Një yll për shqiptarët e Luginës në flamurin e Kosovës

Pas reagimeve në Luginën e Preshevës, Kuvendi i Kosovës voton këtë javëpër rezolutën – Jakup Krasniqi ka kërkuar harmonizimin e qëndrimeve lidhur me tekstin

 

Nga Ramadan Muçolli

PRISHTINË, 3 qershor 2013 – Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që Rezoluta për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë të nxirret për votim në seancën plenare të radhës, e cila është caktuar të mbahet të enjten, më 6 qershor. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga shefat e grupeve parlamentare që deri të enjten t’i harmonizojnë qëndrimet lidhur me tekstin e rezolutës.
Debati lidhur me Rezolutën ishte zhvilluar në seancën e kaluar, ditën e premte, por teksti i rezolutës nuk ishte vënë në votim. Punimet e seancës ishin ndërprerë, për shkak të mungesës së kuorumit.
Rezoluta për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e cila është propozuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, kërkon nga institucionet shtetërore të Kosovës një përkujdesje zyrtare për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në rajon dhe për shqiptarët e rajonit që janë shpërngulur në Kosovë. Gjatë arsyetimit të propozimit të tij, deputeti Haziri ka propozuar edhe hapjen e zyrave për shqiptarët e shpërngulur në Prishtinë dhe në Gjilan, si edhe sigurimin e lehtësirave për qarkullim, shkollim e afirmim kulturor dhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve, përfshirë heqjen e taksës së sigurimit të automjeteve.
Propozimi i deputetit Haziri ka hasur në përkrahjen parimore të shumicës së grupeve parlamentare, të cilat janë pajtuar me vlerësimet për gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Por, kryeministri Hashim Thaçi, ka propozuar që tekstit të rezolutës t’i shtohet edhe një pikë që i hap rrugë amendamentimit të Kushtetutës së Kosovës.
“Propozoj që Nenit 1 të Kushtetutës t’i shtohet edhe pika 4 dhe të theksohet: ‘Republika e Kosovës ka të drejtë të interesohet dhe të mbrojë të drejtat legjitime të shqiptarëve jashtë Kosovës, me mjete të përcaktuara me ketë Kushtetutë, ligjet e Kosovës dhe aktet ndërkombëtare’”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Ky propozim i kryeministrit ka hasur në reagimet e kundërshtarëve të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, veçanërisht të Lëvisjes “Vetëvendosje”. Deputetët e saj e kanë cilësuar djallëzor propozimin e Thaçit për amendamentimin e Kushtetutës, me aryetim se me këtë propozim Thaçi përpiqet të “kontrabandojë” edhe ndryshimet kushtetuese që do të legalizonin atë që ata e quajnë “autonomi” për serbët e Kosovë.
Mospajtimet e Thaçit me kundërshtarët e amendamentimit të Kushtetutës kanë bërë që opinioni të dyshojë se “mungesa e kuorumit” në seancën e të premtes ishte rastësi.
Opinionin e gjerë e, sidomos, shqiptarët në Luginën e Preshevës, i ka befasuar veçanërisht një deklaratë e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhajt, i cili u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë të shqiptarëve që “të dialogonë” me autoritetet shtetërore të Serbisë. Sipas tij, “dialogu është instrument për avancimin e pozitës së shqiptarëve” atje.
“Unë e di që kjo që po them nuk është populiste, por duhet të ketë një dialog politik se si të avancohet përmes dialogut politik pozita e shqiptarëve atje”, ka thënë Hoxhaj.
Megjithkëtë liderët politikë shqiptarë në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë kanë qenë të kujdesshëm. Ata kanë qenë shumë të matur, madje edhe të rezervuar, në reagimet e tyre publike lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, nuk e ka fshehur faktin se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë zhgënjyer për shkak se në Kuvendin e Kosovës nuk kishte kuorum për të votuar për një çështje jetike për ta.
“Kam pasur shumë thirrje telefonike nga banorët që jetojnë në pjesën këndej dhe andej kufirit, sepse të gjithë kanë qenë para ekranit duke e përcjellë se do të bëhet diçka”, ka thënë ai.
Por, Arifi ka shfaqur shpresën se Kuvendi i Kosovës do ta miratojë rezolutën.
“Shpresojmë se do të arrihet një konsensus ndërmjet partive politike që në një seancë të radhës kjo të miratohet” ka thënë Arifi.
Ndërkaq, kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se marrëveshja mes kryeminsitrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçit e Ivica Daçiqit, i ka hapur rrugë Prishtinës që të angazhohet për trajtim të barabartë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës me serbët në Kosovë.
“Prej 19 prillit e këtej ka ndryshuar situata në raportet Prishtinë – Beograd. Është momenti që Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila ka qenë një donatore e madhe e të drejtave të serbëve në Kosovë, me theks të veçantë në veri, po të njëjtin trajtim ta kërkojë nga Qeveria e Serbisë për shqiptarët në Luginë të Preshevës”, ka thënë Mustafa.
Por, shqiptarët e Luginës së Preshevës që nuk janë të veshur me pushtet nuk janë kaq të kujdesshëm. Një shqiptar nga Presheva që jeton në Kosovë, i cili është autoritet i respektuar në qarqet shkencore e kulturore, nuk dëshiron të flasë publikisht, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, por nuk e fsheh dyshimin se udhëheqësit politikë të Kosovës angazhohen përnjëmend për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë rajon apo të atyre që janë zhvendosur në Kosovë.
“Më duket se ka ardhur koha që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kërkojnë një yll në flamurin e Kosovës. Si po zhvillohen gjërat, ne po barazohemi me turqit, romët, malazezët e minoritetet tjera”, u shpreh ai, me një buzëqeshje të hidhur, për gazetën “Illyria”.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka plot mundësi të ndihmojë shqiptarët e këtij rajoni, pavarësisht prej marrëshënieve me Beogradin.
“Shqiptarët e Luginës kanë lidhje familjare me Kosovën. Qeveria nuk ka dhënë prova se është e interesuar për të mbështetur ruajtjen e këtyre lidhjeve. Mjafton të kujtohet taksa për sigurimin e automjeteve. Një vizitë këtu, në Kosovë, i kushton shumë një familjeje shqiptare nga Presheva”, tha ai.
Më e ashpër në gjykimin e qëndrimit të udhëheqjes politike të Kosovës ndaj çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës është Lëvizja për Bashkim. Në një komunikatë të kësaj partie, e cila i ka vetëm dy deputetë në Kuvendin e Kosovës, thuhet se “politikanët e Kosovës po e përdorin çështjen e Kosovës Lindore vetëm për qëllime elektorale”.
Sipas Lëvizjes së Bashkuar, këtë e dëshmon kushtëzimi i votimit të rezolutës me formimin e komunës së re në Zhegër dhe me ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Autoritetet e Beogradit nuk janë marrë shumë me propozimin e Rezolutës për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.