërshetohen edhe janë të kundërthënshme. Por, njëherit, ai merr në shqyrtim edhe përgjegjësitë e aktorëve politikë e ushtarakë në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Të kuptuarit e drejtë të veçantisë së problemit të Kosovës në opinionin francez e pengonin paragjykimet e akumuluara gjatë dekadave të kaluara, të cilat ishin përhapur kryesisht nga mekanizmat e propagandës së fuqishme pro-serbe në Francë. Filozofi Patrick Canivez, profesor i filozofisë në Universitetin Lille II, Francë, zhvillon një kritikë të politikës së Francës ndaj agresionit të Sërbisë ndaj Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjës. Në këtë kontekst, ai i kritikon presidentin François Mitterand për  qëndrime thelbësisht favorizuese për interesat e Serbisë.

Kullashi, në shkrimin e tij “Kosova dhe shpërbërja e Jugosllavisë”, bën rekonstruktimin e konflikteve politike e ideologjike që e kishin Kosovën si “laborator” eksperimentesh për politikat ekspansioniste të Serbisë. Autoru vë në pah se në kosovë ngjizen elementet e një tipi të ri të pushtetit në Serbi. Ky pushtet do t’i ripërvetësojë disa struktura politike e shtetërore dhe do të rikomponojë një ideologji populiste që do të veprojë mbi masat me orientim nacionalist gjithnjë e më ekstrem.

Tutje, Profesor Kullashi i analizon edhe kumtesat e pjesmarësve të konferencës shkencore “Mbi dështimet e demokracive në procesin paqësor në ish-Jugosllavi”, të mbajtur në École Normale Supérieure, Paris, më 1995. Këto kumtesa ishin botuar dy vjet më vonë, në librin Ish-Jugosllavia në Europë (L’Ex-Yougoslavie en Europe, L’Harmattan, Paris, 1997). Shquhen këtu analizat e P. Hassnerit mbi përgjegjësitë e organizatave ndërkombëtare (OKB, OSBE etj), si edhe të shteteve dhe të shoqërive civile për dështimin e botës perëndimore karshi luftërave dhe krimeve të kryera në Kroaci dhe në Bosnjë. Ai shton se po kështu “mund të inkriminohen interesat egoiste apo të kundërthënshme të këtyre shteteve” dhe saktëson se “prapa këtij nocioni abstrakt, aq shpesh të shpalosur me gjoja urti, thuajse përbën shpjegimin përfundimtar, i cili nuk duron përgjigje, shtrohet pyetja: për cilat interesa është fjala, elektorale, ekonomike apo strategjike? Janë ato interesa të qeveritarëve, të regjimeve, të të qeverisurve apo të forcave ndërkombëtare?”. Kësisoj, ai përkujton se ky nocion abstrakt i “interesit” duhet të sqarohet ndopak ngase, siç thotë ai, jemi të detyruar të kemi parasysh “një analizë të normave dhe strukturave, të ideve dhe forcave që e udhëheqin politikën ndërkombëtare”.

Muhamedin Kullashi, në kumtesën e tij “Heshtja rreth Kosovës në Dayton”, nënvizon se analizat gjeopolitike që shpaloseshin nga mesi i viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, qoftë nga zyrtarët e shteteve të mëdha, qoftë nga ekspertët, përqendroheshin në “kundërshtitë midis integritetit territorial të një shteti dhe të drejtës për vetëvendosje”, midis të drejtave individuale dhe atyre kolektive të pakicave dhe të drejtave të njeriut, midis aspiratave politike të popujve dhe interesave gjeostrategjike të bashkësisë ndërkombëtare.

Në disa tubime publike, zyrtarë të BE-së ishin të bindur se po i afirmonin si duhet parimet e të drejtave të njeriut, kur thoshin se ato duhet të trajtohen si të drejta të individëve, duke evituar kolektivizimin e tyre, “kolektivizim” ky që shpiente te “etnicizimi” i problemit në Kosovë. Autori ka reaguar kundrejt këtyre qëndrimeve, duke vënë në pah kufizimin thelbësor të kësaj qasjeje: “mosmundësinë, duke u nisur nga kjo, për të kuptuar karakterin e problemit, realitetin e ngjarjeve dhe natyrën e aksioneve të qeverisë serbe karshi Kosovës”.

Në konferencën shkencore ndërkombëtare mbi kampet dhe gjenocidet në Universitetin e Sorbonës IV, kanë marrë pjesë 35 profesorë dhe hulumtues të shquar nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe SHBA-të. Kumtesat e kësaj konference u botuan në vitin 1999, në librin voluminoz “Parler des camps, penser les génocides” (Të flasësh për kampet, të mendosh gjenocidet) (f. 1-669) votuar nga shtëpia botuese prestigjioze Albin Michel, në Paris.

