Një letër plot dashuri për Shqipërinë në “The New York Times”

Nga Ruben Avxhiu

Një profesor i njohur amerikan, studjues për gati gjysëmshekulli i Holokaustit, është frymëzuar nga një shkrim i gazetës së njohur për vendosjen e refugjatëve afganë në Shqipëri, për ta lidhur gjestin me shpëtimin e hebrejve në Luftën e Dytë Botërore.

Letra dërguar redaksisë nga Michael Bazyler është përzgjedhur për botim, nga “The New York Times” ditën e hënë. Teksti është përkthyer në vijim:

“Që Shqipëria, një nga vendet më të varfëra të Europës, është angazhuar të marrë 4,000 refugjatë nga Afganistani (më shumë se çdo vend tjetër europian) dhe po i strehon në rezorte luksoze plazhi në vend të kampeve të izolimit, nuk habit askënd që ka dijeni për bujarinë mbresëlënëse që Shqipëria, me shumicë myslimane, tregoi ndaj hebrejve të saj dhe hebrejve që arratiseshin nga pushimi gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.  

Shqiptarët refuzuan t’u binden urdhërave të pushtuesve gjermanë për të dorëzuar listën e hebrejve. Me një gjest të jashtëzakonshëm mirësie, Shqipëria u dha strehë edhe hebrejve që iknin prej pushtimit nazist. Si rezultat, popullata e hebrejve në Shqipëri, në fakt, ishte më e madhe në fund të luftës sesa përpara saj.

Besa, ky betim i shenjtë shqiptar i nderit, që kërkon që të ndihmohet dhe mbrohet çdo njeri në nevojë, luajti një rol të madh në sjelljen e popullit. Kjo bujari e fundit drejtuar afganëve të arratisur nga qeveria dhe populli shqiptar dëshmon rëndësinë e besës në Shqipëri.”

Michael Bazyler, nga Orange, California, është aktualisht profesor i Drejtësisë në Katedrën e Studimeve të Holokaustit dhe të Drejtave të Njeriut në Chapman University.

Sigurisht është pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët kur shkruhet në këtë mënyrë në platforma që lexohen nga miliona amerikanë e njerëz në mbarë botën.

Mirëpo, nuk e mohoj që ndjej shpesh edhe një lloj ankthi kur lexoj gjëra të tilla. Më duket nganjëherë se ngremë për veten një pritshmëri shumë të lartë që mund të zhgënjehet nga realiteti. Nga një anë shqiptarët mbeten vërtet shumë bujarë sidomos me të huaj. Por, 30 vjet pas rënies së komunizmit dhe mbi 20 vjet në shekullin e ri, shumë shqiptarë janë të shpirtërisht të rrënuar nga realiteti. Në shembullin më të fundit, atë të bujarisë ndaj refugjatëve – gati të përkohshëm afganë – politika shqiptare vërtet u bashkua në një zë, diçka që nuk arrijmë ta shohim as për çështje më rëndësi kombëtare. Kjo ishte një gjë pozitive. Pamë edhe kryeministrin Edi Rama që e moli mirë situatën duke dalë në një numër ekranesh të njohura televizive të botës për intervista, duke shijuar vëmendjen pozitive që bie rrallë mbi Shqipërinë. Foli për shpëtimin e hebrejve, tha pak a shumë çfarë shkroi ky profesor e ndonjë gjë tjetër. Madje dhe qesëndisi vende të tjera që nuk po bëjnë të njëjtën gjë. Intervistat u kritikuan nga disa në Shqipëri si mungesë modestie e mani për të glorifikim personal, etj. Jam i prirur në këtë rast ta justifikoj pak se mbase po vepronte për të promovuar Shqipërinë. Në fund të fundit, nëse media ndërkombëtare nuk do të kishte interes thjesht nuk do ta kishin kontaktuar e nuk do t’ia linin hapësirën kohore që i lanë. E përmend sjelljen e politikës se ndonëse ardhja e afganëve u mbështet edhe nga populli, kush mund të vërë faj shqiptarëve të varfër, shumica e të cilëve nuk arrin të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për vete dhe fëmijët, që të shprehin acarim e padurim për mburrjen tonë për bujarinë e famshme shqiptare.

E vërteta është që ka pak bujari dhe zemërgjerësi në jetën e përditshme të shqiptarëve. Të kërrusur nga hallet e realitetit. Sidomos nëse je mes masës së njerëzve që duhet të dynden për të gjetur një vend në autobuset e mbushur mes pandemisë, atyre që kërkojnë dokumentin e radhës në serinë e burokracive për çdo hap të jetës, në kërkimin e dëshpëruar për një mjekim për familjarë të sëmurë, e plot të tjera. Mjafton për të parë sjelljen me plehrat private e publike për t’u druar se deri ku sakrifikon shqiptari i sotëm për një gjest bujar e human.

Shqiptarët shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, kur ende nuk kishte ardhur komunizmi që do t’i shkundte tërësisht strukturën e moralit shqiptar, përfshi edhe atë të lidhur me Besën, për të ndërtuar një versionin të tijin. Përpara se të jetonin 30 vjet në një materializëm të pashpirt e të pafytyrë. Nganjëherë mendoj se duhet të mburremi publikisht me shpëtimin e hebrejve vetëm nëse jemi të bindur se vërtet do ta kishim bërë edhe sot. Vetëm nëse edhe sot do të vinim në rrezik jetët dhe mirëqënien tonë për të shpëtuar dikë që nuk e njohim.

Nëse jo, atëhere më mirë të lëmë të tjerët, si ky profesor amerikan, që ta përmendin bujarinë tone e veprën tone të madhe humane të shpëtimit yë një populli që përndiqej në mbarë Europën, ndërkohë që ne thjesht të reagojmë duke buzëqeshur disi me ndrojtje, në mos me turp.