Një fitore kundër errësirës

Nga Ruben Avxhiu

Askush nuk ka më shumë arsye të gëzojë nga lajmi i vrasjes së Al-Beqir al-Bagdadid sesa myslimanët. Ndonëse themeloi një shtet në emër të Islamit, ishin myslimanët që vuajtën më shumë prej tij, që u vranë prej tij, që u burgosën, që u shtypën e u detyruan të zgjidhnin mes nënshtrimit ndaj ideologjisë së tij ekstreme apo çfarëdolloj tjetër forme të Islamit.

ISIS u krijua me pretendimin se po ndërtonte një strehë shpëtimtare për myslimanët, po asgjë nuk e ka bërë më të vështirë jetën e myslimanëve kudo në botë sesa hija e këtij shteti që pretendonte të fliste në emër të myslimanëve.

Në vitet e fundi, shumë sulme terroriste janë kryer nëpër botë nga ISIS, në emër të ISIS-it, të frymëzuar nga ISIS, të përvetësuara nga ISIS etj. Ato që kanë tërhequr më shumë vëmendje kanë ndodhur në Perëndim. Nga San Bernadino në Neë York City, në SHBA, nga Parisis në Strasbourg e në Marsejë në Francë, në Londër e në Berlin, e në shumë qytete të tjera europiane.

Po për çdo sulm terrorist në Perëndim, ka pasur të paktën 10-15 të tilla në vendet e Lindjes së Mesme e përtej, ku ISIS u shtri, krijoi degë, organizata që i njihnin supremacinë etj.

Për ironi të fatit shumica e sulmeve terroriste në Perëndim ndodhën aty ku u janë hapur dyert myslimanëve, si emigrantë, si punëtorë, si qytetarë. Në zonat ku gëlon vërtet islamofobia e mosbesimi ndaj të huajve nuk kishte masakra të tilla. Ato sollën si pasojë ngritjen e partive të skajit të djathtë në Europë.

Po kjo është ajo çfarë donte në fund të fundit ISIS dhe udhëheqësi i saj Al-Bagdadi me pretendimin e tij se gjoja rridhte nga familja e Muhamedit, profetit të myslimanëve. Për ISIS nuk mund të jesh mysliman përveçse nëse e pranon Islamin në një formë ekstreme që gjoja është e vetmja e pranueshme. Duke qenë se vetëm një pakicë e myslimanëve duan apo mund të zbatojnë ashtu fenë e tyre, ata ishin në luftë me shumicën e botës myslimane.

Nga ana tjetër, synimi i ISIS ishte që të armiqësonte Perëndimin me myslimanët që jetojnë brenda tij. Në fund të fundit, nëse të gjithë myslimanët shihet si ISIS, ata mund të përfundojnë vërtet që të bashkohen me ISIS. Pse të mos bëhesh radikal, nëse të shohin si radikal gjithësesi. Në fund, nga partitë më të djathta antimyslimane në Europë, te shërbimi sekret i Rusisë, te ISIS, ishte një vijë e drejtë interesash. Të gjithë këta faktorë vetëm sa përfitonin nga njëri-tjetri. Jo më kot, sulmet më të dendura terroriste në Perëndim, ndodhën gjatë viteve të rëndësishme zgjedhore 2015-2017.

Në mënyrë të ngjashme, shumica e perëndimorëve që u vranë nga ISIS në Lindjen e Mesme, ishin njerëz të dedikuar për të ndihmuar myslimanët dhe popullatat e kësaj hapësire. Një perëndimori që rri në vendin e tij që u rri larg myslimanëve ISIS nuk mund t’i bënte dot asgjë. Ishin një numër punonjësish humanitarë, gazetarë e njerëz me dashuri e kuriozitet për myslimanët që pësuan vdekjet makabre të transmetuara në video nga Shteti Islamik.

