Një foto dhe…ca rreshta—Lume Blloshmi

Nga Qerim Vrioni

Piktorja Lumturi Blloshmi (Lumja), një nga penelat më interesantë të vendit, në kapërcyell të shekujve XX dhe XXI, përveç pjesëmarrjes në ekspozita të përbashkëta, në vend dhe SHBA, Poloni, Egjipt, Kosovë, ka hapur edhe disa vetjake në Tiranë.

Përpos punimeve mbresëlënëse në pikturë, fotografi dhe instalacion, Lumja disa herë kishte shpërfaqur probleme shoqërore dhe ekonomike nëpërmjet performancave të goditura artistikisht në mjedise publike.

Natyrisht edhe ajo ishte atë ditë mes zulmës së madhe të njerëzve, sidomos artistë dhe artdashës në oborin e Galerisë së Arteve në Tiranë. Atje po zhvilloheshin homazhet pranë arkëmortit me trupin e studiuesit të ndjerë, Gëzim Qëndro, i cili për pak vite kishte qenë edhe drejtori i Galerisë, por me një kontribut shumë të vyer në historinë e saj. Ai ishte ndarë nga jeta një ditë më parë, në një moshë plot energji dhe dëshirë për punë.

Në pritje të orës së përcjelljes për në banesën e fundit të mikut tonë të përbashkët, u ulëm me Lumen tek Bar ‘Aleanca’, pranë Galerisë për kafe. Shpejt, biseda kaloi tek Gëzimi, me të cilin po ndaheshim përfundimisht, ikja e tij fare e parakohshme nga kjo botë, na kish pezmatuar thellë.

Me kafe në dorë, duke kujtuar bisedat e fundit me të, thashë me hidhërim ndër të tjera:Sa punime e projekte ka lënë përgjysëm Gëzimi!

Lumja heshti, hoqi filxhanin e çajit nga buzët dhe për disa çaste treti shikimin saj gjithë pezm, larg, shumë larg. Ajo ishte ndoshta duke përfytyruar studiuesin e ndjerë në pleqëri të thellë të përkulur mbi tryezën e punës ose duke u folur nipërve dhe mbesave mbi artet pamore.

Ndoshta…

Ndërkohë, kisha lënë kafen mbi tryezë dhe e fotografova.

Ishte një ditë e vrejtur e me shi, data shënonte 28 shkurt 2018.