Njoftimi i Gjykatës: Krivaqa e vrau me dashje e mizorisht Marigonën

Gjykata Themelore në Ferizaj ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e diel në Ferizaj ku mbeti e vdekur 18-vjeçarja Marigona Osmani.

Gjykata thotë se ka dyshime të bazuara se në banesën e Dardan Krivaqës në Ferizaj, ky i fundit, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, saktësisht për xhelozi, e privoi nga jeta 18-vjeçaren për shkak se dyshonte se e ndjera Marigona e kishte tradhtuar me djalin e dajës së tij.

Për këtë arsye i pandehuri Dardan Krivaqa, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunë psikike, e pastaj edhe dhunën fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë.

Ndërsa i pandehuri Arbër Sejdiu gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete.

Me këtë rast, Gjykata Themelore në Ferizaj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Arbër Sejdiut.

Para disa orësh është arrestuar edhe Dardan Krivaqa në një fshat të Ferizajt. RTK