Një vështrim i thellë, shumështresor e kritik, për arsimin në Kosovë

Zijadin GASHI

(Reçension për librin e Azem Azemit “REFLEKSIONE ARSIMORE 2 – Kështu nuk qeveriset me arsimin në Kosovë”, botim i ZERO PRINT, Prishtinë, 2021)

Kërkesën e Azem Azemit për të qenë redaktor i këtij libri, të cilin po e promovojmë sot e pranova pak me hezitim për shkak se tematika të cilën do ta trajtonte ky botim më është dukur delikate, e politizuar tej mase, ndoshta për mua e panjohur në finesa të cilat e kanë dëmtuar por edhe e kanë përparuar sistemin e sotëm të arsimit në Kosovë.

Po ashtu edhe dyshoja në vetëvetën pasi që 12 vite jam në pension. Objektivisht është e mundur se nuk i kam percjellë në kontinuitet rrjedhat në arsimin e Kosovës, përkundër asaj që tërë veprimtarinë time jetësore e kam pasë të lidhur me arsimin.

Përpos kësaj, disi kisha dyshime se mos autori i librit, Azem Azemi, ndoshta mbarështrimin e  lëndës do ta bëjë me emocione, duke dominuar subjektiviteti. Përveç kësaj, edhe mendoja se autori nuk do të mund të arrijë deri të burimet dhe informatat autentike e kredibile, sepse edhe ai ky ka vite që është në pension. Por, gjatë leximit të këti punimi vërejta se kisha pasë hezituar pa nevojë.

Meqenëse Azem Azemi ka përvojë të madhe dhe të frytshme në arsim, si mësues në arsimin fillor dhe profesor në arsimin e mesëm, si pedagog shkolle, si gazetar për arsim dhe edukim në Radiotelevizionin e Prishtinës, si gazetar në gazetat shqipe të kohës të viteve 1990 -1999, në të cilat botonte informata dhe artikuj professional, sidomos nga lëmi i arsimit dhe edukimit, këshilltar arsimor në Këshillin e Arsimit të Komunës së Prishtinës, ekpert profesional në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës për hartimin e Kornizës Kurrikulare dhe të kurrikulave të arsimit dhe edukimit parauniversitar të Kosovës që nga viti 2000 deri në vitin 2018, anëtar i komisionit të MASHT-it për hartimin e strategjive për zhvillimin e arsimit në Republikën e Kosovës, hartues i raporteve periodike dhe vjetore të punës së MASHT-it, hartues dhe krijues i programit të të dhënave statistikore për arsimin parauniversitar dhe universitar të Republikës së Kosovës, anëtar  i komisioneve për hartimin e udhëzimeve administrative të MASHT-it, anëtar i komisioneve të MASHT-it për pranimin e kuadrit arsimor dhe të personelit menaxhues të institucioneve arsimore, pjesëmarrës dhe ligjërues në shumë seminare dhe konferenca kombëtare dhe ndëkombëtare të arsimit dhe të edukimit, e të tjera, në të cilat është treguar pedagog me ndërgjegje të lartë profesionale, transparent, i sinqertë dhe kompetent në punë, bashkëpunues me kolegë, njeri i dijes dhe i lapsit, pranova të jem redaktor i këtij libri dhe për këtë punë që e kam kryer ndihem i nderuar.

Unë nuk do të zgjatem në përshkrimin e përmbajtes së librit, sepse njoftimet e hollësishme do t‘ua zbehin interesimin për ta lexuar, prandaj në vijim do t’ju jap disa informata të shkurtra.

Ky libër (Refleksione Arsimore 2) është vazhdim i botimit të mëparshëm të Azem Azemit “Refleksone Arsimore 1”, në të cilin shkruhej kryesisht për gabimet ndoshta të qëllimshme e subjektive në zhvillimin e sistemit të Arsimit në Kosovë gjatë viteve 2000-2017, si dhe gjatë vështrimeve kritike të këtyre gabimeve jepeshin edhe propozime për përparimin e Arsimit. Kurse botimi “Refleksione Arsimore 2” e trajton zhvillimin e Arsimit në Republikën e Kosovës gjatë viteve 2017-2020, me ç’rast paraqiten problemet e kryerjes, përkatësisht të moskryerjes së punëve me kompetencë juridike dhe profesionale që nga institucionet arsimore e deri të organet më të larta legjislative dhe profesionale të Republikës së Kosovës.

Libri i ka 204 faqe. Fillon me Parathënien dhe mendimin e recenzentit Prof. Dr.Demë Hoti, kurse tematika e tërësishme e lëndës së shtjelluar ndahet në 12-të kapituj dhe përfundon me Post Scriptum – Analizë e shkurtër e Programit për Arsim të Qeverisë të Republikës së Kosovës 2021 – 2025.

Tematika e zgjedhur për t’u trajtuar në të gjithë kapitujt është shumë aktuale dhe përfshin një gamë të gjerë të çështjeve me të cilat ballafaqohet arsimi (sistemi arsimor) në Kosovë qe një kohë të gjatë. Trajtimi i temave të ndjeshme si: “Për një sistem unik arsimor  në Kosovë”, (çështje kjo që e gërryen përbrenda sistemin arsimor qe 20 vite); për një strukturë të re organizative të MASHT-it, sepse struktura aktuale e MASHT-it tashmë nuk është kompatibile me fushëveprimtarinë e arsimit dhe edukimit; Mësimi tërëditor që, në essence, nuk është duke u kuptuar mirë, as si formë as si përmbajtje e organizimit të procesit mësimor, etj, etj., e deri të kapitulli i fundit që e trajton përgjegjësinë dhe llogaridhënien në udhëheqje dhe menagjjm të procesit mësimor nga të gjitha nivelet arsimore, prej MASHT-i e deri te shkolla, si dhe organizatat qeveritare dhe joqeveritare që merren me çështje arsimore në Kosovë.

Trajtimi i tillë, i argumentuar, profesional dhe kritik i të gjitha çështjeve të shtjelluara në këtë libër vetvetiu na sjell te konkludimi se kështu nuk bën më të vazhdohet me qeverisjen dhe menagjimin e arsimit në Kosovë.

Autori, megjithatë, për çdo çështje të trajtuar në këtë libër e jep një opinion të tij se si e sheh zgjidhjen e këtyre problemeve.

Libri është shkruar me kujdes dhe ka një rrjedhë të lartë logjike mes kapitujve, me gjuhë të rrjedhshme, korrekte dhe shumë profesionale, prandaj çdo lexues i cili merret në ndonjë formë me arsimin e bën kurreshtar për ta lexuar dhe ky lexim do ta ndihmojë për të dhënë gjykime për gjendjen e tashme në arsimin kosovar.

Mendoj se jo vetëm MASHT-i, por edhe strukturat tjera arsimore të nivelit lokal (DKA-të dhe shkollat) që merren me politikëbërje dhe me menagjimin e arsimit, këto dy libra të Azem Azemit duhet t’i shfrytëzojë si literaturë primare, e cila do të ndihmojë në tejkalimin e vështirësive dhe dobësive subjektive dhe objektive në qeverisjen dhe menagjimin e arsimit në Republikën e Kosovës.