Nuk pranohet nga GJK kërkesa e Presidentit për dorëheqjen e 3 antarëve

Sipas njoftimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se asnjë gjyqtar nuk parashtroi kërkesë për dorëheqje

Knid Ndrenika

Gjykata Kushtetuese nuk pranoi kërkesën e presidentit Ilir Meta për dorëheqjen e tri anëtarve të saj me pretendimin e mospërputhshmërisë për gjykimin e vendimit të Kuvedit për ta shkarkuar.

Gjykata Kushtetuese e tërhequr për të shqyrtuar këtë kërkesë, ndërpreu seancën për shkarkimin e zotit Meta.

Sipas njoftimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se asnjë gjyqtar nuk parashtroi kërkesë për dorëheqje.

Në mbledhjen për pretendimet e zotit Meta, Gjykata Kushtetuese i shqyrtoi kërkesat e tij në mënyrë individuale dhe të ndara.

“Pretendimi për Tushen rrëzohet. Pretendimi për shortin dhe emërimet janë pretendime të pabazuar, pasi janë vendime administrative. Gjithashtu pretendimi për Papajorgjin nuk përbën konflikt interesi. Pretendimi për mbarimin e mandatit dhe shortin e Kalos, nuk është shkak për paanësi”-thuhet në njoftim.

Zoti Meta parashtroi pretendimin “Për vlerësim nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të shkaqeve, për të cilat vihet në dyshim paanshmëria e tij/tyre dhe që sipas ligjit detyrohen të heqin dorë nga shqyrtimi i çështjes”.

Presidenti sipas Kuvendit, u shkarkua për më shumë se 10 shkelje kushteteuse përfshi mosgarantimin e unitetit kombëtar, anësinë me opozitën dhe nxitje dhune para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.