Një muaj paraburgim për tre të arrestuarit të enjten në rastin “Brezovica”

Prishtinë, 7 janar 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji tre të dyshuarve të arrestuar të enjten për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrare në rastin “Brezovica”.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj është marrë në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda.

“B.H. i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

A.Q. i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 2 të KPRK-së.

I.A. i dyshuar për shkak të veprave penale dhënia e ryshfetit nga neni 429 paragrafi 3 të KPRK-së; dhe veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së”,thuhet në arsyetimin e vendimit.

“Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre (3) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

(r.m.)

Comment

*