Sigurisht, Shteti Islamik u përdor në shumë mënyra nga shumë shtete, përfshi edhe disa regjime myslimane. Armët e prodhuara në Serbi për shembull ishin burimi i katërt më masiv që përdoreshin nga ISIS.

Ky “shtet” ishte prodhim i një revolucioni të shtypur me gjak nga regjimi terrorist i Al-Asadit në Siri, që në bashkëpunim me ISIS siguruan që asnjë grup i moderuar apo liberal të mos mbetej në sheshbetejë e që sirianët e bota të mbetej mes dy zgjedhjeve të vetme të kriminale.

Në këtë përplasje të çmendur, miliona refugjatë u derdhën drejt Europës duke humbur përgjithmonë shtëpitë e tyre. Mijëra të rinj e të reja u çmendën e lanë shtëpitë e tyre për t’u kthyer në vegla të një projekti terrorist. Shkatërrimet e jetëve të njerëzve janë të pallogaritshme.

Të gjitha këto ndodhën edhe në një periudhë tërheqjeje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ndërhyrja në kofliktet nëpër botë. Mes dy presioneve për të mos ndërhyrë më nëpër botë dhe thirrjes për të ndërhyrë e për të shpëtuar sirianët, SHBA vendosi për të parën. Megjithë premtimin për të ndërhyrë nëse shkelej vija e kuqe e armëve kimike nga al-Asadit, Presidenti Obama vendosi që të mos ndërhynte. Presidenti aktual Donald Trump erdhi në pushtet me premtimin për të mos hyrë më në zona konfliktesh e për të mos ndryshuar më regjime.

Sot, kryeterroristi që ëndërroi ta kthente botën në realitetin e një epoke tjetër, e cila mund të ketë qenë thjesht një mit, pushoi se ekzistuari, ashtu si kishte bërë pak kohë më parë edhe shteti i tij. Nëse ka një parajsë, nuk mund të ketë vend për të. E nëse ka vend për të nuk mund të quhet parajsë. Aq më pak do të donin të shkonin në atë parajsë njerëzit e ndershëm e të drejtë të kësaj bote.

Ky nuk është “një lajm nga bota” për shqiptarët. Qindra të rinj e të reja nga trojet tona, shkuan për t’u bërë pjesë e këtij revolucioni imagjinar. Ndonëse trojet shqiptare kanë plot nevojë për zgjidhje e çështje të pambyllura. Shumë prej tyre nuk do të kthehen më kurrë. Familjet e tyre janë shkatërruar prej këtyre ngjarjeve. Ata që kanë mbijetuar janë shpirtërisht e mendërisht të rrënuar. Prej tyre kanë mbetur shumë fëmijë, e familjarë që do të vuajnë nga vështirësia për të dalluar mes fajtorëve dhe viktimave. Nga mosbesimi dhe urrejtja që gjallon në trojet shqiptarë ku këta njerëz i shohin në mos si terroristë, si persona që sollën vetë mbi krye këtë fat e meritojnë izolimin në mos përjashtimin nga vendi ku lindën.

Shqiptarët janë gjithashtu një komb shumëfetar, mbijetesa e të cilit varet nga harmonia ndërfetare. Një sukses i Shtetit Islamik dhe fundi i paqes mes komuniteteve fetare është një dënim me vdekje për popullin shqiptar. Për të mirë apo për keq në jemi bekuar ose mallkuar me përkatësi të ndryshme fetare. Nëse jemi një shembull në botë për kapërcimin e kësaj lloj ndarjeje nuk është thjesht për famë e krenari. Për shqiptarët tolerance e bashkëjetesa ndërfetare është çështje jete ose vdekjeje. Jemi dënuar që të rrëzohemi të gjithë bashkë ose që të ngrihemi të gjithë bashkë. Fundi i makthit me emrin al-Bagdadi është një lajm i mirë për shumëkënd, po mes atyre që duhet të gëzohen më shumë janë padyshim edhe shqiptarët.