Një i kthyer nga Siria akuzohet për pjesëmarrje në grup terrorist

Prishtinë, 25 nëntor 2021 – Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të mërkurën akuzë për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist ndaj një shtetasi të Kosovës, që është kthyer së voni nga Siria.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se “i pandehuri S.Q., me paramendim, me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ‘’ISIS’’ në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes lidhjeve të caktuara ka shkuar në qytetin Urfa, ku është pritur nga personat e ISIS-it dhe më pas ka shkuar në qytetin Raka”.

Sipas prokurorisë, ai “ka kryer stërvitjet fizike, taktike dhe luftarake dhe ka marrë pjesë aktive në luftërat e ISIS-it, në qytetet të ndryshme”.

Ai më vonë është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më 17 korrik të vitit 2021, kur është riatdhesuar në Kosovë.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

 Dy vjet më parë Kosova riatdhesoi 110 veta nga Siria. Shumë nga burrat e riatdhesuar janë akuzuar për pjesëmarrje në grupe terroriste. Në muajin korrik të këtij viti prej andej janë kthyer edhe 11 të tjerë.

Autoritetet në Kosovës besojnë se rreth 90 veta ndodhen ende në Siri, mes tyre pak luftëtarë dhe më shumë gra dhe fëmijë.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*