Një vit ndryshe për organizatën dy-gjuhësore AADLC dhe shkollën shqipe Children of the Eagle

New York, dhjetor 2020 – Viti që po lëmë pas ka qenë me shumë sfida edhe për organizatwn tone ashtu si për të gjithë individët, organizatat, institucionet, etj. Megjithatë, falë devotshmërisë dhe profesionalizmit të Bordit drejtues të organizatës, falë mbështetjes së miqve dhe dashamirësve të misionit tonë, organizata shqiptaro-amerikane e dy gjuhëve dhe kulturave paralele në New York ka përmbushur disa arritje duke e bërë edhe 2020-ën një vit të suksesshëm në rrugën e saj.

Në muajin shkurt, me një festim masiv dhe cilësor, fëmijët shqiptarë festuan Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. E shpallur nga UNESCO qysh në vitin 1999, kjo datë domethënëse për emigrantët, u festua për herë të parë nga shqiptarët në New York. Festimet u shoqëruan me një koncert të bukur nga fëmijët e shkollës shqipe “Children of the Eagle” që operon me disa klasa në Westchester County dhe në Bronx. Children of the Eagle u nderua me proklamata nderi nga z. Mark Gjonaj, Këshilltar në Qytetin e New Yorkut, si dhe nga dy Ligjvënësit Vedat Gashi dhe David Tubiolo nga Westchester Board of Legislators.

Po në muajin shkurt, për arritjet në proçesin mësimor si dhe promovimin e vlerave kombëtare, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, nderoi shkollën shqipe Children of the Eagle me mbishkrimin: Për kontributin e dhënë në ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqipe.

Me situatën e re shkaktuar nga pandemia, qysh në muajin prill mësuesit e shkollës Children of the Eagle transferuan klasat dhe mësimin online me platformën Google Classroom, platformë e cila përdoret nga të gjitha shkollat publike të New Jorkut. Ndërsa me fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijët tanë ndjekin programin e shkollës shqipe edhe fizikisht, edhe online. Fëmijët që ndjekin programin fizikisht në klasë mblidhen tek selia e federatës panshqiptare Vatra, shoqata e parë shqiptare e formuar 108 vjet më parë nga Faik Konica, Fan Noli e atdhetarë të tjerë të njohur. Kjo seli që është si një museum në miniaturë u ka dhënë nxënësve tanë mundësinë të njohin nga afër shumë elemente të historisë dhe traditës sonë kombëtare dhe në të njëjtën kohë, u ka shtuar dëshirën e vullnetin për të mësuar shqip. Paralelisht me programin nw ambient fizik, fëmijë të tjerë ndjekin rregullisht mësimin online të grupuar sipas moshës dhe njohurive gjuhësore në tri nivele të ndryshme. Google Classroom si një platformë komplekse e dizajnuar pikërisht për mësimin online gërshetohet me Google Meet dhe aplikacione të tjera që e bëjnë mësimin interaktiv e të frutshëm. Nxënës nga Connecticut, nga Florida dhe biles edhe nga Anglia i janë bashkuar shkollës Children of the Eagle në mësimin në distancë (online).

Për më tepër, organizata e dy gjuhëve dhe kulturave paralele shqiptaro-amerikane (AADLC) e cila ka në bordin e saj profesionistë dhe expertë nga fusha të ndryshme nuk e kufizon punën dhe kontributin e saj vetëm me nxënësit dhe programin e gjuhës shqipe. Për tri vjet me radhë, AADLC (Association of Albanian-American Dual Language & Culture) mbledh mësimdhënës, prindër,  kontribues të çështjes së ruajtjes së identitetit kombëtar, etj, në një aktivitet profesional ku referohen studime në fushën e mësimit të gjuhës amtare dhe shkëmbehen experienca dhe ide në shërbim të perfeksionimit të punës dhe rezulateve në këtë fushë. Me gjithë vështirësitë e këtij viti, Seminari i III-të i mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e diasporës u organizua me sukses më datën 12 shtator 2020. Ky seminar u realizua virtualisht nëpërmjet platformës Zoom. Për herë të parë pjesëmarrësit i tejkaluan kufijtë e zonës së tri-shtetëshit New York – New Jersey – Connecticut siç kishte ndodhur më parë. Pjesëmarrës të shkollave shqipe apo organizatave nga Ukraina, Gjermania, Belgjika dhe Pennsyvania, SHBA sollën përvoja, mendime, si dhe referate shkencore me vlerë mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Ndër tër tjera, pjesëmarrësit vlerësuan fjalën dhe sugjerimet e të ftuarve të nderit, z. Mal Berisha, ish ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, studiues, autor librash etj. si dhe z. Frank Shkreli, drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (National Albanian American Council-NAAC), ish drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, gazetar, dhe publicist. Materiale të zgjedhura nga seminari shkencor me temë “Arritje dhe perspektiva të mësimit së gjuhës në shkollat shqipe të diasporës” janë përmbledhur në një libër që së shpejti do të jetë në duart e mësuesve, prindërve dhe të gjithë lexuesve që kanë interes në ruajtjen e përhapjen e gjuhës dhe kulturës sonë. 

Një falenderim i veçantë shkon për punën e palodhur të Bordit drejtues të AADLC: Drita Gjongecaj, kryetare e organizatës si dhe anëtarëve (në renditje alfabetike këtu) Holta Ahmataj, Alban Biba, Marjana Zeneli Bulku, Hegland Doci, dr. Arjeta Ferlushkaj, Ornela Hasandocaj, Arjana Kurti, prof. Mirjana Lukic, dhe dr. Azeta Kola Zhabjaku.

Projekte të tjera na presin në vitin në vazhdim. Urojmë që të jetë vit i mbarë për të gjithë shqiptarët anembanë botës. Gëzuar vitin e ri 2021!