Një publiçistikë që shpalos një vizion të krishterë të jetës

Intervistë e posaçme me gazetën “Illyria” e Dom Gjergj Metës, me rastin e vizitës në SHBA të një prej opinionistëve më të njohur e më me ndikim në debatin e sotëm publik shqiptar: “Religjioni, besimi nuk është privat, ai është personal, dmth i takon personit, por ky i fundit nuk mund t’i ikë përmasës shoqërore të ekzistencës së tij.”

 

Intervistoi Ruben Avxhiu

I nderuar Dom Gjergj Meta, mirësevini në Shtetet e Bashkuara. Cili do të jetë qëllimi i këtij udhëtimi dhe a është kjo vizita juaj e parë në SHBA?

Së pari, faleminderit për këtë intervistë. E ndjej veten të privilegjuar që gjetët mundësinë të bëjmë këtë bisedë. Në SHBA kam ardhur disa herë me ftesën e miqve të mi priftërinj katolikë shqiptarë këtu në New York, dom Pjetër Popaj, Famullitar i Zojës së Shkodrës dhe Don Nikolin Përgjini, Famullitar i Famullisë Shën Lucia në Bronx.

Qëllimet e një vizite në NY janë disa. Këtë herë përvecse të takoj miqtë e mi të shumtë kam ardhur gjithashtu që të zhvilloj edhe një bisedë rreth librit që kam publikuar së fundmi me titullin “Ditar Periferie”. Me kohë e kam pasur këtë dëshirë, të ndaj edhe me shqiptarët në NY mendimet e mia, meqenëse kam lexues të shkrimeve të mia edhe në këtë pjesë tjetër të botës që herë pas here më shkruajnë përshtypjet e tyre. Sigurisht ndër ta edhe gazeta “Illyria” që ka botuar shumë prej shkrimeve të mia e që e falenderoj përzemërsisht.

 

Ka qenë kënaqësi dhe nder për ne. Libri që keni botuar, përmbledh publicistikën tuaj të pasur në këto vite. Cilat tema besoni si më interesantet për lexuesin e librit tuaj? Çfarë temash kanë tërhequr në shumë vëmendje në vite dhe pse?

Sigurisht nuk mund t’i sygjeroj unë lexuesit temat që janë interesante për të, por gama e temave është mjaft e larmishme që dikush të gjejë atë që do, sikurse mund të ndodhë që edhe nuk gjen asgjë që i intereson. Temat e aktualitetit, komente mbi disa ngjarje të jetës shqiptare, nganjehëre edhe polemikat, kanë pasur interes tek lexuesit, ndoshta për faktin se kanë dashur të dëgjojnë mendimin e një prifti katolik.

 

Kush është sipas jush, lexuesi i mundshëm i librit tuaj. Çfarë tiparesh ka ky lexues?

Stili i shkrimeve të mia orvatet ndërmjet stilit gazetaresk dhe atij përmbajtësor. Jo se këto dy stile janë në kundërshtim, por në përgjithësi gjërat gazetareske janë për konsum, kurse gjërat që trajtojnë përmbajtje që tejkalojnë çastin, qëndrojnë në kohë. Me anë të një stili të shkurtër e për konsum, jam munduar t’u jap shkrimeve të mia ngjyrime akohore, pra të lexueshme në cdo moment dhe nga të gjithë. Sigurisht ky libër vlen për ata që kanë dëshirë të dijnë cili është vizioni i krishterë i jetës dhe i disa fenomeneve edhe pse aty janë opioninet e mia. Lexuesi duhet ta kuptojë këtë gjë e sigurisht duhet të ketë pak familjaritet me një lloj gjuhe që shkon përtej zhargonit të përditshëm, pasi mbart në vetvete edhe koncepte të teologjisë së krishterë dhe të mendimit filozofik.

 

Para vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, klerikët katolikë dominonin debatin publik në Shqipëri si dhe prodhonin pjesën më të madhe të studimeve të kohës në shumë fusha të shkencës. A është angazhimi juaj në media, një sinjal i rikthimit te ajo kohë? A ju frymëzon ai shembull e ajo periudhë?

