Një vit nga dhuna e 8 Janarit: Alibeaj përjashton nga Grupi Parlamentar katër deputetë të PD-së

Grupi Parlamentar i PD në Kuvend do të ketë në seancën e radhës katër deputetë më pak. Kjo, për shkak se kryetari Enkelejd Alibeaj i ka dërguar shkresë Nikollës dhe e vë në dijeni për vendimin, një vit pas dhunës në selinë blu më 8 janar.

Enkelejd Alibeaj arsyeton se Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj përjashtohen nga Grupi Parlamentar sepse edhe pas një viti, nuk janë distancuar nga dhuna që militantët e Sali Berishës ushtruan më 8 janar 2021.

“Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023”, thotë njoftimi. 

Ky vendim është marrë më 10 janar 2021 nga kryedemokrati Lulzim Basha, ku mes 9 deputetëve të pezulluar, ishin dhe katër ligjvënësit që u përjashtuan sot. Pas një viti të plotë, ata thuhet se nuk janë distancuar ndaj rrjedhimisht janë përjashtuar nga Grupi Parlamentar.

Njoftimi i plotë i Grupit Parlamentar të PD, drejtuar nga Alibeaj:

Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj.

Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar.

Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023.