Një ekspozitë fotografish nga e kaluara që frymëzon të ardhmen

Familja Lukaj dhe një grup miqsh organizuan një mbrëmje në Connecticut për Princin Leka dhe bashkëshorten e tij Elia

Nga Ruben Avxhiu

Herën e fundit që Viosa dhe Richard Lukaj patën si miq në shtëpi pjesëtarë të një familjeje mbretërore ishte, kur bashkuan forcat me Princin Harry dhe Princeshën Beatrice në ndihmë të Fondacionit Sentebale.

Po këtë të dielë, në mbrëmje, vizita e një çifti tjetër mbretëror më pak të njohur, ishte shumë më e veçantë, sepse miqtë vinin nga atdheu i largët.
Princi Leka II dhe bashkëshortja e tij Elia, po vizitojnë Shtetet e Bashkuara dhe udhëtuan për në Connecticut, për një vizitë private në Galerinë e Artit GR në Stamford dhe në shtëpinë e çiftit filantropik, në Greenwich.

Pritja në 2010, ishte shoqëruar me një koktejl masiv, ku Richarl Lukaj dhe Princi Harry u kishin folur fqinjëve të lagjes së pasur ku jeton familja për punën e Sentebales me shpresën që të bëheshin donatorë të fondacionit. Kësaj here, pritja ishte shumë më e vogël, por gjithashtu shumë më intime e miqësore.

Ekspozita që i mblodhi, së bashku me një grup miqsh të ngushtë është ajo e 100 fotografive të Marubit, një udhëtim i jashtëzakonshëm në të kaluarën e Shqipërisë. Që aty pastaj kaluan në shtëpinë e bukur e luksoze të familjes Lukaj në Greenëich.

Mbrëmja kishte shumë të veçanta.

Kjo nuk ishte një galeri çfarëdo. Ajo është hapur dhe drejtohet nga një çift i njohur bashkatdhetarësh, George dhe Dr. Rozafa L Pali. George Pali është piktor dhe artist i njohur dhe për koinçidencë edhe drejtori i parë i artit i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”. Kurse Rozafa është mjeke obstetre në Qendrën Mjekësore “Montefiore”.

Më tej, ekspozita që është shpalosur në galerinë e tyre ka sjellë për herë të parë Marubin në SHBA. Me koleksionin e kësaj familjeje shkodrane nderohet Shqipëria. Marubët ishin udhërrëfyes në artin e fotografisë, jo vetëm në Shqipëri, po në rang europian. Fotografitë që na kanë lënë nga shekulli i 19 janë marrmendëse. Sot UNESCO i ka përfshirë në listën e thesareve kulturore të botës.

Po nuk mbarojnë këtu simbolikat e kësaj mbrëmjeje. Një pinjoll i familjes Marubi ka qenë fotografi zyrtar i Familjes Zog. Princi Leka, siç na tregoi George Pali për gazetën vuri në dukje që shumë nga fotografitë e ekspozuara tregonin Shkodrën në kulmin e lulëzimit të saj që ndodhi pikërisht gjatë sundimit të Mbretit Zog.

“Një njeri i mrekullueshëm. Shumë i sjellshëm dhe i thjeshtë”, tha George për Princin nga Shqipëria. Në fund, ai i la edhe një shënim të bukur në librin e vizitorëve të galerisë.

Haki Abazi, drejtor në Fondin e Vëllezërve Rokfeller, organizatë e shquar në SHBA, ishte një nga 12 të ftuarit e mbrëmjes. Me një postim në Facebook ai falenderoi në veçanti bujtësit Viosa dhe Richard Lukaj dhe tregoi për mbresat që i kishte lënë nivelii bisedës së pjesëmarrësve.

“Diskutimet dhe biseda ishte ne nivelin me te larte te prioriteteve, sfidave dhe mundesive, problemeve dhe zgjidhjeve te mundshme per te tejkaluar proceset stagnuese qe reajoni po ballafaqohet”, shkroi ai. “Ju siguroj qe ne asnje moment nuk kishte ngjyrime idelogjike apo percaktime te koncepteve te funksionimit perkundrazi e gjithe biseda ishte e koncentruar ne avancimin e pozites se qytetareve dhe sigurimit te jetes me prosperitet per te krijuar hapesire per individet dhe fatin kolektiv, si nje rajon i integruar ne familjen evropiane”.

George Pali shprehu të njëjtin mendim: “Ishim të gjithë shqiptarë, të gjithë nga Connecticut. Të gjithë me edukatë dhe shkollim amerikan”.
Si ai edhe Richard Lukaj falenderuan Besnik Zherkën për organizimin e aktiviteteve.

“Ekspozita e Marubit nuk duhet humbur. Do të jetë e hapur deri në verë dhe kushdo që ka mundësi duhet ta shohë”, tha Richard Lukaj. “Ishte një vizitë e paharrueshme e ndjekur nga një diskutim i thellë dhe plot mendime interesante mes miqve të mbledhur për darkë”.

Ndërsa me Marubin kishin bërë një udhëtim nëpër të kaluarën, biseda e mëpasshme ishte përqendruar te e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një temë që e kishin për zemër të gjithë pjesëmarrësit e kësaj mbrëmjeje të bukur. (Ruben Avxhiu)