Një gol për Serbinë, një autogol për Kosovën

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Shumë shtete të botës që ende refuzojnë ta njohin Kosovën nuk kanë ndonjë problem me shkëputjen e saj nga Serbia sesa druhen se mos pakicat e tyre ndjekin shembullin e Kosovës duke e përdorur si precedent legal.
Spanja është një nga ato. Me të paktën dy-tri rajone me prirje shkëputëse, Spanja, një nga vendet më të mëdha të Bashkimit Europian, kërkon që të ndalojë precedentin e shkëputjes së një territori pa një marrëveshje me vendin në të cilin ka bërë pjesë.
Një nga këto territore spanjolle është Katalonja, me një histori dhe kulturë të sajën, me një gjuhë të ngjashme, por të ndryshme.
Në 30 vitet e fundit, Katalonja ka fituar të drejta të jashtëzakonshme, ndërsa Spanja ka pranuar ligje të papara decentralizimi. Kjo megjithatë, nuk e ka kënaqur një pjesë të elitës katalonjase që kërkon pavarësi të plotë nga Spanja. Por, si me çdo shpallje pavarësie në botë, akti nuk do të kishte ndonjë vlerë nëse nuk do të njihej nga vendet e tjera të botës.
Në këto kushte ishte e natyrshme që pavarësia e Kosovës të shkaktonte gëzim mes rretheve separatiste katalonjase, ndërsa në Madrid të pritej me skepticizëm.
Sikur të mos mjaftonin dhimbjet e kokës nga separatizmat lokalë në vitin 2008, qeveria majtiste e Spanjës ishte një nga qeveritë më anti-amerikane në Europë në dy-tri dekadat e fundit. Përshtypja e tyre se Presidenti Bush ishte një “bulli” që vepron përpara se të mendojë vetëm sa u përforcua nga pavarësimi i Kosovës. Ndërsa në sytë e disa analistëve pavarësimi i Kosovës ishte vonuar më shumë se ç’duhej, në sytë e diplomatëve spanjollë ky ishte një veprim i nxituar dhe i detyruar nga SHBA-ja.
Për ta bërë akoma edhe më të vështirë situatën ishte në lojë edhe dimensioni personal. Ministri i jashtëm i Spanjës në atë kohë kishte jetuar dikur për shumë vite në Beograd dhe ishte një serbofil i deklaruar. Jo vetëm që frymëzoi dhe zbatoi qendrimin kundërshtues të Spanjës, por ai u angazhua personalisht në edukimin e diplomatëve serbë se si të paraqisnin argumentet serbe në botë, ndikoi personalisht pranë qeverive amerikano-latine për ta paraqitur pavarësinë e Kosovës si një truk amerikan dhe vizitoi disa herë Beogradin për t’u përqafuar me Vuk Jeremiçin, për të marrë çmime nderuese e për të kujtuar vitet e tij të rinisë, kur festat në Beograd nuk i kishin lënë kohë të mësonte më shumë për situatën çnjerëzuese pak kilomentra më në jug të vendit.
Problemi me këtë sjellje të Spanjës është se në vend që ta ndihmojë unitetin e vendit e ka dëmtuar atë.
Kosova nuk ngjan me Katalonjan dhe krahasimi vetëm sa ndihmon Serbinë dhe Katalonjan, por jo Spanjën dhe Kosovën.
Spanja nuk ka tentuar ta spastrojë etnikisht Katalonjën. Nuk ka hapur aty varre masive. Nuk ka vrarë e përdhunuar, djegur e plaçkitur.
Ndërsa Kosova me nëntokën e saj të pasur dhe popullatën punëtore mbeti deri në fund pjesa më e varfër e Serbisë dhe e Jugosllavisë, Katalonja është pjesa më e pasur e Spanjës. Katalonjasit kanë një standard jetese për t’u patur zili në Europë.
Barcelona që është qyteti më i njohur katalonjas është një nga xhevahiret e turizmit europian e botëror. Një status i fituar në një kohë kur Kosova ishte mbyllur për këdo të huaj që donte ta vizitonte pa lejen dhe verifikimin e regjimit fashist të Beogradit.
Katalonja nuk ka çfarë realizon më tepër dhe kërkon pavarësinë si një hap të fundit dallues në botë. Kosova e kërkoi pavarësinë se nuk kishte rrugëdalje tjetër e shtyrë në kufirin e mbijetesës fizike, materiale e morale.
Të krahasosh të dy rastet është fyerje për përvojën e tmerrshme që ka kaluar Kosova. Po është gjithashtu edhe një fyerje për Spanjën, e cila ndryshe nga Serbia ka qenë një model demokracie, humanizmi e mirëkuptimi në këto dekadat e fundit.
Në këto kushte, diplomacia kosovare duhet të ngulmojë se Kosova nuk është Katalonja, por Spanja. Nëse ka një Katalonja në Kosovë, ajo është Kosova e Veriut me serbët e saj që nuk kënaqen as nga legjislacioni më i decentralizuar ekzistues në Europë.
I njëjti argument duhet bërë nga diplomacia kosovare për të gjitha vendet e BE-së që ende nuk e njohin Kosovën. Duke mos njohur Kosovën, këto vende në vend që të ndalojnë separatizmin brenda tyre janë duke u dhënë një mundësi katalonjasve, hungarezve etj që të pretendojnë se janë në situatën e Kosovës dhe kjo është e padrejtë dhe e pandershme.
Ndryshe nga çfarë mendohet interesat e Kosovës përkojnë me ato të Spanjës, Sllovakisë dhe Rumanisë e jo me ato të katalonjasve, baskëve e hungarezëve lokalë.

