Një monografi pioniere

“Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë”

 

Anton Çefa

Anton Çefa

 

Në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Atdheut, është botuar në Tiranë libri “Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” – (Pjesa e parë), e autorit Anton Çefa.

Vepra i dedikohet popullit tonë, “që krijoi një kod etiko-moral të fisëm, në frymën e të cilit përftoi një identitet të fuqishëm etnik, kusht kryesor i mbijetesës, edhe pse në kushte historike të pafavorshme.”

Pas një parathënieje të shkurtër, vepra hapet me shkrimin: “Njohja e psikologjisë etnike, një domosdoshmëri për të gjithë”.

Shumë studiues, tanë dhe të huaj, kanë folur për tiparet e karakterit që cilësojnë popullin tonë, janë shkruar jo vetëm ese, por edhe libra për virtyte të veçanta morale; por deri më sot nuk është bërë ndonjë përpjekje t’i trajtojë ato si hallka të një sistemi të lidhura me njëra-tjetrën në një strukturë të veçantë etiko-morale dhe ta trajtojë këtë strukturë. Kjo është përpjekja e parë në këtë drejtim. Vetëm Atë Anton Harapi ka shfaqur një mendim për këtë çështje.

Janë trajtuar në këtë vepër disa nga tiparet arketipale të strukturës etiko-morale të popullit tonë, ato që përbëjnë bërthamën e saj, të tilla si burrnia, nderi, besa, ndorja, falja, mikpritja, dhe të tjera tipare më me peshë, më sinjifikative për psikologjinë tonë si dashuria për atdheun, malli i mërgimtarit, konservatorizmi, induvidualizmi, disa nga veset më të përhapura, etj. Janë dhënë, gjithashtu, mendime për karakterin arketipal të virtyteve të përmendura më lart, për lidhjet e marrëdhëniet mes tyre si hallka të një sistemi, për lashtësinë, origjinalitetin, fisnikërinë, karakterin e përbashkët etnik, që shquajnë këtë strukturë.

Për ilustrim dhe pasurim të lëndës, nën titullin “Lexime”, janë përfshirë shkrime dhe citime nga autorë tanë dhe të huaj, edhe kur ato nuk pajtohen plotësisht me mendimin e autorit. Kjo është bërë me qëllim që lexuesi të gjykojë e të krijojë një ide sa më objektive për dukurinë që trajtohet. Gjithashtu, janë përfshirë në fund, nën titullin “Shkrime poltësuese” gjashtë ese të autorit, të cilat lidhen me përmbajtjen dhe qëllimin e veprës dhe ndihmojnë në sqarimin e dukurive etnopsikologjike të trajtuara.

Natyrshëm që shumë virtyte a tipare karakteri të popullit tonë i gjejmë edhe tek popujt e tjerë. Përveç tipareve të veçanta që spikasin në psikën e shqiptarit dhe që e dallojnë popullin tonë prej popujve të tjerë, janë trajtuar edhe ato veti që i kanë popuj të tjerë, por i kemi edhe ne, duke qenë kështu edhe atribute shpirtërore tonat.

Në fund është dhënë bibliografia, kryesore dhe ajo e konsultuar, që i ka shërbyer autorit në trajtimin e lëndës. Autori është mbështetur kryesisht në burime të tilla të një rëndësie të dorës së parë si e drejta zakonore, folklori, historia, dhe në studimet e bëra në këtë fushë nga Eqrem Çabej, Faik Konica, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Ernest Koliqi, Giuseppe Valentini dhe ndonjë tjetër,  si edhe në vëzhgimet vetjake.

Në “Parathënien që i paraprin veprës, autori shkruan: “Jam i ndërgjegjshëm që kjo monografi është vetëm alfa e një etnopsikologjie shqiptare të plotë . Gjithsesi, shpresoj që do të mund të shërbejë për studime të mëvonshme më të plota, më të thella, më shkencore.” Në të ardhmen, autori do të botojë pjesën e dytë të veprës, ku do të përfshihen dukuri të tilla etnopsikologjike si : “Ndjenja e lirisë dhe e dinjitetit”, “Karakteri luftarak”, “Kulti i të parëve”, “Gruaja në psikën shqiptare”, “Etja për dije”, “Shije, ndjenja dhe atfësi artistike”, “Psikologjia si dëshmi e prejardhjes ilire dhe e autoktonisë së popullit tonë”, etj.

Etnopsikologjia nuk është ende një shkencë e trajtuar teorikisht. Nuk ka ndonjë monografi të veçantë të psikologjive etnike të popujve të ndryshëm; prandaj, gjatë trajtimit të lëndës, autori, në ndonjë rast, e ka parë të nevojshme të japë mendime vetjake për probleme të ndryshme.

Etnopsikologjia lidhet sa me filozofinë aq me etikën e moralin, sa me psikologjinë e përgjithshme aq me antrpologjinë, sidomos atë kulturore; ajo dëshmohet sa me letërsinë gojore e të shkruar, si dhe artet e tjera, aq edhe me historinë dhe me praktikën e përditshme jetësore.

Shpirti i një kombi, ajo substancë etike, intelektuale dhe e vullnetshme e vetëdijes dhe e nënvetëdijes së tij, është qenësia kryesore që e përcakton atë si komb i veçantë dhe e dallon nga kombet e tjera. Dëmtimi i kësaj substance bie shpërfytyrimin e kombit, humbja e saj bie humbjen e tij.

Parathënien, autori e përfundon me këto fjalë: “Kjo përpjekje imja për të evidentuar sadopak nga tharmet e shpirtit të popullit tonë le t’i shërbejë ruajtjes së kësaj substance, përjetësimit të shqiptarizmit!”

Comment

*