Këtu autori shoshit thekse pertinente (të pjesëshme) nga kumtesat e pjesëmarrësëve. Në artikullin e tij me titull “Spastrimi etnik dhe gjenocidi në ish-Jugosllavi”, ai e analizon hollësisht ngjizjen e praktikave gjenocidale të regjimit serb në ish-Jugosllavi me tërësinë e formave të terrorit shtetëror serb kundër shqiptarëve të Kosovës prej vitit 1981.

Kur hapet çështja “për apo kundër” intervenimit të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë, autori e shqyrton kompleksitetin e debatetve në hapësirën publike të Francës, në veçanti në vitet e fundit të shekullit të kaluar. Ai i analizon edhe dy takimet e anëtarëve të Komitetit Kosovës në Paris me Presidentin Jacques Chirac, qëndrimet e tij etiko-politike karshi ngjarjeve tragjike në Kosovë, ashtu si shpalosen në opinionin publik francez, në fjalimet dhe shkrimet e tij. Kullashi vë në pah rëndësinë e takimit të Presidentit Chirac me Ibrahim Rugovën në pallatin Elysée, në maj të vitit 1999.

Njëherazi autori prezanton një analizë të debateve dhe polemikave në opinionin francez lidhur me interpretimet mbi realitetin apo shpifjen e ngjarjeve – spastrimi etnik i institucioneve dhe i territorit të Kosovës – apo ato që flasin për “mbrotjen legjitime të sovranitetit të shtetit serb”. Është fjala për analiza kritike të një spektri të gjerë të qëndrimeve politike të Francës lidhur me anë të ndryshme të çështjes së Kosovës në momentet më dramatike të atyre viteve. Autori merr në shqyrtim, veç tjerash, edhe ballafaqimet e interpretimeve që synojnë të mohojnë realitetin e krimeve masive të regjimit serb mbi shqiptarët e Kosovës në mbarim të viteve të 90-ta me ato që nxjerrin në shesh vërtetësinë e tyre. Në opinionin publik francez në vitet 1998 dhe 1999, por edhe më vonë, shpalosen versione të ndryshme të revizionimit dhe negacionizmit të krimeve serbe në Kosovë që synojnë të zhbëjnë realitetin e atyre krimeve.

Pjesa përfundimtare e analizave të prof. Kullashit i kushtohet debateve mbi perspektivën evropiane të Kosovës, pas çlirimit në vitin 1999. Në fakt, çështja e perspektivës evropiane të Kosovës është shtruar pas çlirimit të Kosovës në hapësirën publike të Francës në nivele të ndryshme: brenda qarqeve politike, intelektuale e shkencore, si edhe në media. Në vitin 2000 u mbajt një konferencë shkencore në Paris e organizuar nga Komiteti i Kosovës në të cilën morën pjesë hulumtues nga shkencat shoqërore dhe intelektualë që janë marrë me çështje të Ballkanit dhe të Kosovës në veçanti. Orientimi kryesor i debateve në këtë konferencë kishte parasysh ardhmërinë politike të Kosovës pas çlirimit të saj. Më së shpeshti evokohej perspektiva evropiane e Kosovës, përkatësisht mundësitë që Kosova të bëhet pjesë në Bashkimin Evropian. Autori i trajton debatet dhe shqyrtimet mbi këtë aspekt të çështjes së Kosovës në Francë brenda debateteve më të gjera për integrimin e vendeve të Ballkanit brenda BE-së. Ai i vë në qendër të analizave në veçanti hulumtimet e Pierre Hassnerit dhe të Jacques Rupnickut të bëra në fillim të viteve 2000.

Libri “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës” ofron tablonë më të qartë të zhvillimeve në Kosovë dhe rreth Kosovës në hapësirën publike të Francës. Është realizuar brenda një kornize metodologjike adekuate për natyrën e shqyrtimeve të tilla, i begatë me të dhëna dhe fakte relevante dhe paraqet një referencë të rëndësishme për çështjet e ndryshme të Kosovës, të trajtuara në hapësirën publike franceze, aq më tepër që autori ishte i angazhuar drejpërdrejtë në prezantimin dhe përhapjen e të vërtetës për Kosovën, tok me intelektualët dhe shkencëtarët më në zë të Parisit.

Në takime të ndryshme kur i falënderoja kolegët francezë, studiuesit e Ballkanit, sikurse  janë: Michel Roux, Olivier Deslondes, Gilles de Rapper, Jascques Rupnik, etj. për angazhimin e tyre për Kosovën, të gjithë thoshin: “Duhet ta falënderoni profesorin e filozofisë në Universitetin e Parisit 8, Muhamedin Kullashi. Meritë e tij është ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe përhapja e të vërtetës për Kosovën në shtetin dhe në shoqërinë franceze”.

Faleminderit për këtë libër dhe për angazhimin tuaj për çështjen e Kosovës, Profesor Kullashi!

 

One Response to “Një botim me vlerë të shumfishtë mbi trajtimin e çështjes së Kosovës në Francë”

Read below or add a comment...

  1. sami repishti says:

    A little known important contribution for kosova. Congratulations!. I learned a lot by reading this review. Thanks to Prof. Dr. Islami.