Një zyrtar i Qeverisë së Serbisë shpërfill Marrëveshjen e Brukselit

Prishtinë, 27 qershor 2013– Zëvendësdrejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Kërstimir Pantiq, ka shpërfillur të enjten parimet e marrëveshjes së arritur në Bruksel mes shefit të tij Ivica Daçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndonëse këta të fundit janë pajtuar që zgjedhjet lokale të Kosovës të mbahen edhe në veriun e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë është obliguar t’i inkurajojë qytetarët serbë të asaj zone për të marrë pjesë në zgjedhje, Pantiq e ka bërë të kundërtën. Ai u ka bërë thirrje serbëve në veri të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës, me arsyetim se kjo paraqet njohje të pavarësisë së Kosovës.

“Serbët e veriut nuk do të dalin në zgjedhjet e nëntorit, sepse nuk duan t’i japin legjitimitet pavarësisë së Kosovës dhe asnjë parti nga Serbia nuk mund të ndikojë tek ata që të veprojnë ndryshe”, është shprehur Pantiq.

Sipas tij, bojkotimi i zgjedhjeve nuk është gjë e ndaluar dhe nuk ekziston asnjë obligim ligjor që qytetarët të marrin pjesë në ndonjë cikël zgjedhor.

“Askush nga serbët e Kosovës nuk dëshiron që Serbia të mos përparojë apo të mos zhvillohet dhe askush nga këto anë nuk dëshiron konflikt me shtetin e vet. Por, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se serbët nuk do të dalin në zgjedhjet, të cilat po flitet se mund të zhvillohen më 3 nëntor”, ka thënë Pantiq.