Po e nis nga fundi. Ajo periudhë sigurisht që më frymëzon, por nga ana tjetër historia ka ecur përpara dhe nevojat e sotshme janë të ndryshme nga ato të atëhereshme e roli i klerit e i Kishës ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë.

Në vitet tridhjetë klerikët katolikë ishin ndër njerëzit më të shkolluar, pasi kishin studjuar në Universitetet më me emër të Europës, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë nuk kishte shkollim. Kurse sot nuk është ashtu. Ne kemi njerëz, besimtarë dhe jobesimtarë që janë më të përgatitur se priftërinjtë dhe mund të flasin për shumë tema më me kompetencë se sa ne. Kjo është një e mire, sepse e lejon meshtarin të kthehet në kontekstin e tij e të punojë më shumë në specifikën e tij. Por nga ana tjetër edhe një meshtar nuk mund dhe nuk duhet të harrojë përmasën e tij sociale që në rastin tim ka të bëjë edhe më një vokacion të brendshëm për komunikimin në media. Unë nuk e mendoj si një rikthim, por si një vazhdim në kohët moderne të përmasës sociale që duhet të shoqërojë medoemos punën e Kishës.

 

Shqipëria ishte dikur i vetmi vend ateist në botë. Mirëpo sot ka edhe droje për “më shumë fe se ç’duhet”, sidomos nisur nga rreziku i ekstremizmit fetar. Çfarë roli duhet të luajë sipas jush feja në shoqëri? Si është situata konkrete në trojet shqiptare?

Duhe t’i ruhemi me patjetër të dyja këtyre ekstremeve. Ndarja ndërmjet shtetit dhe fesë është një parim i shëndetshëm dhe jetësor për demokracinë. Në krye të herës kur Perandori ishte edhe Pontifex, Jezusi shpalli parimin e laicitetit: jepi Cesarit cka i takon Cezarit e Hyjit cka i takon Hyjit. Shteti duhet mbrojtur nga ndërhyrjet fetare, që mund të jenë një rrezik dhe anasjelltas. Ndërhyrjet e ndërsjellta kanë qenë në mesjetë kur abuzimet me parimin e laicitetitit kanë “martuar” altarin dhe shpatën e janë sot në shumë vende islamike ku ligji kuranor bëhet edhe ligj shteti. Qartësia e fushave të ndërsjellta dhe respektimi i autonomive të ndërsjellta është në themel të shtetit modern. Por në shumë raste vërehet dhe një lloj forme tjetër, jo më laiciteti por laicizmi, d.m.th. një lloj frike apo refuzimi total i gjithçkaje që është fetare, duke dashur ta shtyjnë ndjenjën religjioze vetëm në kufijtë e privates. Religjioni, besimi nuk është privat, ai është personal, dmth i takon personit, por ky i fundit nuk mund t’i ikë përmasës shoqërore të ekzistencës së tij. Çka do të thotë se nuk mund të ndalet kush të shprehë opioninin e tij, të marrë vendime edhe në jetën politike e shoqërore në bazë të orientimit të tij fetar. Është më se e ditur p.sh. në SHBA se si disa gjëra sikurse psh, martesat gay, aborti etj., për katolikët dhe një pjesë të të krishterëve të tjerë janë kundër religjionit. Sigurisht një katoliku që vjen në krye të vendit, apo në parlament apo në qeveri mund t’i kërkohet dhe nuk mund t’i qortohet pse vepron në bazë të bindjeve të tij fetare në lidhje me këto apo tema të tjera që prekin qoftë moralin e qoftë ligjin hyjnor apo natyror.

 

Ju vetë si e drejtpeshoni pozitën tuaj si zëdhënës i Kishës Katolike në Shqipëri, me dhuntinë tuaj si polemicist e intelektual publik? A ndodheni shpesh në udhëkryq zgjedhjesh morale e personale?

