Një kompani turke e fiton tenderin për prodhimin e anijeve patrulluese të Shqipërisë

Tiranë, 5 nëntor 2021 – Kompania e inxhinierisë “Guzuyilmaz Muhendislik” që ka ndërtuar edhe anijet në inventarin e Policisë së Turqisë dhe që ka dërguar anije në shumë vende të botës, përfshi këtu Rusinë e Nigerinë, po përgatitet që të kryejë eksport në Shqipëri.

Policia e Shqipërisë hapi një tender në kuadër të Projektit të Menaxhimit Efektiv të Kufijve të Gjelbër dhe Blu të Evropës, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, ku garuan po ashtu kompani nga Holanda, Norvegjia dhe Italia dhe në të cilin kompania turke mori pikë të plota nga dosja teknike.

Sipas mediave turke në kuadër të projektit, në Izmir ka filluar ndërtimi i anijes me material alumini, me gjatësi 15 metra, si dhe i anijeve me fiberglas, me gjatësi 10 metra, të cilat do të përdoren në kontroll dhe patrullim. Anijet do të dalin për patrullim në det në mars të vitit të ardhshëm dhe do t’u dorëzohen zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë në Portin e Durrësit.

Gözüyılmaz Mühendislik dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i kantierit detar të Izmirit, Özgür Inam, thanë për Anadolu Agency (AA) se eksportojnë varka jashtë vendit nën markën Izmir Shipyard.

Për tenderin në Shqipëri, Inam tha se ishte një tender mjaft konkurrues dhe se ata ia dolën të dalloheshin mes kompanive evropiane.

“Ishte një burim krenarie për vendin tonë dhe kompaninë tonë,” tha ai.

(BalkanWeb)