Një vajzë 9-vjeçare u përdor për të futur kokainë në burgun e Kukësit

Tiranë, 23 dhjetor 2021 – Një vajzë vetëm 9 vjeçare është përdorur për të futur në qelitë e burgut në Kukës një sasi kokaine.

Ministria e Drejtësisë bëri tëditur gjatë ditës së djeshme se është kapur një sasi prej rreth 50 gramë kokainë, e cila ishte fshehur brenda një tullumbaceje. Vajza, bashkë me familjarët, po shkonte për ta takuar babanë e saj, shtetasin Gazmend Ilazi, i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Kukësit.

“Gjatë veprimeve procedurale të takimeve (kontrollit fizik) mes familjarëve dhe personave në konflikt me ligjin në IEVP Kukës, është kapur një sasi pluhuri të bardhë (rreth 50 gramë) i dyshuar si lëndë narkotike. Lënda u gjet brenda një tullumbaceje, në xhupin e vajzës 9-vjeçare të të paraburgosurit G.I”, shpjegoi Ministria e Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë sqaroi gjithashtu se për veprime dhe hetime të mëtejshme është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, Policia e Shtetit dhe Prokuroria. Ky është ndër rastet e rralla në vendin tonë kur të miturën të kësaj moshe përdorin si transportues droge. Ende nuk dihet se për çfarë rezulton arrestuar personi në paraburgim, të cilit do t’i jepej lënda narkotike. Hetimet e mëtejshme do të zbulojnë edhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë aktivitet. Gjatë këtij viti janë zbuluar disa raste të tentativës së futjes së lëndëve narkotike në qelitë e burgut. Një 67-vjeçar, i cili tentoi të fuste drogë në ambientet e burgut në Durrës u arrestua gjatë muajit shkurt.

Në atë kohë, shtetasi me iniciale K. R., ishte drejtuar në ambientet e IEVP Durrës, për të futur disa produkte ushqimore për djalin e tij, i cili ndodhet në paraburgim. Gjatë kontrolleve policia i ka sekuestruar dy doza me lëndë narkotike heroinë dhe dy doza me lëndë narkotike kanabis stativa.

Policia sqaron se shtetasi K. R., nuk ishte në dijeni të produkteve narkotike të gjetura në çantë, pasi ato ishin vendosur pa dijeninë e tij nga shtetasi M. N., një i afërm i tyre. Ndërkohë, një gardian u arrestua po atë muaj, pasi fuste lëndë narkotike në qelitë e burgut të Fushë Krujës. Sipas njoftimit zyrtar, gardiani me inicialet B.M., 28 vjeç, nga fshati Luz i Krujës fuste drogë në burg.

“Rreth orës 07:30 gjatë kontrollit të ushtruar për të hyrë në regjimin e brendshëm këtij punonjësi iu gjetën e bllokuan një sasi prej 30.8 gramë lëndë narkotike kanabis sativa, lëndë narkotike të fshehur në trup. Kapja në flagrancë e këtij punonjësi u bë nga SHKBB-ja në bashkëpunim me IEVP-në Fushë Krujë. Kontrolli i imtësishëm i këtij punonjësi dhe kapja në flagrancë u bë pas indiceve dhe informacioneve që disponoheshin që më parë nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve se ky punonjës policie merrej me aktivitet të kundërligjshëm si futja e lëndëve narkotike në regjimin e brendshëm të IEVP-së Fushë Krujë”, sqaron Policia.

Njëkohësisht me kapjen në flagrancë të këtij punonjësi të policisë, në bashkëpunim me Policisë Vendore në Fushë Krujë, u ushtrua kontroll në banesën e këtij punonjësi. Në banesën e tij në fshatin Luz të Krujës u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi tjetër prej 17. 92 gramë lëndë narkotike kanabis sativa.

(r.m.)