Një portret dhe… ca rreshta — Skënder Kamberi

Nga Qerim Vrioni

   Rreth dhjetë vite më parë, u organizua nga Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, një ekspozitë e veçantë e arteve pamore. Në këtë veprimtari, autorë të njohur të tablove kompozicionale të kohës së diktaturës do t’i riktheheshin atyre duke krijuar para publikut mbi idenë e punimeve  të tyre të vjetra, telajo të reja. Ndërmjet shumë artistëve të ftuar ishte edhe piktori i njohur Skënder Kamberi (dt.1939), Piktor i Popullit, miku im i hershëm.

     Ndër veprat më të mira të Skënder Kamberit, studiuesit e artit shënojnë: “Ndihma e shokut” (1966), “Rrethimi i Krujës (Vrana Konti)” (1968),”Portreti i Poetes Maro Pasho” (1973), ”Buka e duarve tona” (1976) dhe “Në Belvedere në Vienë, sikur pashë Skënderbenë“(1977). Piktura të tij, kryesisht kompozime, përveçse në organizime të ndryshme kombëtare, ku janë vlerësuar me çmime, janë ekspozuar edhe në disa shtete, si Egjipt, Francë, Angli, ShBA, Itali, Greqi, Gjermani, Turqi etj. Me penelat dhe telajot ai vazhdon edhe sot të takohet thuajse çdo ditë.

     Mbaj mend se atëherë, Skënderi kishte dëmtuar gishtin tregues dhe atë të mesit të dorës së djathtë dhe punonte pasi i kishte fashuar mirë ata, por disi me vështirësi. Ai do rikrijonte mbi një kompozim të tij të hershëm, subjekti i të cilit lidhej me Kongresin e Lushnjes (1920) dhe caktimin e Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë. Figura qëndrore e tablosë origjinale ishte nje vajzë e cila shpaloste Flamurin Shqiptar dhe i ngjante një shqiponje. Mbase kishte shumë patetizëm brenda saj, veçse në të binte në sy, sidomos e kuqja e Flamurit, mundet edhe sepse kështu e kërkonte koha.

     Në kompozimin e ri, Skënderi nuk ndryshoi shumë gjera në krahasim me të vjetrën, por për arsye a nxitje që vetëm ai i dinte, i hoqi të gjitha teshat vajzës dhe e paraqiti të shveshur. Ndoshta prej vitesh atij  i hanin duart dhe i digjnin sytë për të pikturuar dhe ekspozuar publikisht një femër krejtë të zhveshur, ose si i thonë në arte, një nudo. Gjatë kohës që ai vizatonte tablonë, e fotografova nga afër, ashtu të zhytur në pikturën e tij disa herë, prej tyre zgjodha këtë.

     Ishte tetor i vitit 2008.