* * *

Kjo temë u bë papritmas aktuale për shkak të një episodi sa banal aq edhe domethënës.
Gjatë një ndeshjeje të Realit të Madridit në Spanjë, një numër tifozësh të Realit shpalosën në stadium një parrullë ku shkruhej “Kosova është Serbi.”
Kjo nuk do të përbënte ndonjë lajm nëse të dielën nuk do të shfaqej në Kosovë, një parrullë nga tifozë kosovarë ku shkruhej “Katalonja nuk është Spanjë”. Kjo ka gëzuar një numër katalonjasish shumë prej tyre tifozë të Barcelonës në futboll. Baraça është kaq e dashur në shumë vende të botës, përfshi edhe shqiptarët saqë vëmendja nga barcelonasit ka ngazëllyer shumë tifozë të futbollit në Kosovë. Por i gjithë episodi ka qenë një fitore e madhe për diplomacinë publike serbe.
Së pari, ata që kanë shpalosur parrullën kundër Kosovës në Madrid nuk janë vërtet tifozë të Realit. Nuk janë as spanjollë, por serbë që jetojnë në Spanjë. Asnjë tifoz i vërtetë i Realit nuk do të shkojë aty për të promovuar një kauzë politike pa rëndësi për klubin. Tifozë vetëm me emër që paguan ulëset në stadium për një agjendë të qartë politike.
Së dyti, pavarësisht nga qendrimi i Spanjës në publikun spanjoll ka pak interes për çështjen e Kosovës. Serbët nuk kanë ndonjë imazh të mirë dhe hera e fundit që një serb ishte në qendër të medias spanjolle ishte rasti kur dy mafiozë nga Serbia që jetonin në Spanjë kishin vrarë një shokun e tyre që i kishte tradhëtuar dhe pastaj e kishin therrur, gatuar dhe ngrënë si kanibalë.
Por lajmi i tifozëve kosovarë që përkrahin ndarjen e Spanjës është nga ato lajme që ndiqen edhe nga publiku më i painteresuar spanjoll. Asnjë reklamë publike, asnjë gjest politik, asnjë lobim masiv nuk do të arrinte të bënte kaq shumë punë në favor të Serbisë, sesa ky gjest i pafajshëm dhe dashamirës i këtyre djemve kosovarë.
Katalonja nëse do të donte vërtet masivisht që të ndahej nga Spanja do ta kishte bërë. Spanja duke mos qenë Serbia, nuk do të çonte aty tankset.
Katalonjasit më të famshëm të ditës, yjet e Barcelonës, kanë si arritjen më të madhe të tyre në jetë momentin kur bënë Spanjën kampione të botës. Kosovarët nuk mund të jenë më katalonjas se katalonjasit më të mirë.
Në këto vite lufte diplomatike e personale mes shqiptarëve dhe serbëve kam parë shumë raste të ngjashme kur me dëshirën e mirë për të ndihmuar kauzën apo për të shprehur veten shumë shqiptarë kanë bërë mrekullisht punën e Serbisë, në mënyrë të atillë që Serbia vetë nuk do të dinte ta bënte kurrë.
Për shembull konsideroni këtë situatë: gjatë një debati në internet duke komentuar në uebsajtin e një gazette të huaj, një serb hyn dhe thotë se fjala vjen India nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Atëherë një numër shqiptarësh nga inati vërshojnë me komente duke sharë Indinë e duke ia ulur vlerën si vend.
Kjo për lexuesin e painteresuar indian është një nxitje që të marrë anë, që të angazhohet në një çështje të largët për të cilën deri në atë moment nuk kishte asnjë interes. Raste të tilla ka shumë.
Përgjigjia ideale nga shqiptarët do të kishte qenë se përkundrazi, India do ta njohë së shpejti Kosovën se ashtu si Kosova edhe ajo ka qenë dikur koloni. Mosnjohja e deritanishme ka ndodhur jo sepse India është me Serbinë, po sepse ende nuk e ka njohur fytyrën e vërtetë të Serbisë.
Shqiptarët e Kosovës në tërësi duhet të tregojnë më shumë durim dhe mençuri në betejën ndërkombëtare me Serbinë. Komentet personale vlejnë pak në dukje, në krahasim me punën e diplomatëve, po ato reflektojnë njëra-tjetrën. Ka pak raste deklaratash të zyrtarëve kosovarë në të cilat insistohet se veriu i Kosovës dhe jo Kosova vetë është rast i ngjashëm me provincat e pakicat shkëputëse nëpër botë.
Shumë vende politikën e jashtme e masin me kutin e politikës së brendshme. Ashtu si Turqia që nuk sheh te Kosova rastin e kurdëve por këtë të fundit e krahason vetëm me atë të serbëve të veriut, edhe vendet e tjera duhet të pozicionojnë këndvështrimin po ashtu.
Kosova nuk është as Kashmiri e as Tibeti. Kosova është India dhe Kina, vende që kanë vuajtur kolonizimin e të huajve dhe e dinë se çfarë do të thotë të çlirohesh e të fitosh më në fund sovranitetin e mohuar prej shekujsh. Në këtë dritë duhet parë beteja për njohjen e Kosovës në botë. Në këtë dritë e më respektin e duhur duhet të komunikojnë edhe të gjithë ata individë që duan të japin e kontribuojnë në diplomacinë publike me nismat e tyre personale e grupore.
Në këtë prizëm, parulla mashtruese gjojaspanjolle e serbëve në Madrid ishte një gol diplomatik në favor të Serbisë, ndërsa përgjigjja plot fantazi dhe e bujshme e shqiptarëve në Vushtrri ishte për fat të keq një autogol për Kosovën.