Nuk ka pasuri të Mubarakut në Shqipëri

Mbyllen hetimet – Prokuroria e Përgjithshme hetoi 230 egjiptianë

 

Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë njoftoi se asnjë pasuri e ish-presidentit të rrëzuar të Egjiptit, Hosni Mubarak nuk është gjendur në ndonjë formë në Shqipëri. Prokuroria përfundoi hetimet shumëmujore për të zbardhur dyshimet se pasuri të ish-presidentit egjiptian, të afërme apo bashkëpunëtorëve të tij janë fshehur ose përdorur në Shqipëri. Pasuria e Mubarakut që u rrëzua pas më shumë se 30 vjetësh pushtet nga “Pranvera Arabe” besohet të jetë rreth 73 miliardë dollarë. Prokuroria e Përgjithshme i ndërmori hetimet pas kërkesës së autoriteteve egjiptiane për Mubarakun dhe rrethin e tij shoqëror dhe familjar.
Hetimet u mbështetën në një letër porosie të dërguar nga autoritetet egjiptiane në Kajro. Prokurori i Përgjithshëm i Egjiptit kishte kërkuar hetimin e pasurive të Mubarakut, drejtues të lartë të qeverisë së rrëzuar, drejtues të kompanive të ndryshme shtetërore dhe familjarëve të tyre. Lista e familjarëve dhe të bashkëpunëtorëve të Mubarakut u kontrollua imtësisht nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë për 30 vjetët e fundit, saktësisht të të gjithë zyrtarëve përgjatë kësaj periudhe. Lista përfshinte më shumë 230 emra të njerëzve të Mubarakut që dyshohet se kishin ndonjë lidhje apo veprimtari “me”, “për” apo “në” Shqipëri. Shkresa e qeverisë së re të presidentit Morsi në Kajro për organet e Shqipërisë kërkonte “identifikimin e çdo lloj pasurie, përfshirë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të drejta dhe tituj pronësorë, aksione dhe detyrime të shtetasve të ish-presidentit të Egjiptit, Hosni Mubarak, bashkëpunëtorëve, familjarëve dhe personave të tjerë të lidhur me të që janë në këtë listë”.
Në shkresën e marrë nga gjykata e Kajros thuhet: “Të identifikohen këto pasuri që dyshohet se janë rrjedhojë e një vepre penale të korrupsionit të ndodhur në shtetin egjiptian dhe më pas të bëhet ngrirja e tyre”.
Hetuesit në Shqipëri brenda disa muajsh mundësuan vërtetimin e plotë të gjithë shtetasve të përmendur dhe veprimtarive të menduara në Qëndrën Kombëtare të Regjistrimit, në bankat e niveleve të dyta dhe në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (hipotekat), por nuk zbuluan ndonjë dyshim të ardhur nga veprimtaritë kriminale.
Dyshime u hodhën edhe për biznesmenin Ali Evsen për përdorim të pasurive të ish-presidentit Mubarak në veprimtaritë e tij të biznesit, përfshi kompaninë ajrore “Albania Airlines”, e cila u pezullua në nëntor 2011 nga Komisioni Europian për shkak të parregullsive dhe mosplotësimit të disa kritereve profesionale dhe financiare, përfshi borxhet ndaj subjekteve të tjerë. Ali Evsen, një turko-azer u arrestua në Spanjë nga autoritetet vendase me akuzën e pastrimit të parave të Mubarakut, por u lirua me kusht pasi pagoi rreth 18 milionë euro garanci.
Hetimet për pasuritë e Mubarakut pasuan lirimin e pronave të biznesmenit saudit Jasin Kadi, pasi autoritetet i kishin vënë në sekuestro me dyshime për financime të rrjeteve të terrorizmit ndërkombëtar, përfshi organizatën “Al Kaeda”. Pronat e Jasin Kadisë u zhbllokuan javën e kaluar me urdhër të ministrit të Financave, sikurse ishte kërkuar sekuestrimi, përfshi kalimin në rrugën e gjyqësore.