Një festë familjare

Nga Mimoza Dajçi
Fotot Jeffrey Panish

Zakonisht jemi mësuar të marim pjesë në takime e festa të organizuaura nga shoqatat e ndryshme shqiptare apo amerikane në SHBA, por tashmë edhe familjet tona festojnë së bashku edhe gëzimet e tyre familjare. Pak ditë më parë bashkëshortët Mira dhe Aleks Nilaj shtruan një darkë në Maestro’s Restorant në Bronx, mes familjarëve të tyre e miqve të ftuar nga komuniteti ynë e ai i huaj. Shumë mysafir kishte darka. Të gjithë gëzuan, u argëtuan e hodhën valle. Për arsye të një proçesi të pritshëm për bashkim familjar të binte në sy mungesa e prindërve të tyre të dashur.
Mira e Aleksi janë njerëz shumë të gjindshëm për këdo që është në hall e në nevojë, por ata janë të respektuar e të vlerësuar në komunitet, e të gjithë i nderojnë e i japin vendin që meritojnë. Të dy janë nga zona e Kelmendit, rrjedhin nga familje që kanë pësuar persekutim politik gjatë rregjimit komunist në Shqipëri. Në vitin 1999 fillimisht Aleksi largohet nga atdheu për t’u vendosur në Angli, por më pas së bashku me Mirën emigrojnë në SHBA, ku për afro gjashtë vitesh jetojnë në New York.
Aleksi është një veprimtar i njohur në komunitet, dhe ka bashkëpunim të mirë me organizatat jo qeveritare në New York, është anëtar i Bordit të Pelham Parkway Associate dhe i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan Associate. Ai ka investuar në zonën e tij të lindjes në Kelmend tek vendi i quajtur Kreqi i Shën Kollit, ku akoma vazhdojnë punimet për ndërtimin e një Altari, duke dërguar Truporen e Shën Kollit (punim nga mjeshtri i artit të sklupturës Kristaq Kapedani.
Kanë dy fëmijë të bukur si drita, vajzë e djalë. Vajza mbushi 4 vjeç e quhet Annabella, ndërsa djali quhet Daniel, e mbushi një vit. Sot për të dy fëmijët ishte edhe dita e pagëzimit të tyre nga Kisha Katolike Shqiptare në Harsdalle, nga Famulltari i saj Dom Pjetër Popaj. Familja Nilaj me miq e të afërmit e tyre ishin të lumtur e të gëzuar këtë ditë. Shumë lule, tullumbace ngjyra ngjyra e dhurata nga më bukrat e të shumëllojshme u dhuruan në sallë vogëlushëve. Festa kumbonte nga zëri melodioz i këngëtares së njohur Lisa Nikeprelaj dhe Emir Kajoshaj. Repertori i tyre ishte i larmishëm duke filluar që nga ato popullore më të hershme e deri tek ato të lehta të kohëve të sotme. Kërcente e hidhte valle rinia, fëmijët, vajza e djem, por edhe më të moshuarit gëzonin sëbashku datëlindjen e pagëzimin e fëmijëve të dashur Annabella e Daniel Nilaj. Vumë re edhe djem të moshave 10 deri 12 vjeç që i binin çiftelisë, gjë që tregon se tradita e veglave popullore po kultivohet edhe në emigracion.
Me aq mundësi sa kishin në Shqipëri datëlindjet i festonin edhe shqiptarët, por pagëzimi ishte “mollë e ndalueme” për këdo që ndërmerte inisiativa të tilla për fëmijët e tyre, e cila mbahej në fshehtësi të plotë. Nëse një lajm i tillë i binte në vesh sigurimit të shtetit dhe organizatës bazë të partisë komuniste, e gjithë familja do të përndiqej politikisht. Në burgje e internime përfundonin shqiptarët e pafajshëm. Por koha bëri të vetën e besimi tek Zoti mbajti gjallë shpresën për çdo shqiptar. Edhe familja Nilaj edhe pse larg atdheut nuk mund të qëndronte indiferente pa trashëguar fenë e të parëve të tyre e pa pagëzuar fëmijët.
Gjatë pagëzimit të këtij riti të lashtë fetar një fëmijë i Zotit ndriçohet ose lind përsëri, por kësaj here në mënyrë shpirtërore në Familjen e Krishtit. Çdo pagëzim është një besëlidhje ndërmjet Zotit dhe njeriut. Zoti premton të jetë Ati ynë, e ne bijtë e tij. Pagëzimi nuk është një ritual magjik. Pa një pranim personal pagëzimi mbetet një rit pakuptim. Hiri që Perëndia dhuron gjatë pagëzimit duhet ta gjejë të hapur zemrën e besimtarit qoftë fëmijë apo i rritur, pra Hiri i Perëndisë nuk i bën dhunë vullnetit të lirë të njeriut. Por këto rite fetare ishin të ndaluara në vendin tonë për gati një gjysëm shekulli e në çdo rast ai rregjim dënonte çdo rit fetar për çdo individ apo familje të tërë.
Mira e Aleksi një çift mjaft simpatik me të dy fëmijët e tyre në krah e për dore takuan të gjithë pjesëmarrësit e mbrëmjes, trokitën gotat me ta, u uruan mirëseardhjen e bënë foto së bashku. Në respekt të tyre e fëmijëve Annabella e Daniel, përveç shumë mysafirëve shqiptarë, amerikanë, hebrej, italian, latin e afrikano – amerikan, erdhën edhe personaltite të politikës amerikane, Konsulli i Bashkisë së New Yorkut James Vacca, Assamblyman Z. Mark Gjonaj me nanë Rozën e vëllain Pol me nusen Çiljeta, drejtori ekzekutiv i Asamblesë nr. 80 në Bronx, Z. Sony Vataj, Presidentja e Shoqatës për Komunitetet në Pelham Parkway Znj. Edith Blitzer, e cila njëherësh hapi edhe siparin e kësaj mbrëmje të gëzuar, avokati i njohur e miku i shqiptarëve Steven Kaufman, menaxherja e Chase Bank Axhvin Persazh, përfaqësuesisi i lartë për pagesat e blerjeve të shtëpive në Bronx Sajmir Dashi me bashkëshorten, veprimtarja Liljana Peke, Presidenti i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan Z. Esad Rizai, skulptori Kristaq Kapedani, gazetari Qazim Doda, gazetari dhe kameramani Dritan Haxhia, poeti Nikollë Nilaj, e shumë të tjerë.
Përveç ushqimeve tradicionale të shumëllojshme, e pijeve të ndryshme prindët kishin pregatitur edhe dy torta me ngjyra. Për Annabellen torta ishte me nuaca të bardha dhe rozë, për Danielin e bardhë me nuancë bojëqielli. Qiritë e tortave në shenjë respekti u ndezën nga Pol Gjonaj. Annabella gjithë hare, veshur me fustan të bukur ngjyrë rozë vraponte e lodronte nëpër sallë si një flutur pranvere. Mbi flokë i shëndriste një kurorë vezulluese. Shëmbëllente me princeshat e filmave vizatimorë, prandaj edhe u zgjodh Princesha e vogël e mbrëmjes.
Nën tingujt e këngës “Shumë urime për Ty” ajo fryu mbi 4 qirinjtë e saj të ndezur nga xhaxhi Pol, ndërsa Danieli në krahët e të atit fiku qiririn në tortën e tij. Mbrëmja kaloi e bukur dhe e gëzuar, e do të mbetet si një festë e paharuar e familjes Nilaj.