NJË UDHËTIM ATY KU LINDI GAZETA “DIELLI”

-Nga vizita në Boston e përfaqësuesve të “Vatrës” dhe gazetës “Dielli”-

Nga Fuat Memelli

Data 15 shkurt, është një ditë e shënuar në historinë e shtypit shqiptar. 110 vjet më pare, nisi botimin gazeta me emin e bukur “Dielli”. Është një rrugëtim i gjatë që tashmë e ka kaluar shekullin. Shtëpia ku lindi dhe hodhi shtat kjo gazetë, është qyteti i Bostonit, kryeqendra e shqiptarëve të hershëm të Amerikës dhe një nga vatrat më të rëndësishme të shqiptarizmës në diasporë. Editor i parë i saj ishte Fan Noli. Në fillim gazeta ishte organ i Shoqatës “Besa-Besën”. Qysh në hapin e pare, motoja e saj ka qënë: “Një Shqipëri për shqiptarët”. Me krijimin e “Vatrës” në vitin 1912, gazeta u bë organ i saj, ku vazhdon të jetë edhe sot.

Ka ditë që Federata Pan-Shqiptare “Vatra” dhe gazeta “Dielli”, kanë nisur punën për përkujtimin e kësaj ngjarjeje. Është bërë një takim i veçanttë i kryesisë së “Vatrës”, është shpallur në gazetë  konkursi për shkrime, foto, dokumenta, etj që kanë lidhje me këtë përvjetor. Ngjarja kryesore do të jetë një konferencë shkencore që do të mbahet në Neë York më datën 6 prill. I parapriu veprimtarive të këtij përvjetori, vizita e një grupi të “Vatrës” të kryesuar nga kryetari Dritan Mishto dhe editori i “Diellit”, Dalip Greca në mjediset e Bibliotekës Noliane, pranë kishës së Shën Gjergjit . Miqtë nga Neë Yorku u pritën nga kancelari i kësaj kishe , At Artur Liolini dhe punonjësja e bibliotekës , Neka Doko. Pasi i uroi miqve mirseardhjen, At Arturi theksoi se gazeta “Dielli” dhe kisha e Shën Gjergjit, kanë qënë si dy binjakë. Gazeta nxiti shpirtin patriotik të shqiptarëve dhe u bë një zëdhënëse e fuqishme e diasporës shqiptare të Amerikës. Gjatë rrugëtimit 110 vjeçar, “Dielli”  ka patur ule-ngritjet e tij por  ka mbijetuar falë përkushtimit të Fan Nolit, Faik Konicës dhe editorëve të “Diellit”. Noli dhe Konica kanë patur marveshje e mosmarëveshje por  ata i bashkonte idea e përbashkët e për mbrojtjen dhe lartësimin e kombit shqiptar. Më pas At Arturi solli kujtime nga puna e tij në vitet e rinisë kur ishte edhe korespondet i “Diellit”.

Kryetari ‘Vatrës” Dritan Mishto, pasi falenderoi për mikpritjen dhe bashkëpunimin, theksoi :”Ne menduam që festimet e 110 vjetorit të”Diellit” t’i fillojmë nga Bostoni, qyteti ku nisi rrugëtimin kjo gazetë.”Vatra” nuk mund të kuptohet pa Bostonin, pa kishën e Shën Gjergjit dhe pa Bibliotekën Noliane. Më pas ai vlerësoi punën plot përkushtim të editorit të sotëm të Diellit , Dalip Greca, i cili sipas tij ka qënë arkitekti dhe stabillzues i gazetës në 10  vjetorin e fundit.

