Një Picasso i ri në Amerikë

Nga Ruben Avxhiu

Nuk dua të bëhem mistrec, por që Hunter Biden, djali problematik i Presidentit Joe Biden që desh ia mori në qafë fushatën babait me skandalet e tij me prostituta, drogë, dhe biznese nga Ukraina në Kinë, tani ka dalë talent i madh në pikturë, është diçka që e nuk e besoj dot.

Një galeri që do të hapet në Manhattan (ku tjetër) do të paraqesë piktura që kanë çmime që variojnë nga 75,000 në gjysëm milionë dollarë.

Picasso dhe Dali nuk kanë pasur shifra të tilla në ekspozitat e para nëse i konverton me dollarët e sotëm. Mesa duket kur je gjeni nuk ka problem se ia fillove me artin në moshën 50 vjeç.

Galeria që do të ekspozojë xhevahiret me ngjyra të djalit të babait është sqaruar me Shtëpinë e Bardhë për t’u siguruar se blerja e pikturave nuk është në fakt blerje favoresh politike. Emrat e blerësve do të jenë sekret. Hunter Biden nuk do ta mësojë se kush ia ka blerë pikturat kështu që nuk do të mund të ndërhyrjë për blerësit që të sigurojë favore nga babai dhe administrata e tij.

Ky mekanizëm legal është sigurisht për të qeshur. Me teknologjinë e sotme ka një milion mënyra për t’i treguar piktorit provën e blerjes. Kush do të hidhte vërtet gjysëm milioni dollarë në xhepin e piktorit Biden nëse nuk do të ishte djali i njeriut më të fuqishëm të botës. Edhe sikur vërtet ai të jetë bekuar me një talent kaq të madh, të cilin e ka lënë pa shpërthyer në 51 vjetët e jetës së tij, kur babai nuk ka qenë President, nuk ka njeri që do ta besojë vërtet.

Tani, të gjithë ata që shkulnin flokët në median amerikane dhe në rrjetet sociale për patentat e Ivanka Trumpit në Kinë, kur babai ishte President, bëjnë sikur është mëse normale që djali teveqel i Presidentit Biden ka dalë një “zheni” që fshin milionat me penel. Për fat të mirë është pjesa tjetër e medias dhe botës së rrjeteve sociale, ata që nuk pipëtinin për konfliktin e interesave të biznesit dhe politikës së Familjes Trump që tani kanë zbuluar se kanë një ndërgjegje dhe na treguan se çfarë po bën ky mjeshtri tjetër.

Kur Trump kandidoi për President ai premtoi një shkëputje të plotë nga bizneset e tij. Në mënyrë të ngjashme, Biden premtoi se djali i tij nuk do të ishte më në borde korporatash ndërkombëtare me biznes në Kinë etj ku fuste në xhep miliona për ekspertizë biznesi që nuk e kishte.

Fëmijët e të dyve, sidomos djemtë tarallakë, kanë gjetur shumë mënyra për t’ia hedhur ligjit pasi baballarët u bënë presidentë. Për fat të keq politikës amerikane, medias, dhe drejtësisë i ka munguar bashkimi përtej politikës për të qenë vigjilentë dhe ndëshkues të rreptë ndaj fëmijëve mediokër e abuzues që si asnjëherë më parë në historinë amerikane po mjelin avantazhet prej prindërve në politikë.

Është pikërisht ai lloj bashkimi kundër korrupsionit që SHBA po na lut prej vitesh që ta realizojmë në vendet tona në Ballkan. Ironia është se beteja për një botë më transparente e më të ashpër ndaj korrupsionit që po udhëheq SHBA vjen në një kohë kur vetë sistemi amerikan po përjeton një partizanizëm të paparë. Ashtu si adhuruesit e Presidentit Trump që shohin vetëm hakmarrje politike në hetimet kriminale të bizneseve të tij që kanë abuzuar historikisht me ligjin pa asnjë problem sa kohë që ua mbushte xhepat demokratëve të korruptuar në New York, po ashtu edhe demokratët amerikanë apo aleatët e tyre në media e një organizata të ndryshme jo vetëm që kanë injoruar abuzimet dhe sjelljen e çoroditur të piktorit Hunter Biden, por kanë shkuar deri aty sa t’i dalin në mbrojtje e të ndëshkojnë ata që kanë zbuluar e botuar faktet diskretituese.

Të them të vërtetën historia e 30 vjetëve të paskomunizmit në Shqipëri po edhe periudha e pasçlirimit në Kosovë ka dëshmuar se shoqëria jonë shqiptare ka nevojë për presion nga jashtë dhe sidomos nga SHBA për të luftuar korrupsionin dhe padrejtësitë.

Por, vendet në BE, e sidomos SHBA do ta kenë të vështirë të ndihmojnë drejtësinë në vende të tjera, nëse sistemi në shtëpinë e tyre do të vazhdojë të rrënohet nga shija e rizbuluar për kulte kryetarësh e ekstremizmi ideologjik e partiak.

Kjo ekspozita e Hunter Biden duhet të hapet vetëm pa të drejtë shitjeje. Nuk dua t’i bie kot në qafë, se ka disa që thonë se nuk është edhe aq i keq si piktor dhe në fund të fundit, arti është gjithmonë subjekt interpretimi. Mirëpo, nuk ka asnjë diskutim këtu që çdo shitje pikture prej tij me çmime të bujshme do të shihet si korrupsion në familjen e Presidentit. Ai nuk po vuan nga uria. Van Goghu i famshëm vdiq pa shitur asnjë pikturë. Hunter Biden le të durojë edhe disa vjet sa të dalë babai në pension.