Një sulm terrorist që na prek të gjithëve

Ruben Avxhiu

Organizata HIAS e cila ishte në shenjestër të urrejtjes së terroristit që sulmoi sot sinagogën në SHBA ka histori që e lidhin me shqiptarët

Sot, në mëngjez, një sulm terrorist në një sinagogë të njohur në Pitsburg, Pensilvenia ka shkaktuar së paku 10 të vrarë dhe disa të plagosur në gjendje kritike.

Akti është dënuar nga e gjithë klasa politike, duke filluar nga president Donald Trump, si dhe organizata e figura të njohura në vend.

Thirrje po bëhen për qetësimin e retorikës politike, debatimin e çështjes së shitjes në treg të armëve të kalibrit të lartë, të mostolerancës dhe antisemitizmit, etj.

Ky mund të jetë sulmi më i rëndë në një tempull të besimit hebre në gjithë historinë e Amerikës.

Terroristi i arrestuar duket se ka ushqyer prej kohësh deliret konspirative që akuzojnë hebrenjtë për të gjithë të këqiat e kësaj bote.

Në mesazhet e tij delirante në rrjetet sociale edhe Presidenti Trump është një kukull në duart e hebrenjve.

Në mesazhin e tij të fundit kërcënohet organizata HIAS që ndihmon refugjatët nëpër botë. Në vizionin e neonazistëve të çakërdisur si Robert Bauërs, hebrenjtë po sjellin myslimanë në Perëndim që të prishin pastërtinë e racës së bardhë.

Vrasja e njerëzve të pafajshëm, të shtunën në mëngjez, për t’u hakmarrë për një agjensi humanitare është një akt i turpshëm terrorizmi. Në vend që të sulmohet nga njerëz të çekuilibruar si terroristi i sotëm (tani në pranga), HIAS meriton lavdërime për punën e saj humanitare në vite.

Veç të tjerash, HIAS ka histori që e lidhin me shqiptarët në vite.

E themeluar në 1881, në një zyrë të vogël në Upper East Side, në Manhattan, për të ndihmuar hebrenjtë që shpëtonin të gjalë nga pogromet e tmerrshme në Rusi, HIAS e ka zgjeruar veprimtarinë e saj për të ndihmuar hebrenjtë në vende të ndryshme të botës.

Në 1904, organizata kishte një zyrë të sajën në Ellis Island për të ndihmuar emigrantët hebrenj me vizitat mjekësore, detajet burokratike. Emigrantëve të sapo mbërritur u tregohej se ku mund të strehoheshin, adresat për ndihmë humanitare, kuzhinat e supës falas, si dhe 25 dollarë të holla në dorë për të filluar jetën e re në Botën e Re.

Kjo ishte organizata që në vitin 1991, kontaktoi Dr. Anna Kohen për të ndihmuar sjelljen në SHBA të dhjetëra hebrejve nga Shqipëria. Mbërritja e tyre në qershor të atij viti ishte një ngjarje për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Disa nga fotografitë e asaj ngjarje, që mund t’i shihni këtu, janë postuar nga Dr. Anna Kohen në Facebook.

Ndërsa emigrimi i hebrejve filloi të bëhej gjithnjë e më i rrallë në ndërrimin e shekujve dhe mijëvjeçarit, HIAS ndryshoi natyrën e punës së saj për të ndihmuar tani refugjatët pa dallim feje e kombësie.

Për kuriozitet emigrantët e parë johebrenj që kanë ndihmuar kanë qenë refugjatë të luftës nga Kosova në vitet 1998-1999.

Në vitin 1998, Judith Bernstein-Baker sapo kishte filluar si drejtoreshë në HIAS dhe Këshillin për Shërbime ndaj Migrantëve, kur dikush e telefonoi në zyrë.

Ajo kishte qendruar vonë atë ditë dhe mendoi se ishte i shoqi që e telefononte. Në fakt, ishte një zyrtar nga doganat e Shteteve të Bashkuara në një aeroport.

Para tij ndodhej një familje nga Kosova që kishte arritur të hypte në avion pa viza amerikane dhe tani rrezikonin të burgoseshin nga sigurimi i emigracionit, nëse një organizatë humanitare nuk bëhej garant për të.

Judith që e ka treguar këtë histori për gazetën “Jewish Exponent” thotë se menjëherë kishte nisur një seri telefonatash derisa kishte siguruar strehim për familjen nga Kosova, ndonëse ata nuk ishin hebrej. Në muajt që vijuan HIAS ndihmoi që ata shqyrtonin mundësitë për të siguruar qendrim ligjor në SHBA. Në fund, familja u zhvendos në Kanada te një i afërm.

Ishte hera e parë, 117 vjet mbas krijimit, që HIAS kishte ndihmuar refugjatë johebrenj. Kriza e refugjatëve nga Kosova që pasoi bëri përshtypje të madhe për organizatën.

Pas 11 Shtatorit, HIAS e transformoi tërësisht misionin e vet. Tani refugjatë nga e gjithë bota kërkojnë dhe marrin ndihmë prej tyre.

Në vitet e fundit, HIAS vepron në harmoni me organizatën “Islamic Relief USA” për të ndihmuar edhe refugjatët nga vendet myslimane.

E kaluara e hebrejve si emigrantë të përhershëm i frymëzon sot që të ndihmojnë të tjerët që janë në situate të ngjashme.

“Dikur ndihmonim refugjatë sepse ishin hebrenj, sot ndihmojmë refugjatë sepse jemi hebrenj”, e përmbledh bukur misionin e organizatës, Mark Hetfield, President dhe CEO i HIAS-it.

Është një frymë që duhet përshëndetur e marrë shembull, jo urryer e luftuar, Ky sulm terrorist sot në Pitsburg, na prek të gjithëve. (Ruben Avxhiu)

One Response to “Një sulm terrorist që na prek të gjithëve”

Read below or add a comment...

  1. Pergezime i dashtuni koleg Ruben, per kete shkrim ndertues dhe thellesisht njerezor.

    Edhe une jam ndihmue me emigrue nga organizata IRC (International Rescue Committee) themlue para L2B me ndihmue vikttmet e diktatures naziste, dhe mbas luftes tue perfshi edhe jo-izraelitet, ashtu si une dhe mijera te tjere. Kjo ashte fryma e shoqenise se re te mbasluftes: ndihmoni njeni tjetrin, dhe shpetoni njerezimin!