Takmi vazhdoi me fjalën e bashkëpunëtores së bibliotekës, Edlira Athanas. Ndër të tjera ajo lexoi përshëndetjen e peshkop Fan Nolit, me rastin e 50  vjetorit të gazetës “Dielli”, e cila mban datën   24 gusht 1949. Ndër  të tjera  në përshëndetjen e Nolit, theksohej: …” Për shpëtimin e kësaj copë Shqipërie të vogël, neve shqiptarët e Amerikës, me anë të “Vatrës” dhe “Diellit”, duhet të jemi  kryelartë, se me sakrificat tona, shpëtuam Shqipërinë nga copëtimi, krijuam kishën kombëtare, botuam libra me rëndësi  letrare, kombëtare dhe kishtare, dhe me anë të Diellit mundëm të mbajmë gjuhën dhe zakonet tona të gjalla për një gjysëm shekulli”.  Ai e mbyllte përshëndetjen e tij me urimin që “Dielli” të festojë edhe 100 vjetorin. Por, ja erdhi dita dhe gazeta e kaloi shekullin. Të tjerë përvjetorë do festojë “Dielli” dhe të tjerë editorë e bashkëpiunëtorë do ta mbajnë “ndezuar” prushin e shqiptarizmës  që ka patur ndër vite kjo gazetë.

E “zonja e shtëpisë” punonjësja e Bibliotekës Noliane, Neka Doko, e cila kishte ekspozuar edhe disa numura të gazetës”Dielli” për t’u parë nga vizitorët, theksoi përkushtimin e Fan Nolit, të Faik Konicës dhe editorëve të “Diellit” ku midis tyre spikat Qerim Panariti, i cili ka qënë për 20 vjet editor i saj. 70 vjet kjo gazetë e ka patur qendrën në Boston. Gazeta pati jo vetëm idealin e Nolit por edhe erudicionin e tij, të cilin e vuri në shërbim të çështjes shqiptare, theksoi folësja. Më pas pjesëmarrësit bënë vizitë në arkivin e kësaj biblioteke si dhe në mjediset e kishës së Shën Gjergjit. At Arturi i njohu miqtë me kontributin e shqiptarëve për ndërtimin e kësaj kishe, me punën e piktorit dardhar, Nikolla Zengo, i cili ka bërë ikonostasin e kësaj kishe. Më pas ai u tregoi një flamur të vjetër që mbahet në kishë dhe që i përket vitit 1908. Këtu pranë flamurit, Guri Stefani recitoi poezine e njohur të Nolit “Himni i flamurit”, ndërsa Sami Hajdini, recitoi një poezi të tij kushtuar flamurit tonë kombëtar. Në mbyllje të vizitës, kryetari i “Vatrës” Dritan Mishto, editori i “Diellit” Dalip Greca, shoqëruar nga At Arturi, bënë një vizitë në dhomën e vogël të kishës ku ndodhet edhe karikja ku ulej Noli. Këtu ai vinte para meshës dhe bënte përgatitjen e nevojshme . Miqtë e ardhur nga Neë Yorku, morën me vete plot mbresa të bukura nga kjo vizitë. Lek Përleshi me origjinë nga Klina e Kosovës, tek po ndaheshim tha:” Unë kam vizituar shumë kisha nëpër Botë, por një frymë patriotizmi që kam parë te kjo kishë, nuk e kam ndeshur në asnjë  tjetër”. Të pranishmit bënë mjaft foto e vidjo. Një punë të veçantë me vidjo e foto, bëri Adem Belliu, i Televizionit “Albanian Culture” me qendër në Neë York.

Në mbyllje të këtyre rradhëve, dua të theksoj se dy gazetat shqiptare që dalin në Amerikë, “Dielli” dhe “Illyria” që drejtohen përkatësisht nga Dalip Greca e Ruben Avxhiu, janë zëdhënëse të komunitetit shqiptar në Amerikë e përtej saj. Në faqet e tyre kanë zënë vend publikime jo vetëm të shqiptarëve të Amerikës, por edhe nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut si dhe studjuesve e politikanëve të huaj të çështjes shqiptare dhe kombit shqiptar. Këto gazeta kanë qenë e do jenë gjithëmonë  derë e hapur për shqiptarët dhe miqtë e tyre.