Aktualisht unë nuk jam më zëdhënës i Kishës Katolike në Shqipëri prej nëntorit të vitit të kaluar për shkak të detyrave të tjera brenda Kishës, por ama ruaj ende kontaktin me mediat dhe shpesh flas në emër të Kishës. Sigurisht që mund të ketë momente udhëkryqi, por bindja ime është se interesi i përbashkët duhet të jetë më i rëndësishëm se sa opinionet personale të gjithkujt. Momentet e udhëkryqeve i zgjidh duke iu bindur zërit të ndërgjegjes timë më së pari e në përputhje me të, strukturave të Kishës në të cilën unë bëj pjesë, i bindur se vullneti i Zotit kalon nëpërmjet këtyre dy insituticoneve shumë të rëndësishme.

 

Personalisht a ndjeheni më shumë si një prift që keni zbuluar prirjen e të shkruarit apo si një autor që ka gjetur veten te profesioni i fetarit? Cila është shfaqur e para?

Kam zbuluar prirjen time për të shkruar më herët se sa të bëhesha prift, por marrëdhënien time me botën e gazetarisë e kam ushtruar për shkak të detyrës time e aty ka filluar edhe kontakti im i mirëfilltë me botën gazetareske. Unë jam prift katolik e jo gazetar, por publicistikën, gazetarinë mediat në përgjithësi i kam pasion e vokacion.

 

Ju vini sot në SHBA, ku katolikët shqiptarë janë ndoshta njësia më dinamike e komunitetit shqiptaro-amerikan. Këtu u mbajt gjallë përkushtimi fetar në kohën që në Shqipëri u ndalua feja e u mbyllën objektet e kultit. Sot, kur shqiptarët janë në përgjithësi më afër njëri-tjetrin në botën e zvogëluar dhe globale, çfarë do të thotë kjo për katolikët shqiptarë? Çfarë roli mund të luajnë komunitetet në jetën e njëri-tjetrit?

Është befasuese se çfarë ndodh përreth komunitetit katolik në USA, në mënyrë të vecantë në New York e në Detroit. Më shumë kam njohur New York-un sigurisht ku përreth famullisë Zoja e Shkodrës bëhen shumë veprimtari. Një histori që duhet shkruar e shpresoj që dikush ta shkruajë me objektivitet duke filluar nga vitet 50, e larg pasioneve personale apo interesave të momentit që shpesh na gërryejnë ne shqiptarëve. Këtu ka nisur bërthamën e vogël të katolikëve shqiptarë Dom Zef Oroshi i cili me një personalitet të jashtëzakonshëm, ende sot i përmendur shumë ndër shqiptarë, i vuajtur në malet e Shqipërisë, pasi kërkohej për t’u vrarë prej regjimit komunist, me sakrifica të shumta të atyre që ishin afër tij, arritën të mbajnë në këmbë këtë bashkësi e të behen promovuesit e një Shqipërie të lirë. Nganjëherë Imzot Oroshi më duket si Moisiu që arriti deri në Malin Dan e pa tokën e premtuar, por kurrë nuk hyri në të. Ai jetoi deri në vitin 1989, por nuk hyri në Shqipërinë e lirë për të cilën kishte punuar e mbajtur gjallë frymën e diasporës këtu në NY. Bashkë me të e më pas Imzot Rrok Mirdita që sot është Arqipeshkëv në Tiranë me blerjen e tokës në Hartsdale dhe me frymën përbashkuese të shqiptarëve vazhdoi me sukses punën e Dom Zefit. E më pas me punën e Dom Pjetrit famullitarit aktual që ndërtoi Kishën, komuniteti i New York-ut “shpërtheu”. Tani janë shumë më shumë pasi kanë ardhur nga shumë vise shqiptare e puna që bëhet aty për ruajtjen e traditave dhe të gjuhës është për t’u lavëdruar e për t’u marrë në konsideratë edhe nga autoritetet shqiptare. Tani ne Shqipërinë falë Zotit e kemi të lirë, por kultura shqiptare, ajo më genuinja, më e mira sidomos gjuha që është aq e vecantë, duhet të ruhen e të përçohen në këto oaze Shqipërie që gjenden nëpër botë e Komuniteti i katolikëve në NY është një oaz i tillë.

Comment

*